Udhëheqja parlamentare

E enjte, 6 shtator 2018

Takimi i Kryetarit Xhaferi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg

Në kuadër të vizitës zyrtare të Republikës së Maqedonisë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolltenberg, realizoi takim me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi.  

Në takimin ishin të pranishëm koordinatorët e Grupeve parlamentare në Kuvendin, Sonja Mirakovska, Dragan Danev, Ejup Alimi dhe Afrim Gashi, si dhe kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, Hari Llokvenec. 

Kryetari Xhaferi shprehu falënderim të madh ndaj sekretarit të përgjithshëm Stolltenberg për angazhimin dhe mbështetjen e tij personale ndaj Republikës së Maqedonisë në marrjen e ftesës për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO në Samitin e Brukselit. Theksoi se Republika e Maqedonisë punon me përkushtim në përmbushjen e agjendës reformuese, përmes planeve vjetore për anëtarësim, por edhe me miratimin e Pasqyrës strategjike të mbrojtjes, e cila parasheh modernizimin e Armatës dhe mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë.  Fokusi i aktiviteteve është orientuar paralelisht edhe në ndërtimin dhe mbarëvajtjen e dialogut konstruktiv me fqinjët dhe në zgjidhjen e çështjeve të hapura, si parakusht për progres individual, por edhe kontribut ndaj stabilitetit rajonal.  

Kryetari i Kuvendit shfaqi shpresë për sukses të referendumit dhe pritje se qytetarët do ta vërtetojnë përcaktimin e tyre për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO, sepse referendumi duhet shikuar si udhërrëfyes i së ardhmes, e jo i së kaluarës. Në kontekst të përpjekjeve të përgjithshme të Republikës së Maqedonisë për ta arritur qëllimin - anëtare e plotfuqishme e NATO-s, kontribut të madh ka edhe dimensioni parlamentar, për të cilin dëshmon mbajtja e Seminarit të suksesshëm Ros-Rot në Shkup, para Samitit të NATO-s.   

Sekretari i përgjithshëm Stolltenberg e përshëndeti nënshkrimin e Marrëveshjes me Greqinë dhe e nënvizoi mbështetjen e mëtutjeshme të NATO-s në përmbushjen e proceseve reformuese, e në veçanti shprehu kënaqësi për miratimin e Pasqyrës strategjike të mbrojtjes.  Theksoi se për finalizimin e procesit, nevojitet ratifikim në parlamentet e 29 vendeve anëtare të Aleancës, i cili do të realizohet pasi të përfundojnë të gjitha obligimet lidhur me implementimin e Marrëveshjes, përkatësisht miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Është i vetëdijshëm se këto janë çështje të ndjeshme për të dyja shtetet, por beson në finalizimin pozitiv të këtij procesi. Ai theksoi se Aleanca nuk detyron asnjë shtet të bëhet anëtare e saj, ajo do ta respektojë vendimin sovran të qytetarëve në referendum, qoftë pozitiv ose negativ, por bëri me dije se hyrja në Aleancë gjithmonë sjell përfitime të mëdha për qytetarët, jo vetëm në aspekt të sigurisë, por edhe përfitime ekonomike, rritje të investimeve të huaja dhe stabilitet shoqëror afatgjat.  

Click