Aktivitetet

E enjte, 15 korrik 2021

Ballkani Perëndimor lart në agjendën e Kryesimit Slloven

Këshilli Nacional për Eurointegrime dhe Komisioni për Çështje Evropiane mbajtën mbledhje të përbashkët, në të cilën Programi dhe prioritetet për punën e Kryesimit Slloven me Këshillin e Bashkimit Evropian për periudhën korrik-dhjetor 2021 u prezantuan nga ambasadori slloven, SH.T. Millan Predan.

Kryetarët e KNEI-së dhe KÇE-së, Aleksandar Nikollovski dhe Arbër Ademi, shprehën kënaqësinë nga harmonizimi për mbledhjen e përbashkët dhe e përshëndetën kryesimin e Sllovenisë dhe angazhimin e saj për zgjerimin e BE-së.

Ademi shprehu keqardhje që jemi akoma përpara dyerve të BE-së dhe shpresoj që negociatat e anëtarësimit do të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur dhe ndërkohë rruga e reformave dhe negociatat me Bullgarinë do të vazhdojnë.

Ambasadori Predan ishte i prerë se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet i lartë në agjendën e Kryesimit Slloven. Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Bërdo në tetor, është në atë drejtim. Ai shpreson se deri atëherë do të merret një pamje e qartë e zgjidhjes së kontestit midis Shkupit dhe Sofjes. "Çështja kryesore nuk është kush ka të drejtë në këtë kontest, por si të arrihet zgjidhja," tha Predan. Në këtë kontekst, shtoi se vullneti politik dhe pragmatizmi janë të nevojshëm nga të dyja palët, se nuk mund të premtojnë mrekulli politike, por mund të japin punë, diplomaci të qetë, duke u mbështetur në të dyja palët për të shuar emocionet sepse nevojitet besimi i ndërsjellë.

Ambasadori slloven i theksoi katër prioritetet kryesore gjatë kryesimit gjashtëmujor të Sllovenisë: Qëndrueshmëria, rimëkëmbja dhe autonomia strategjike e BE-së, duke përfshirë sfidat e pandemisë, sajber sigurinë, rimëkëmbjen ekonomike, tranzicionin e gjelbër dhe transformimin digjital; Konferenca për të Ardhmen e Evropës; Bashkimi në mënyrën evropiane të jetës, sundimi i së drejtës dhe kriteret e barabarta për të gjithë; BE-ja e besueshme dhe e sigurt.

Duke i arsyetuar prioritetet, Predani theksoi se ky rajon dhe vendi ynë, si një vend tranzit për migrantët, është i rëndësishëm për sigurinë e BE-së. Lidhur me pandeminë Kovid, sugjeroi që BE-ja duhet të zvogëlojë varësinë nga produktet e jashtme, të tilla si maskat dhe vaksinat. Ambasadori Predan informoi se ekziston plan për rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e pandemisë, veçanërisht fushat e turizmit dhe kulturës, si viktimat më të mëdha të pandemisë. Ai gjithashtu njoftoi konferenca mbi sajber sigurinë dhe ndryshimet klimatike, si dhe dy debate plenare mbi të ardhmen e Evropës, të cilat do të përfshijnë përfaqësues nga Ballkani Perëndimor si pjesë e së ardhmes së Evropës.

Ambasadori i BE-së, Dejvid Gir, mbajti fjalim, duke shprehur mbështetjen e tij dhe duke theksuar se nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe se për të arritur këtë qëllim, duhet punë e përbashkët për të zgjidhur çështjet e hapura. "Çdo hap në zbatimin e reformave të lidhura me BE-në është hap më pranë Bashkimit Evropian," tha Gir.

Në fjalimin e tij, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, theksoi se Bullgaria është pengesë në rrugën drejt BE-së dhe në këtë drejtim theksoi angazhimin maksimal për zgjidhjen e kontestit dhe se për ne është e rëndësishme që kjo zgjidhje të bazohet në vlerat evropiane dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Konsistenca e BE-së në gjetjen e zgjidhjes që filloi nga Gjermania, pastaj përmes Kryesimit Portugez dhe tani Sllovenia është e rëndësishme. Jemi në zemër të Evropës dhe ky rajon është pjesë që BE-së i mungon - përfundoi Osmani.

Sekretarja shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane, Kalina Gaber, gjithashtu mbajti fjalim para të pranishmëve, duke shprehur kënaqësinë me programin e Kryesimit Slloven, veçanërisht përfshirjen e Ballkanit Perëndimor, sepse është e rëndësishme të dëgjohet zëri dhe perceptimi i këtij rajoni për të ardhmen e Evropës. Ajo theksoi se është përgjegjësi e përbashkët të punohet për tejkalimin e pengesave, por gjithashtu nga vijat e kuqe nuk do të heqin dorë. Përkundër faktit se kemi pritur për në BE një kohë të gjatë, për shkak të së cilës ka zhgënjim tek qytetarët, përsëri si vend mbetemi plotësisht të përkushtuar në rrugën e caktuar. Në atë drejtim, e përfundoi fjalimin e vet me parullën e Kryesimit Slloven: "Së bashku. Me qëndrueshmëri. Evropë".

Click