Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 4 korrik 2018, Kroaci

Pjesëmarrje e kryetarit Xhaferi në Konferencën në temën „Sfidat bashkëkohore të hapësirës transatlantike të sigurisë"  

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, më 3 dhe 4 korrik të vitit 2018 mori pjesë në Konferencën e organizuar nga Këshilli Atlantik i Kroacisë dhe Fondacionit Hans-Sajdel (Hanns-Seidel Stiftung), në bashkëpunim me Institutin për Zhvillim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare (IRMO), në temën "Sfidat bashkëkohore të hapësirës transatlantike të sigurisë", në Shipan - Republika e Kroacisë. 

Konferenca është e dedikuar për 30 liderë të rinj prej vendeve në rajon, ndërsa kryetari Xhaferi mbajti ligjëratë para pjesëmarrësve të rinj, me ç'rast ndau me to një pjesë të përvojës së tij profesionale, a foli edhe për ngjarjet aktuale në Republikën e Maqedonisë dhe rajonit. 

Në kontekst të temës, kryetari Xhaferi theksoi se Ballkani Perëndimor, sipas standardeve dhe vlerave që mbisundojnë gjithnjë e më shumë, bëhet pjesë përbërëse e asociacioneve transatlantike, me ç'rast nënvizoi se të gjithë në rajon mund të gjejnë zgjidhje të pranueshme të ndërsjella për cilindo problem apo çështje të hapur, vetëm me anë të dialogut, bashkëpunimit të hapur, veçanërisht kur bëhet fjalë për sfidat e përbashkëta. Shembulli më i freskët për këtë është kriza refugjate, me ç'rast rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe çdo shtet veçmas, luajtën rol shumë pozitiv dhe të përgjegjshëm. Gjithashtu, kryetari i Kuvendit potencoi se Qeveria aktuale e Republikës së Maqedonisë dhe shumica parlamentare, këtë vit kanë bërë lëvizje shumë të rëndësishme të cilat kanë dimension historik, si për qytetarët e Republikës së Maqedonisë ashtu edhe për rajonin dhe perspektivën e tij euroatlantike. Gjegjësisht, ai i numëroi hapat pozitive në këtë drejtim, siç janë përpjekjet e vendit tonë për marrëdhënie të mira fqinjësore nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes për miqësi me Republikën e Bullgarisë, si edhe marrëveshjen e arritur me Republikën e Greqisë, me të cilën afrohemi kah zgjidhja finale e njërës nga çështjet më të vështira për vendin tonë. 

Në fund të ligjërimit, pjesëmarrësit kishin mundësi për parashtrimin e pyetjeve, me ç'rast kryetari Xhaferi theksoi se është kënaqësi e vërtetë të marrë pjesë në debat me liderë të ardhshëm nga rajoni, liderë të cilët nesër do të marrin vendime të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi do të ndikojnë mbi kontekstin e përgjithshëm, qoftë në shtetet e tyre, qoftë në nivel të rajonit dhe më gjerë.

Click