Aktivitetet

E enjte, 19 korrik 2018

USHQIMI NUK ËSHTË LUKS, POR E DREJTË THEMELORE E NJERIUT 

Komisioni i Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarit i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, mbajti debat publik me temë: "Ushqimi si e drejtë themelore e njeriut".

Në Deklaratën universale për të drejtat e njeriut, mes tjerash, qëndron se çdokush ka të drejtë të standardit jetësor i cili atij dhe familjes së tij do t'u sigurojë shëndet dhe mirëqenie, përfshirë edhe ushqimin. 

Problemi është global dhe alarmues, ndërsa të dhënat statistikore janë shqetësuese. Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, 445.099 qytetarë të Republikës së Maqedonisë, çdo ditë kanë problem për të siguruar ushqim dhe mesatarisht kanë nga një shujtë në ditë. Nga ana tjetër, çdo vit në vendin tonë hedhen 6000 deri në 12000 tonë ushqim të tepërt, në vlerë prej 20 milionë euro, gjë që është ushqim për afro 26000 qytetarë me nga tre shujta në ditë. Sa për informim, tepricë e ushqimit llogariten të mbeturat që janë siguruar për t'u shfrytëzuar si ushqim për njerëzit dhe kafshët. 

Një e treta e ushqimit të prodhuar ose afro 1,3 miliardë tonë të ushqimit në botë, përfundon në mbeturinë, ndërsa Maqedonia, megjithëse ka një gjendje specifike sociale dhe ekonomike, sipas numrit të banorëve, është ranguar në vendin e tetë. 

Në fjalimin hyrës, kryetari i Komisionit, Fadil Zendeli, theksoi se kujdesi ndaj kategorisë së qytetarëve që kanë nevojë jetësore për ushqim, është obligim i institucioneve shtetërore dhe shoqërisë në përgjithësi. 

Fjalime lidhur me temën mbajtën edhe zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Gjonul Bajraktari; sekretari shtetëror i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Nefus Çeliku; drejtori i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Jovan Despotovski; Bllazhe Josifovski nga Asociacioni për Mjedis të Pastër Jetësor "Ajde Maqedoni" dhe ekspertja Cvetanka Kuzmanovska. Në diskutimin për fjalë u paraqitën edhe deputetët dhe një pjesë e të pranishmëve. 

Qëllimet kryesore të përpunuara me simulimin e NDI-së tregojnë se bëhet fjalë për politika të paharmonizuara dhe model të paqëndrueshëm ekonomik. Duhet të formohet një grup pune i cili do të japë drejtime për rregullimin ligjor të sistemit për dhurim të ushqimit dhe të bëhet një plan-veprim nacional, në të cilin do të përfshihen katër segmente: dhurimi, sistemi i qëndrueshëm i ushqimit, ekonomia e qëndrueshme dhe menaxhimi i organizuar me resurse. Nevojitet rrjetëzim dhe harmonizim i politikave tatimore dhe në atë kontekst të ndëshkohen ato që shkaktojnë ndotje, dhe të ketë lirim nga tatimi për dhuruesit e ushqimit. Me rëndësi esenciale është lidhshmëria e politikave publike, ekonomia dhe organizatat civile që merren me dhurim të ushqimit. Gjithashtu, me rëndësi të madhe është ngritja e vetëdijes te qytetarët, ballafaqimi me problemin, pa arsyetim. 

U informua se përmes iniciativës "shujtë për të gjithë" të Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, të gjithë që dëshirojnë të ndihmojnë, kanë ofruar zgjidhje, të cilat do të financohen nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe të cilat më tutje do të mbeten zgjidhje sistemore. Pesë prej këtyre propozim-zgjidhjeve në javët e ardhshme do të prezantohen publikisht dhe do të zgjidhen më të mirët. 

Në diskutimin u bë apel se nevojitet aksion në të gjitha nivelet në shoqërinë, të zgjedhurit e popullit të angazhohen për ndihmë më të lartë sociale, sigurim të kushteve dhe lirim tatimor për ato që merren me grupet e prekura të qytetarëve, me qëllim që të përmirësohet cilësia e tyre e jetës dhe t'u kthehet besimi në një të ardhme më të mirë, sepse ushqimi nuk është luks, por e drejtë themelore e njeriut. 

Click