Aktivitetet

E hënë, 28 Qershor 2021, Bruksel  

Fjalim para anëtarëve të Komitetit për Punë të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian

I nderuar kryesues i Komitetit Dejvid Mekalister, 
Të nderuar eurodeputetë,  
Të nderuar të pranishëm, 
Më lejoni që në fillim të shpreh kënaqësinë time për mbajtjen e këtij takimi, në të cilin do të mund të shkëmbejmë mendime rreth progresit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në fushën e eurointegrimeve. Bashkëpunimi ynë i deritanishëm me Parlamentin Evropian, i cili mbahet në vazhdimësi me intensitet të pareduktuar në më shumë baza, vetëm e konfirmon gatishmërinë e deputetëve të dy parlamenteve për dialog, shkëmbim mendimesh dhe mbështetje të proceseve tona reformuese. Që nga fillimi i këtij viti, edhe krahas pandemisë, një pjesë e kolegëve deputetë të sapozgjedhur kanë pasur takime virtuale me eurodeputetët që punojnë drejtpërdrejt në dosjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa koleget deputete që punojnë për barazinë gjinore kanë realizuar takime me koleget e ngarkuara për programin Simone Veil. Gjithashtu, në mënyrë virtuale u mbajt edhe takimi i 18-të i Komitetit të Përzier Parlamentar, ndërsa për vizitë në vend ishin edhe eurodeputetët Ilhan Quçuk dhe Andreas Shider. Më 12 maj u mbajt takim virtual i Dialogut Zhan Mone, në të cilin edhe një herë u shpreh angazhimi i përbashkët për ndërtimin e besimit midis faktorëve politikë aktualë parlamentarë, përforcimi i kulturës demokratike dhe përmirësimi i kapaciteteve të Kuvendit, me qëllim të miratimit të versionit të konsoliduar të Rregullores. Ajo duhet të mundësojë funksionimin e papenguar dhe të përmirësuar të punës parlamentare, që është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

 

Mbështetja juaj për rezultatet e arritura dhe sugjerimet për fushat ku nevojitet progres plotësues të theksuara në Rezolutën të cilën si Parlament e miratoni çdo vit, për ne, së bashku me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian dhe Konkluzionet e Këshillit Evropian, paraqesin bazë për të vazhduar me përpjekjet tona reformuese për plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësim në BE. 

Të nderuar eurodeputetë, 

Republika e Maqedonisë së Veriut në dekadën e kaluar u gjend në një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme, në plan të brendshëm dhe të jashtëm. Në lidhje me eurointegrimet, vendi arriti progres mbresëlënës në fushat prioritare, i cili ka ndryshuar rrënjësisht sektorë të caktuar në shoqërinë tonë dhe ka përmirësuar dukshëm marrëdhëniet me fqinjët për tejkalimin e çështjeve të hapura. Zgjidhja e tyre kërkonte diplomaci, qetësi dhe lëshime që u përshëndetën nga të gjithë miqtë tanë strategjikë në Bashkimin Evropian dhe SHBA. Ai përkushtim kontribuoi për marrjen e dritës së gjelbër nga Këshilli i Bashkimit Evropian për fillimin e negociatave për anëtarësim. Fatkeqësisht, në vend të negociatave tani po përballemi me ngecje për shkak të disa kërkesave bilaterale. Qëndrimi ynë është që korniza kontraktuese me Republikën e Bullgarisë ofron bazë të përshtatshme për bashkëpunim të mëtejshëm dhe ne jemi të gatshëm për tejkalimin e situatës në pajtim me standardet ndërkombëtare.

Njëkohësisht, dua të theksoj se këto ndodhi nuk duhet të kenë ndikim në hapjen e negociatave për anëtarësim. Nëse jemi të perceptuar si rajon që prodhon më shumë histori se sa mund ta konsumojë, nuk guxojmë të lejojmë që ajo histori ta gëlltisë të ardhmen e gjeneratave të reja për të cilat postulatet jetësore kryesore bazohen në ekonomi të zhvilluar, më shumë vende pune, teknologji digjitale, mjedis të shëndoshë jetësor, arsim dhe inovacione, qarkullim i lirë i personave, kapitalit dhe shërbimeve. Kemi investuar shumë sakrificë, kohë, energji dhe pikë politike që ta përmbushim atë që kemi premtuar, jo vetëm për shkak të kërkesave të institucioneve evropiane, por edhe për faktin se procesi i zgjerimit u dëshmua se është nxitës i reformave në të gjitha poret e shoqërisë sonë. 

Çdo anulim i ardhshëm do të ndikojë seriozisht në situatën politike dhe ekonomike në vendin tonë, por edhe do të ketë ndikim të vet edhe në vendet e tjera të rajonit që ndajnë çështje të hapura të njëjta ose të ngjashme me fqinjët e tyre. Andaj, konsideroj se sa më të shpejtë duhet të caktohet datë për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare, me të cilën do ta shënojmë startin formal të negociatave për Republikën e Maqedonisë së Veriut. 

Ju falem nderit për vëmendjen.  

Click