Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 3 prill 2019

Takim i Kryetarit Talat Xhaferi me Hulusi Akar, ministër i Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Hulusi Akar, ministër i Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, i cili qëndron në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në takim ishin të pranishëm edhe Hari Lokvenec, kryetar i Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë dhe Ilija Nikolovski, zëvendës i kryetarit të Komisionit.

Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi nga realizimi i takimit me ministrin e një vendi mik, i cili në vazhdimësi e mbështet Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ai vlerësoi se mbajtja e komunikimit intensiv ndërmjet dy vendeve në nivel të lartë, kontribuon fuqishëm në përparimin e marrëdhënieve të përgjithshme. Si ministër i mëparshëm dhe zëvendësministër i Mbrojtjes, kryetari Xhaferi mund të dëshmojë në mënyrë të drejtpërdrejtë se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Turqisë kanë bashkëpunim të gjatë dhe të suksesshëm në fushën e mbrojtjes, ndërsa besimi i ndërsjellë reflektohet edhe në pjesëmarrjen e përbashkët të pjesëtarëve të armatave të të dy vendeve në proceset paqësore. Ai sugjeroi se ushtarët tanë për momentin janë pjesë e kontingjentit turk në misionin e NATO-s "Mbështetje Vendimtare", në Afganistan.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut e informoi mysafirin për agjendën reformuese dhe për përparimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore përmes tejkalimit të dallimeve dhe çështjeve të hapura me fqinjët në dy vitet e kaluar. Ai foli edhe për nënshkrimin e Protokollit për anëtarësimin në NATO, duke sugjeruar se duke e marrë parasysh shpejtësinë me të cilën zhvillohet procesi i ratifikimit të Protokollit në vendet anëtare të Aleancës, shpresojmë se deri në Samitin e NATO-s në Londër, vendi do të bëhet anëtari i 30-të i NATO-s. Në kontekst të integrimit në BE, presim që në qershor të vitit 2019 të përcaktohet data për fillimin e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Union.

Kryetari Xhaferi foli edhe për bashkëpunimin e frytshëm parlamentar, si në nivelin bilateral, ndërmjet parlamenteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, ashtu edhe në nivelin multilateral, në kuadër të asambleve parlamentare ndërkombëtare, a sidomos në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, z. Hulusi Akar theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është shumë e rëndësishme për Republikën e Turqisë dhe shprehu mbështetje për agjendën reformuese të vendit, duke e vlerësuar pozitivisht përparimin e marrëdhënieve të mirа fqinjësore. Turqia mbetet mbështetës i fuqishëm i integrimeve euroatlantike dhe evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është e gatshme si edhe deri tani, ta mbështesë vendin në këtë plan. Ai sugjeroi se në të gjitha takimet është nënvizuar angazhimi për përparimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, para së gjithash në fushën e mbrojtjes. Ministri Akar potencoi se Turqia jep mbështetje logjistike për pajisjen, edukimin dhe trajnimin e Armatës sonë dhe theksoi se mundësinë për shkollim dhe trajnim në shkollat ushtarake në Turqi deri tani e kanë shfrytëzuar 1200 pjesëtarë të Armatës. Njëkohësisht, ai sugjeroi se pjesëtarët e armatës sonë të cilët punojnë bashkë me pjesëtarët e kontingjentit turk në Afganistan, janë shumë të suksesshëm në punën e vet.

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit shprehën shpresë për përparim dhe thellim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë në planin e mbrojtjes, si edhe në fushat tjera.

Click