Udhëheqja parlamentare

E premte, 15 dhjetor 2017

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME Z. VANINO KITI, KRYETARIN E KOMISIONIT PËR POLITIKA EVROPIANE NË SENATIN E REPUBLIKËS SË ITALISË

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, u takua me z. Vanino Kiti, kryetarin e Komisionit për Politika Evropiane në Senatin e Republikës së Italisë. 

Duke i vlerësuar marrëdhëniet mes dy shteteve si miqësore dhe pa çështje të hapura, kryetari Xhaferi shprehu shpresë së në të ardhmen e afërt do të intensifikohet komunikimi i drejtpërdrejtë ndërmjet shtëpive ligjvënëse të të dy vendeve edhe atë, si në nivel të komisioneve, ashtu edhe në nivel të kryetarëve të Parlamenteve.

Ai u falënderua për mbështetjen e vazhdueshme që Italia e jep për perspektivën Euro-atlantike të Republikës së Maqedonisë dhe theksoi se bëhen përpjekje serioze për arritjen e rezultateve konkrete në zbatimin e reformave, me qëllim të marrjes së datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian në vitin 2018. 

Kryetari Xhaferi e informoi mysafirin se me qëllim të përforcimit të komunikimit ndërmjet fqinjëve përmes dialogut të hapur dhe në këtë mënyrë të zgjidhen problemet rrjedhëse, është lidhur Marrëveshje për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë dhe përveç kësaj, ka përkushtim të tërësishëm për angazhim aktiv në biseda me Greqinë, nën ombrellën e KB-së, për gjetjen e zgjidhjes së ndërsjellë të pranueshme dhe zgjidhjes dinjitoze për dallimin me emrin. 

Senatori Kiti nënvizoi se në Senatin italian ekziston përkushtim dhe interes për kultivimin dhe thellimin e lidhjeve ndërparlamentare me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se, edhe pse në Itali në muajin mars do të mbahen zgjedhje parlamentare, pret që kjo vizitë të jetë bazë e mirë për komunikim, kontakt dhe bashkëpunim më intensiv të përbërjes së ardhshme. Duke e potencuar rolin e rëndësishëm të Kuvendit në procesin e reformave, ai i përshëndeti përpjekjet për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe theksoi se Italia tërësisht e mbështet integrimin euroatlantik të Republikës së Maqedonisë. 

Në raport me bashkëpunimin ekonomik, u konstatua se Italia është partner i rëndësishëm tregtar i Republikës së Maqedonisë ndërsa bashkëbiseduesit e përshëndetën bashkëpunimin e suksesshëm në fushën e mbrojtjes, punëve të brendshme, shëndetësisë, pushtetit lokal, kulturës, arsimit dhe shkencës. Në Republikën e Italisë jetojnë numër i konsiderueshëm i qytetarëve me prejardhje maqedonase, që ishte vlerësuar si faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe bazë e mirë për ndërlidhje dhe ndërtim të miqësisë.   

Click