Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 28 shkurt 2018

Takimi i kryetarit Xhaferi me z. Abdullah Al Novaiser, konsull nderi i Republikës së Maqedonisë në Mbretërinë e Arabisë Saudite 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, sot realizoi takim me delegacionin e afaristëve nga Mbretëria e Arabisë Saudite, të paraprirë nga konsulli i nderit i Republikës së Maqedonisë në Xheda, z. Abdullah Al Novaiser. 

Biznes delegacioni nga Arabia Saudite, i përbërë prej 12 biznesmenëve të suksesshëm, çdo vit mban tubime në shtete të ndryshme të botës me një qëllim të vetëm, dhe ky është zbulimi i mundësive potenciale për zgjerimin e veprimit të tyre. Këtë vit, me propozim të ambasadorit të Republikës së Maqedonisë për Mbretërinë e Arabisë Saudite, z. Abdulkadër Memedi, biznes delegacioni vendosi që tubimin e rregullt vjetor ta mbajë pikërisht në Shkup. Me këtë rast, e shfrytëzuan mundësinë që të takohen edhe me kreun shtetëror të Republikës së Maqedonisë. 

Duke e pasur parasysh se 12 biznesmenët janë përfaqësues të subjekteve që punojnë edhe jashtë kufijve të Arabisë Saudite, dhe të cilët së  bashku kanë gjithsej mbi 10 miliardë dollarë qarkullim vjetor, vizita e tyre paraqet mundësi të shkëlqyer që edhe Republika e Maqedonisë të mund ti prezantojë mundësitë e veta investuese.

Delegacioni i afaristëve interesohej për industrinë ushqimore dhe për atë se a mundet Republika e Maqedonisë të vendosë standarde për sigurimin e cilësisë solide dhe të vazhdueshme të prodhimeve bujqësore të dedikuara për eksport. 

Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi që lloj i këtillë i delegacionit është në vizitë në Shkup, si edhe falënderim të thellë ndaj Konsullit të nderit të Republikës së Maqedonisë në Xheda, z. Abdullah Al Novaiser, për kontributin e tij dhe për angazhimin për vizitën e realizuar dhe për përkrahjen e vazhdueshme të Arabisë Saudite ndaj Republikës së Maqedonisë në përgjithësi. Kryetari shprehu bindje se ekziston hapësirë shumë e madhe për intensifikimin e bashkëpunimit në planin ekonomik, të investimeve dhe tregtisë, dhe se kjo vizitë mund ta hapë rrugën edhe për kontakte në nivelin parlamentar. 

Kryetari Xhaferi theksoi se, edhe përskaj asaj që Republika e Maqedonisë është vend i vogël, mund të ofrojë kushte shumë të mira dhe rrethana lehtësuese për investim. Në këtë drejtim, kryetari Xhaferi nënvizoi se do të angazhohet në kuadër të kompetencave të veta për nënshkrim sa më të shpejtë të marrëveshjes për nxitjen e mbrojtjes së ndërsjellë të investimeve dhe të marrëveshjes për tregti të lirë. 

Gjithashtu, delegacioni u njoftua me strukturën, me punën dhe aktivitetet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. 

Click