Udhëheqja parlamentare

E premte,5 maj 2017

KRYETARI I KUVENDIT TALAT XHAFERI REALIZOI TAKIM PUNE ME PËRFAQËSUESIT E LARTË TË BE

Në kuadër të vizitës së tij të punës, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, realizoi takim pune me znj. Federika Mogerini, përfaqësuese e lartë e punëve të jashtme dhe e politikës së sigurisë të Bashkimit Evropian, Johanes Han, Komisar për politikë të mirë fqinjësore dhe zgjerim i Komisionit Evropian dhe me deputetët në Parlamentin Evropian Ivo Vajgëll, Eduard Kukan, Alojz Peterle dhe Knut Flekenshtajn. 

Përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian edhe njëherë e përshëndetën zgjedhjen e z. Talat Xhaferi si Kryetar i Kuvendit dhe e vërtetuan angazhimin e Bashkimit Evropian për bashkëpunim me kryetarin e sapozgjedhur në interes të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian potencuan se presin që së shpejti të përfundojë procesi i zgjedhjes së Qeverisë së re, për të cilën njëri nga prioritetet kryesore do të jetë implementimi efikas dhe i plotë i Prioriteteve urgjente të reformave. 

Përfaqësuesit e BE-së theksuan se presin që të gjitha partitë politike në Republikën e Maqedonisë të tregojnë konstruktivitet dhe t'i përkushtohen procesit të reformave dhe integrimit në Bashkimin Evropian.  
Kryetari Xhaferi i informoi bashkëbiseduesit se ka vepruar në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe të rregullores dhe ndërmori aktivitete në drejtim të fillimit të procedurës për ndarje të mandatit për zgjedhjen e Qeverisë së re. Gjithashtu, ai theksoi se në kuadër të afateve të parashikuara me Rregulloren e Kuvendit të RM-së do t'i thërrasë përfaqësuesit e partive politike parlamentare, me qëllim që t'i përcaktojnë drejtimet për punën e ardhshme të Kuvendit. 

Kryetari Xhaferi e konfirmoi përcaktimin e Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe e theksoi rolin e rëndësishëm të Kuvendit në atë proces, për të cilën gjë ai angazhohet fuqimisht. 

Click