Aktivitetet

E mërkurë, 7 korrik 2021

Delegacioni i Kuvendit për vizitë në Sekretariatin e PABSEK-ut në Stamboll

Me ftesë të z.Hasaf Haxhiev, sekretar i përgjithshëm i Sekretariatit të Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEK) me qendër në Stamboll, Republika e Turqisë, Sekretariatin e vizitoi delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Delegacioni përbëhet nga Lidija Tasevska, e emëruar shefe e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në PABSEK dhe Cvetanka Ivanova, sekretare e përgjithshme e Kuvendit.

Gjatë vizitës, delegacioni realizoi takim me z. Haxhiev, në të cilin u përcaktuan aktivitetet dhe nevoja për marrjen e masave nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në favor të anëtarësimit të plotë në PABSEK.

Në takim, z. Haxhiev dha mbështetje të fortë për anëtarësimin tonë në PABSEK. Ai iu referua qëllimeve kryesore të vendeve anëtare të PABSEK-ut siç janë: sigurimi i kushteve për vendet anëtare për bashkëpunim ekonomik, tregtar, social, kulturor dhe politik; ofrimi i ndihmës për parlamentet nacionale në forcimin e demokracisë së tyre parlamentare; promovimi i bashkëpunimit me organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, etj. Për më tepër, z. Haxhiev i konkretizoi masat dhe aktivitetet që KRMV-ja duhet t'i ndërmarrë për një fillim të suksesshëm të anëtarësimit.

Gjatë takimit, Tasevska, e emëruar shefe e Delegacionit të KRMV-së në PABSEK, theksoi se diplomacia parlamentare e nxit besimin e ndërsjellë dhe kontribuon fuqimisht në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore dhe të partneritetit midis vendeve anëtare, si dhe në ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajon. Ajo, gjithashtu, theksoi se si parlamente dhe si deputetë, mund të japin kontribut të madh në forcimin e bashkëpunimit tashmë të vendosur në sistemet ndërkombëtare të sigurisë.

Në diskutimin e saj, Ivanova, sekretare e përgjithshme e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nënvizoi se PABSEK-u padyshim që i jep vlerë të re diplomacisë parlamentare, si faktor i rëndësishëm për forcimin e kohezionit, bashkëpunimit dhe komunikimit midis vendeve në rajon. Ajo tregoi gatishmëri për të finalizuar të gjitha aktivitetet për arritjen e gatishmërisë financiare dhe administrative-teknike të Kuvendit për fillimin e anëtarësimit në janar të vitit 2022. 

Click