Aktivitetet

E hënë, 11 tetor 2021, Lisbonë

Deputetja Arta Bilalli-Zendeli në Sesionin Vjetor të AP-së së NATO-s

Në Sesionin e 67-të Vjetor të AP-së së NATO-s, që nga 8 deri më 11 tetor 2021 po mbahet në Lisbonë, Portugali, merr pjesë shefja e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arta Bilalli-Zendeli.

Ky është sesioni i parë vjetor pas periudhës së pandemisë së koronës, i cili mbahet saktësisht pas dy vitesh, dhe në të cilën periudhë puna e plotë dhe të gjitha aktivitetet e AP-së së NATO-s u realizuan në platformat online. Njëherazi, ky është sesioni dhe ngjarja e parë e AP-së së NATO-s në të cilën merr pjesë shefja e sapozgjedhur e delegacionit parlamentar në AP të NATO-s, si anëtare e Komisionit Politik, si shefe e Delegacionit në Komitetin e Përhershëm, në Grupin Special të Mesdheut dhe në Grupin Politik të Socialistëve në AP të NATO-s.

Në mbledhjen e Komitetit Politik të Parlamentarëve foli Augusto Santos Silva, ministër i Punëve të Jashtme të Portugalisë, i cili e vështroi perspektivën portugeze dhe sfidat kryesore politike dhe të sigurisë së Aleancës, të cilat i klasifikoi në gjashtë porosi politike: roli i paprekshëm dhe i pazëvendësueshëm i Aleancës në aspektin politik dhe ushtarak në nivelin global; menaxhimi i konflikteve dhe bashkëpunimi me organizatat e tjera ndërkombëtare, veçanërisht me BE-në; qartësia në përcaktimin e rreziqeve dhe kërcënimeve, siç është terrorizmi ndërkombëtar; sfidat e reja të sigurisë të shkaktuara nga ndryshimet klimatike; menaxhimi i përparimit të fuqishëm teknologjik; kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, dezinformatat dhe fushatat që synojnë dobësimin e rolit të NATO-s në mendimin publik.

Ai gjithashtu iu referua edhe çështjes aktuale të vaksinimit masiv, duke vënë në dukje se suksesi i vaksinimit në Portugali, i cili ka vaksinuar 85% të popullsisë, është për faktin se së pari, vetë operacioni iu caktua udhëheqjes së nënadmiralit nga ushtria portugeze e cila gëzon respekt të madh shoqëror, gjatë së cilës forcat e ushtrisë u mobilizuan për të arritur tek çdo qytetar dhe në çdo vend në Portugali për të vaksinuar qytetarët. Së dyti, ky proces u mbështet fuqishëm nga opozita, lideri i së cilës në Parlament në fillim të luftës me Kovid-19 theksoi se "vaksinimi nuk do të pengohet kurrë nga opozita dhe në këtë luftë jemi fuqishëm prapa Qeverisë".

Benedeta Berti, shefe e Departamentit të Planifikimit Strategjik të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm të Parlamentarëve, mbajti fjalim për revidimin e Konceptit Strategjik të NATO-s. Koncepti Strategjik i NATO-s revidohet çdo 10 vjet, për shkak të ndryshimit të situatës në sferën e sigurisë, kur vendet anëtare të NATO-s i ripërcaktojnë fokuset strategjike dhe u japin përparësi hapave të ardhshëm të veprimit, që synojnë riafirmimin e unitetit transatlantik.

Komiteti i Përhershëm përbëhet vetëm nga shefat e delegacioneve të vendeve anëtare të NATO-s, anëtarët e Byrosë dhe kryetarët e komiteteve, u diskutua lista e propozim-raporteve dhe propozim-rezolutave për vitin 2022, dhe u shqyrtua edhe Propozim-buxheti për vitin e ardhshëm. Theks i veçantë iu kushtua kontributit të AP-së së NATO-s në Samitin e ardhshëm të NATO-s dhe Reflektimin "NATO 2030". Një pikë e veçantë iu kushtua Afganistanit - mësimet e nxjerra nga angazhimi i NATO-s dhe hapat e ardhshëm në marrëdhëniet NATO - Afganistan dhe qeveria e re talebane. Diskutimet mbi këto çështje janë të domosdoshme për vetë organizatën dhe për dimensionin e saj parlamentar, pasi "fokusin e sërishëm në parimet dhe themelet fondamentale demokratike" e imponojnë sfidat aktuale të sigurisë dhe kërcënimet hibride.

Raporti mbi aktivitetet e vitit 2021 dhe prioritetet e ardhshme të AP-së së NATO-s, të paraqitur nga Sekretarja e Përgjithshme, u përqëndruan në nëntë prioritetet e NATO-s 2030, të miratuara në Samitin e Brukselit të NATO-s dhe korrelacionin e tyre me punën e AP-së së NATO-s, të shndërruar në raporte dhe rezoluta të Asamblesë: forcimi i lidhjes transatlantike, përballja me ndikimin shumështresor rus, monitorimi i modernizimit të ushtrisë kineze, forcimi i rezistencës shoqërore dhe investimi i vazhdueshëm në kapacitetet mbrojtëse.

