Aktivitetet

E hënë, 27 dhjetor 2021

DEBAT PUBLIK PËR PROPOZIM-STRATEGJINË PËR BARAZI GJINORE 2021 - 2026

Komisioni për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve i Kuvendit, të premten mbajti Debat Publik me temë: Propozim-strategjia për barazi gjinore 2021 - 2026.

Fjalime hyrëse në debatin publik mbajtën Gordana Siljanovska-Davkova, kryetare e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve; Jagoda Shahpaska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale, dhe Ivona Paunoviq-Bishevac, Zyra e Organizatës së KB-së për Barazi Gjinore dhe Fuqizim të Femrave (UN Women).

Ministrja Shahpaska theksoi se Strategjia për barazi gjinore 2021 - 2026 është dokumenti themelor strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili do të vendos kornizë gjithëpërfshirëse të aktiviteteve për avancimin e barazisë gjinore dhe statusit të femrave. Ky debat publik, sipas saj, është i rëndësishëm për shkak të komenteve dhe reagimeve në pritje të finalizimit të Ligjit për barazi gjinore. Më pas, ajo theksoi se me miratimin e këtij dokumenti, si kornizë e gjerë strategjike që i bashkon të gjitha fushat e veprimit për arritjen e barazisë gjinore, Republika e Maqedonisë së Veriut synon qartë të integrojë perspektivën gjinore në politikat dhe strategjitë, duke luftuar stereotipet dhe dhunën ndaj femrave, avancimin e pozitës së femrave në të gjitha fushat e jetës publike dhe private, në arsim, shëndetësi, bujqësi, qasjen në drejtësi, siguri sociale, mjedis jetësor dhe ndryshime klimatike, sport, kulturë, media, si dhe ndjekjen e situatës me barazinë gjinore nëpërmjet të dhënave relevante dhe indikatorëve.

Ivona Paunoviq-Bishevac theksoi se UN Women mbështet në vazhdimësi avancimin e politikave të barazisë gjinore, dhe veçanërisht në përgatitjen e dokumenteve strategjike, duke filluar me Strategjinë e parë për barazi gjinore 2013-2020 dhe Planet Nacionale të Veprimit, e më pas vlerësimin gjithëpërfshirës të saj që është baza e të dhënave dhe rekomandimeve për përgatitjen e Strategjisë së re. Falë këtij vlerësimi, dokumenti i ri strategjik ofron kornizë më të avancuar bazuar në mësimet e nxjerra nga zbatimi i Strategjisë së mëparshme, si dhe bazohet në qëllimet afatgjata për avancimin e barazisë gjinore.

Svetllana Cvetkovska nga Sektori për Mundësi të Barabarta në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale theksoi se Strategjia për barazi gjinore 2021 - 2026 është dokumenti i katërt strategjik në këtë fushë dhe është dokument strategjik themelor i Republikës së Maqedonisë së Veriut, bazuar në Ligjin për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve. Ajo shpjegoi se struktura e Strategjisë e ndjek kornizën juridike ndërkombëtare dhe vendase, jep pasqyrë të shkurtër të gjendjes me barazinë gjinore dhe identifikon prioritetet sipas fushave.

Kryetarja e Komisionit, Siljanovska-Davkova, rekomandoi që sipas metodologjisë së punës së Propozim-planit për Kuvendin me ndjeshmëri gjinore të përgatitur me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, është e domosdoshme të veprohet në mënyrë të ngjashme gjatë hartimit të planit të veprimit për zbatimin e Strategjisë. Sipas saj, është mirë që kjo përmban shumë të dhëna, shumë informacione, gjithë kornizën normative, por nëse nuk ka lidhje pasojë-shkak, atëherë mund të arrihet shumë pak. Më tej ajo shpjegoi se burimi i problemeve nuk mund të zbulohet në bazë të indikatorëve dhe për të pasur burimin e problemeve dhe për ta tejkaluar atë, duhet të keni pasqyrë reale të gjendjeve. Siljanovska-Davkova në fjalimin e saj theksoi se Strategjia parasheh organ të ri, Sekretariatin për Barazi Gjinore, por sipas saj kjo nuk është zgjidhje e duhur, por deputetet duhet të jenë më ambicioze dhe për të niveli më i ulët i pranuar që mund të jetë është ministre pa portofol për barazi gjinore me kabinet dhe shtoi se për kaq shumë ministri, përfshirë edhe ato të panevojshmet, një ministri e tillë për barazi gjinore do të ishte zgjidhje e mirë.

Në diskutim morën pjesë dhe i ndanë vërejtjet e tyre deputetet Maja Moraçanin dhe Bllagica Llasovska, deputeti Nenad Kociq, si dhe përfaqësueset e organizatave civile: Vaska Mojsovska nga Federata Nacionale e Fermerëve, Neda Çallovska-Dimovska nga We Effect, Valentina Disoska nga Shoqata e Femrave të Biznesit, Marija Savovska nga Aksioni “Zdruzhenska”, Biljana P. Mitrevska nga Federata Nacionale e Fermerëve, Tanja Ivanova nga Reaktor dhe avokatja Biljana Andonova.

Click