Aktivitetet

E premte, 13 nëntor 2020

Ademi në Konferencën Virtuale: Ballkani Perëndimor dhe BE-ja: Konsolidimi demokratik përmes përmbushjes së kritereve politike

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Arbër Ademi, sot mori pjesë në Konferencën Virtuale, të organizuar nga Parlamenti i Malit të Zi dhe Qendra për Tranzicion Demokratik me temë: Ballkani Perëndimor dhe BE-ja: Konsolidimi demokratik përmes përmbushjes së kritereve politike, në të cilën fjalim hyrës pati Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, z. Aleksa Beçiq.

Në Konferencë, fjalim kishte edhe z. Ademi, i cili në panelin e parë kushtuar: Anëtarësimit të BP-së në BE: Përmbushja e kritereve politike, iu referua zhvillimeve të fundit në lidhje me zbatimin e deritanishëm të reformave të BE-së, me përqendrim të veçantë për zbatimin në katër fushat kryesore të reformave: gjyqësori, lufta kundër korrupsionit, shërbimi i zbulimit dhe reformat në shërbimet e sigurisë, si dhe reformat në administratën publike.

Në këtë kontekst, theksoi se në shoqëritë multietnike si e jona, BE-ja është faktori ynë më i fortë koheziv që na çon përpara dhe fillimi i negociatave do të na japë një shtysë të fortë për dinamikë më të madhe të reformave dhe sigurisht që do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin rajonal. Si një vend relativisht i ri, ne jemi të vetëdijshëm se vetëm përmes zbatimit të reformave të domosdoshme në lidhje me avancimin e demokracisë, sundimin e së drejtës dhe arritjen e standardeve evropiane mund të bëhemi një pjesë thelbësore e BE-së. Na duhen reformat për të hyrë në BE, por gjithashtu kemi nevojë për reforma edhe në vend, dhe veçanërisht për të rinjtë, të cilëve u duhet një shtet i qëndrueshëm me standarde dhe perspektiva evropiane. "Pa arritur rezultate të prekshme dhe të dukshme, situata me largimin e intelektualëve, e cila është akoma alarmante, do të bëhet edhe më alarmante në vendet tona", theksoi Ademi. Duke folur për Kornizën Negociuese për Anëtarësimin në BE dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare pas marrjes së dritës jeshile deri në fund të Kryesimit Gjerman me BE-në, nga Këshilli i BE-së, theksoi se është veçanërisht e rëndësishme për vendin t'i fillojë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur.

Në Konferencë, fjalime kishin edhe z. Sllaven Radunoviq, anëtar i Parlamentit të Malit të Zi, z. Nikolla Rakoçeviq, anëtar i Parlamentit të Malit të Zi, znj. Elvira Kovaç, nënkryetare e Kuvendit Nacional të Republikës së Serbisë dhe kryetare e Komisionit për Integrimin Evropian dhe z. Nikolla Llovrinoviq, kryetar i Komisionit të Përbashkët për Integrimin Evropian të Parlamentit të BeH.

Click