Për herë të parë këtë vit, Komiteti i Përhershëm vendosi Çmimin "Gratë për Paqe dhe Siguri", i cili iu dha Nensi Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-së, për meritat dhe arritjet e saj si ish-anëtare shumëvjeçare e AP-së së NATO-s dhe anëtare e Komisioneve të Sigurisë në Kongres.

Presidenti portugez, Marselo Rebelo da Sousa, foli në sesionin plenar; Kryeministri portugez, Antonio Kosta; Kryetari i Parlamentit portugez, Edurado Fero Rodrigez; Kryetari i AP-së së NATO-s, Xherald Konoli; si dhe Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Fjalimi i Jens Stoltenbergut, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, mbuloi disa sfida aktuale: Afganistanin, kontrollin e armëve dhe teknologjitë e reja, ndikimin e Rusisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, zhvillimin e pandalshëm të Kinës që sjell shumë mundësi, por edhe rreziqe. Secila prej këtyre sfidave kërkon trajtim të përshtatshëm, si nga dimensioni parlamentar i NATO-s, ashtu edhe nga qeveritë nacionale, veçanërisht përmes qasjes së disiplinuar për të ofruar mbështetje financiare të parashikuar për aktivitetet operative të NATO-s. Stoltenbergu e theksoi rëndësinë e unitetit midis aleatëve, investimin në teknologji të reja, vëmendjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe luftën e mëtejshme kundër terrorizmit. E konsideron forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve NATO - BE si vendimtare në kontekstin e revidimit të Konceptit Strategjik të NATO-s 2030, i cili synon të riafirmojë marrëdhëniet transatlantike dhe vlerat themelore të NATO-s: demokracinë, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Përveç punës së zakonshme të përgatitjes dhe debatimit të raporteve, AP-ja e NATO-s i kushton vëmendje të madhe debatit spontan dhe dinamik të parlamentarëve për të diskutuar sfidat aktuale të sigurisë. Për këtë qëllim, komiteteve u drejtohen personalitete të shquara në fushën e sigurisë, të tilla si funksionarë të lartë aktualë të NATO-s ose kryeministra dhe ministra të Mbrojtjes aktualë dhe të mëparshëm. Në këtë sesion, për tema të caktuara, fjalime kishin: për Afganistanin - Xhon Manza, ndihmëssekretar i përgjithshëm i NATO-s; mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në sigurinë dhe rezistencën e Aleancës dhe në inteligjencën artificiale dhe etikën - David van Vill, ndihmëssekretar i përgjithshëm i NATO-s për rritjen e sfidave të sigurisë dhe mësimet e nxjerra nga pandemia me Kovid-19 - Zhoze Manuel Barozo, ish-kryeministër portugez dhe ish-kryetar i Komisionit Evropian; mbi programin bërthamor të Iranit - gjenerali Jurgen Brotz, zëvendëssekretar i përgjithshëm për operacionet e zbulimit. Të gjitha diskutimet, fjalimet dhe ndërhyrjet e shkurtra, në përgjithësi, synonin sfidat moderne të sigurisë dhe teknologjisë me të cilat përballet Aleanca, luftën afatgjatë kundër terrorizmit, pandeminë me Kovid-19 dhe mësimet e nxjerra, Afganistanin dhe ndikimin e tij global, propagandën armiqësore dhe luftat hibride, ndikimin e Rusisë në politikën ndërkombëtare, por edhe në aspektet humanitare të misioneve ushtarake. Investimi në paqe në Lindjen e Mesme dhe Mesdheun mbetet imperativ në aktivitetet e ardhshme të AP-së së NATO-s dhe Aleancës në tërësi, si dhe ndryshimet klimatike si sfidë për sigurinë.

Gjatë sesionit, Bilalli-Zendeli u takua me nënkryetarët e AP-së së NATO-s, të cilët janë gjithashtu edhe shefa dhe zëvendësshefa të delegacioneve turke, hungareze dhe shqiptare (Osman Ashkin Bak, Atila Mesterhazi dhe Mimi Kodheli), si dhe me shefat e delegacionit serb dhe malazez (Dragan Shormaz dhe Danillo Sharanoviq), ku shkëmbyen informacione të dobishme mbi sfidat aktuale të sigurisë në rajon dhe Evropë, si dhe mbi rolin e shteteve dhe parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s në krijimin e paqes dhe stabilitetit global. Bisedimet me Sonja Krimi, parlamentare franceze dhe kryetare e Grupit Special të Mesdheut, shkëmbyen mendime mbi politikën ndërkombëtare, sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në Mesdhe, gjendjen e integrimit të refugjatëve afganë në vendet anëtare të NATO-s dhe perspektivat e sigurisë transatlantike.

AP-ja e NATO-s është asamble parlamentare multilaterale e themeluar në vitin 1955 si asamble konsultative e NATO-s dhe bashkon 269 parlamentarë nga 30 vendet anëtare të NATO-s, 11 delegacione asociative, 4 partnerë rajonalë dhe mesdhetarë dhe 8 delegacione me status vëzhgues (përfshirë dhe AP-në e OSBE-së dhe AP-në e KE-së), si dhe delegacionin e veçantë nga Parlamenti Evropian, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 360 parlamentarë. Asambleja vendos lidhje vendimtare midis NATO-s dhe parlamenteve të vendeve të NATO-s, siguron transparencë më të madhe në politikat e NATO-s dhe kontribuon në forcimin e vlerave transatlantike të Aleancës.

Click