Udhëheqja parlamentare

E martë, 18 shtator 2018

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME NËNKRYETARIN E PARLAMENTIT EVROPIAN PAPADIMULIS

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi sot realizoi takim me nënkryetarin e Parlamentit Evropian nga Republika e Greqisë, z. Dimitrios Papadimulis, i cili merr pjesë në Takimin e 15-të të Komitetit të Përzier Parlamentar – Republika e Maqedonisë dhe Bashkimi Evropian. 

Kryetari Xhaferi i uroi mirëseardhje të sinqertë në Kuvend në këtë moment kyç, kur vendi hyn në fazë të re të integrimeve euroatlantike. Ai i konstatoi marrëdhëniet e shkëlqyera me Parlamentin Evropian dhe me mbajtjen e takimit të KPP dhe të Konferencës së liderëve të ri në Kuvend në ditët në vijim, pritet të dërgohet edhe një mesazh i qartë për perspektivën evropiane të vendit. Shumica aktuale i bëri të gjitha përpjekjet për tejkalimin e pengesave në rrugën kah integrimi i tërësishëm euroatlantik, me nënshkrimin e Marrëveshjes me Republikën e Bullgarisë dhe të Marrëveshjes me Republikën e Greqisë, dhe përmbushjen e kushteve të duhura në përputhje me kërkesat e institucioneve evropiane. Vizitat e shpeshtuara të zyrtarëve të huaj në periudhën para mbajtjes së referendumit janë të mirëseardhura dhe ndihmojnë në përpjekjet e vendit që të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s dhe të fillojë me negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Papadimulis, duke u falënderuar për mikrpitjen e ngrohtë të mikpritësit, edhe njëherë e shprehu mbështetjen e fuqishme të Parlamentit Evropian për eurointegrimet e Republikës së Maqedonisë dhe të mbështetjes së padyshimtë, pothuajse të njëzëshme të Parlamentit Evropian dhe të gjitha grupeve parlamentare për Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë. Të dy vendet, me hapat e ndërmarra, i dhanë argument të fuqishëm Parlamentit Evropian, si shembull pozitiv në rajon, të aftë të ndërtojnë ura dhe të gjejnë kompromise. Ai shprehu bindje dhe optimizëm për rezultat pozitiv të referendumit dhe për hapat e ardhshme të cilat vijojnë për implementimin e tij të tërësishëm, përskaj opinioneve të ndryshme që ekzistojnë në të dyja vendet, që është veçori e çdo demokracie evropiane. 

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se u humb kohë e çmuar në deceniet e kaluara,sidomos pas Samitit të Selanikut në vitin 2003 kur për herë të parë ishte konfirmuar ardhmëria evropiane e rajonit dhe se me implementimin e Marrëveshjes, vendi hyn në fazë të re të raporteve me NATO-n dhe BE-në, por edhe në bashkëpunim bilateral me Republikën e Greqisë, duke hapur faqe të re për fillimin e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë parlamentar në të gjitha nivelet, por edhe erë të re në fushën e ekonomisë, kulturës dhe të gjitha fushat me interes të përbashkët të të dyja vendeve dhe qytetarëve të tyre. Gjithashtu, shprehën bindje se pas implementimit të marrëveshjes, në muajt që vijojnë, shumë qytetarë do e ndryshojnë opinionin e vet dhe realisht do i ndjejnë përfitimet e nënshkrimit të saj.       

Click