Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 20 dhjetor 2017, Tiranë

Takim i kryetarit Xhaferi me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta

Në vazhdim të vizitës zyrtare në Republikën e Shqipërisë të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi dhe delegacioni që e shoqëron realizuan takim me Presidentin e Shqipërisë, z. Ilir Meta. Takimi u zhvillua në një atmosferë të këndshme dhe të ngrohtë, që është shenjë e marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale ndërmjet dy vendeve fqinje të cilat nuk kanë çështje të hapura ndërmjet veti dhe ky ishte konstatim i përbashkët në kënaqësi të të dyja palëve.

Të dy bashkëbiseduesit ishin të njëzëshëm në lidhje me vazhdimin e marrëdhënieve të këtilla në nivel të lartë edhe në të ardhmen, me atë që ato do të përforcohen dhe do të thellohen ndërmjet pushtetit ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor në vendet, me ç'rast Presidenti Meta shtoi se bashkëpunimi i atillë duhet ti përfshijë bashkëpunimin ndërkufitar, bashkëpunimin në nivel të komunave, si edhe bashkëpunimin ekonomik në tërësi. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Meta, theksoi se Republika e Shqipërisë e cila është anëtare e NATO-s, është përkrahës i fuqishëm i Republikës së Maqedonisë për anëtarësim të plotfuqishëm në këtë strukturë sigurie, me ç'rast u pajtua se detyra prioritare e Republikës së Maqedonisë në periudhën e ardhshme është zbatimi i reformave dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore, diçka që është kyçe jo vetëm për stabilitetin e vendit por edhe për rajonin në tërësi.

Në këtë kontekst, kryetari Xhaferi e informoi z. Meta për gjendjen aktuale politike në Republikën e Maqedonisë, duke theksuar se jemi të orientuar kah ndërtimi i shoqërisë së vërtetë qytetare me shfrytëzimin e mekanizmave demokratike që janë në dispozicion në suazat e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi në Maqedoni, në zbatimin e proceseve reformuese të cilat janë kyçe për integrimin në BE dhe në NATO dhe në vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët. Këtu, përveç seancës së suksesshme të përbashkët të Qeverive të të dyja vendeve në Pogradec, e potencoi edhe përkushtimin e Qeverisë aktuale në arritjen dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë dhe intensifikimin e komunikimit me Republikën e Greqisë, me ç'rast të dy bashkëbiseduesit nënvizuan se në këtë periudhë është krijuar klimë pozitive politike për zgjidhjen e çështjeve kyçe të cilat do të jenë të dobishme për hyrjen e rajonit në familjen evropiane dhe se ky moment i volitshëm nuk guxon të lëshohet.

Përveç këtyre çështjeve, gjatë takimit u bisedua edhe për përparimin e të drejtave të bashkësive etnike që jetojnë në të dy vendet, me ç'rast kryetari Xhaferi e përshëndeti nxjerrjen e Ligjit për minoritetet në Shqipëri, me të cilin ligj pranohen nëntë minoritete nacionale, ndër të cilat edhe minoriteti maqedonas dhe theksoi se nevojitet që Parlamentet në vazhdimësi ti përmirësojnë kornizat ligjore në këtë drejtim, me qëllim që qytetarët ti gëzojnë të gjitha të drejtat dhe të ndihen mirë kudo që të gjenden.   

Click