Udhëheqja parlamentare

E premte, 30 nëntor 2018

Takim joformal i kryetarit Xhaferi me përfaqësuesit e mediumeve 

Në takimin e sotëm të regullt me përfaqësuesit e mjeteve të informimit publik, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, informoi se prej nesër fillon debati në Kuvend për tekstin e projekt amendamenteve kushtetuese. 

Sipas Rregullores, debati mund të zgjasë më së gjati dymbëdhjetë ditë, respektivisht nga tre ditë për çdo amendament veç e veç, por Xhaferi realisht pret që kjo pjesë e procedurës të përfundohet në afat më të shkurtër. Pas kësaj, vijojnë pesë ditë debat publik për të cilin është i ngarkuar propozuesi i projekt amendamenteve, pas së cilës Qeveria ka dy ditë për sublimim të rezultateve nga debati dhe të dorëzojë te kryetari i Kuvendit propozim të amendamenteve të Kushtetutës, bashkë me arsyetimin dhe raportin për rezultatet e debatit publik. Kryetari i Kuvendit, amendamentet i dërgon te deputetët në Kuvend, te presidenti i Republikës dhe në Qeveri, më së voni 30 ditë para mbajtjes së seancës së Kuvendit. Pas mbylljes së debatit për amendamentet, fillohet me votim ndërsa për ti votuar amendamentet, nevojitet shumicë prej dy të tretash, ose 80 vota deputetësh.

Kryetari Xhaferi informoi edhe për atë se në Komisionin për Financim dhe Buxhet ka filluar debati për Buxhetin e vitit 2019 dhe se 27 dhjetori është ditë e rezervuar për seancë plenare në të cilën do të parashtrohen pyetje deputetësh. Ai informoi se presidenti i Republikës së Maqedonisë, akoma nuk ka dërguar kërkesë me shkrim që të drejtohet në shtëpinë ligjvënëse, siç është përcaktuar në Rregulloren për punë të Kuvendit. 

Kryetari Xhaferi informoi se edhe më tutje mbetet në qëndrimin e vet parimor, dhe ky është se për shkak të funksionit nuk do të marrë pjesë në Grupin Parlamentar Interpartiak për Pajtim, Reforma dhe Integrim mirëpo, mbetet gjithmonë i hapur për mediumet, me të cilët ka mision të njëjtë.  

Click