Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 25 tetor 2017

Takimi i Kryetarit Xhaferi me zëvendëskryetarin e Qeverisë dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, sot u takua me zëvendëskryetarin e Qeverisë dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, i cili qëndron në vizitë oficiale njëditore në Republikën e Maqedonisë. 

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Xhaferi theksoi se Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kosovës, me shembullin e tyre për bashkëpunim kontribuojnë në drejtim të ngritjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon në nivelin më të lartë të mundshëm dhe se vizitat e këtilla janë vërtetim pikërisht i atyre angazhimeve. 

Kryetari foli për kornizën juridike të marrëveshjeve ndërmjet dy shteteve dhe theksoi se e njëjta duhet së shpejti të zgjerohet me nënshkrimin e më shumë marrëveshjeve bilaterale për lehtësimin e marrëdhënieve të përgjithshme.

Z. Xhaferi, në emër të Kuvendit, shprehu gatishmëri të tërësishme për ndarjen e përvojave në proceset eurointegrative me kolegët e Parlamentit kosovar, duke e marrë parasysh se Maqedonia ka përvojë më të madhe në këtë sferë.

Gjithashtu, ai shprehu bindje se edhe në Parlamentin kosovar së shpejti do të formohet Grupi i deputetëve për miqësi për bashkëpunim me grupin përkatës i cili veç më është formuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Përveç kësaj, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë e informoi ministrin Pacolli për gjendjen politike aktuale në vend dhe për ngjarjet që vijonin pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në dhjetor të vitit 2016. 

Ministri Pacolli, duke u rikthyer angazhimit të tij personal në periudhën e shkurtër derisa e  ka ushtruar detyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës, që kufijtë ndërmjet dy vendeve të kalohen vetëm me letërnjoftim, shprehu kënaqësi të veçantë që ai angazhim i tij tani më është realitet.

Ai, duke ia uruar zgjedhjen në funksionin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, shprehu bindjen se z. Xhaferi, në mënyrë dinjitoze dhe me shkathtësi do e përmbushë këtë detyrë të përgjegjshme ndërsa ndikimin e tij dhe rolin e tij shumëdimensional, i vlerësoi si shumë të rëndësishëm, jo vetëm për vendin por edhe për rajonin.

Mysafiri i lartë nga Kosova, e theksoi nevojën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ekspertizë të cilën do e kishin fituar prej kolegëve të tyre në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe shprehu dëshirë që bashkëpunimi ndërparlamentar të zhvillohet në bazë të rregullt. 

Bashkëbiseduesit bashkërisht e vërtetuan përcaktimin për bashkëpunim ekonomik më intensiv dhe rëndësinë e ndërlidhjes së përbashkët infrastrukturore.    

Click