Udhëheqja parlamentare

E hënë, 26 nëntor 2018

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME SH.T. SAGER NASER AHMED ABDULAH ALRAISI, AMBASADOR I EMIRATEVE TË BASHKUARA ARABE PËR REPUBLIKËN E MAQEDONISË 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, sot realizoi takim me SH.T. Sager Naser Ahmed Abdulah Alraisi, ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe për Republikën e Maqedonisë. 

Kryetari Xhaferi, pasi i uroi mirëseardhje mysafirit, shprehu mirënjohje dhe kënaqësi për marrëdhëniet e vendosura diplomatike qysh në vitin 1996 nën emrin kushtetues të vendit, edhe pse për fat të keq gjatë kësaj periudhe, rrallë shënohen takime të ndërsjella në nivel të lartë bilateral. Ai theksoi se si kryetar i Kuvendit, e inkurajon grupin parlamentar për bashkëpunim me vendet e Lindjes së Afërme dhe të Mesme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, të vendosin komunikim me kolegët e tyre nga parlamentet përkatëse dhe ta iniciojnë diplomacinë parlamentare e cila është shumë e  rëndësishme. Më tutje tha se në planin multilateral, bashkëpunimi në organizatat ndërkombëtare dhe në sistemin e OKB-së është i mirë, shpeshherë mbështeten kandidimet e ndërsjella dhe Republika e Maqedonisë në këtë drejtim, tradicionalisht e mbështet kandidimin e EBA në kuadër të trupave dhe organeve të organizatave ndërkombëtare. 

Ambasadori, SH.T. Sager Naser Ahmed Abdulah Alraisi shprehu mbështetje të hapur dhe të fuqishme për Republikën e Maqedonisë, duke i sugjeruar përfitimet për vendet e vogla nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, dhe përparësitë që mundësohen për vendet anëtare të plotfuqishme të këtyre organizatave. Ai e ftoi kryetarin Xhaferi që së bashku me delegacion ti vizitojnë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe parlamentin e tyre. Ambasadori theksoi se me këtë ftesë, do të intensifikohen marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve ndërsa mesazhet do të dërgohen pikërisht prej parlamentit që është zëri i drejtpërdrejtë i popullit. 

Bashkëbiseduesit u pajtuan se kultivimi dhe përparimi i marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve duhet të shënojë në intensitet në periudhën që vijon, si edhe të thellohet në fushën e arsimit, ekonomisë, ambientit jetësor dhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë për të dyja vendet. 

Click