Aktivitetet

E martë, 21 dhjetor 2021

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së arsimit në gjuhën turke në Republikën e Maqedonisë së Veriut   

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Madh Nacional të Republikës së Turqisë, z. Shentop,
Të nderuar anëtarë të Delegacionit, 
E nderuar ministre e Arsimit, znj. Carovska,
I nderuar kryetar i MATUSITEBit, z.  Emin,
I nderuar nënkryetar i TIKAs, z.  Çevik,
E nderuar Shkëlqesi z. Sekizqok,
Të  nderuar mysafirë,

Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, kam mundësinë tani më tradicionalisht për këtë festë të bukur, të përshëndes Kryetarin lartë të respektuar të Kuvendit të Madh Nacional të Republikës së Turqisë, z. Mustafa Shentop dhe anëtarët e nderuar të delegacionit, dhe tu uroj mirëseardhje të përzemërt në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ajo që sot bashkë e shënojmë 21 Dhjetorin, Ditën e arsimit në gjuhën turke në Republikën e Maqedonisë së Veriut është shenjë se  marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve tona kultivohen gjatë dhe me sinqeritet, në frymën e respektit të ndërsjellë, mirëkuptimit, partneritetit dhe bashkëpunimit aktiv në fushat e shumta me interes të ndërsjellë. Prandaj, më lejoni të shfrytëzoj këtë rast dhe Juve koleg i dashur, të gjtihë të pranishmëve këtu në sallë, mirëpo edhe të gjithë bashkëqytetarëve tanë, pjesëtarë të komunitetit turk në vend, t’ju uroj këtë festë me të cilën edhe në mënyrë institucionale, edhe si qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shprehim respekt ndaj kulturës, identitetit dhe veçantisë së komunitetit turk, i cili është pjesë e pandashme e indit shoqëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo është festë e cila nderohet me theks të veçantë në arsimin, krijimtarinë dhe kultivimin e gjuhës turke, që është ushqimi më i mirë për shpirtin dhe mendjen e një populli, sepse në një vend në të cilin jetojnë pjesëtarë të më shumë bashkësive të ndryshme etnike, thelbësor është mundësimi i krijimtarisë, funksionimit dhe përdorimit të gjuhës amtare të çdo komuniteti, që të vendosen marrëdhënie të respektit të sinqertë, të besimit dhe besnikërisë ndaj shtetit, mirëpo, edhe të kontribuohet në njohjen më të mirë të dallimeve që na bëjnë unikë. 

Të nderuar të pranishëm,

Pa dyshim se gjuha turke, kultura dhe zakonet janë aq të familjarizuara dhe janë pjesë e të gjitha kulturave, zakoneve dhe gjuhëve që ekzistojnë dhe janë aktive në vendin tonë, aq sa nuk i ndjejmë as të largëta as të panjohura, por ato vetëm e pasurojnë fotografinë akoma më shumë.  Pa dallim nga ajo se sa është e madhe apo e vogël ajo copë e mozaikut, le të jetë edhe copa më e vogël, përsëri është e rëndësishme sepse nëse nuk ekzistonte, fotografia nuk do të ishte e kompletuar. A Republika e Maqedonisë së Veriut, është vend i pasur me shumicë të kulturave, gjuhëve, religjioneve dhe të gjitha elementeve tjera shoqëruese që paraqesin identitetin dhe veçantinë e çdo komuniteti veçmas dhe janë shenja e tij mbrojtëse, ndërsa praktikimi i të njëjtave, gëzimi i atyre të drejtave dhe lirive me gjithë bukurinë e tyre bashkë, është treguesi më autentik për shkallën e pjekurisë demokratike të shoqërisë, të ndërgjegjes civile lartë të ndërtuar, dhe ajo që është më e rëndësishmja, respektimit konsekuent të të drejtave dhe lirive universale të njeriut, të pranuara dhe ratifikuara në nivelin global.  

Si Kryetar i dhomës ligjvënëse të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dëshiroj të potencoj diçka që e kam thënë shumë herë deri tani, dhe kjo është se jam përkushtuar pa rezervë ndaj diplomacisë parlamentare, ndaj vendosjes së marrëdhënieve parlamentare dhe bashkëpunimit aty ku nuk ka, ndaj jetësimit atje ku janë vendosur por nuk kanë ndonjë intensitet të konsiderueshëm dhe ndaj thellimit dhe ngritjes në nivel akoma më të lartë aty ku ato raporte dhe bashkëpunim janë në nivel të shkëlqyer, siç janë, do të them me siguri të madhe, ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Madh Nacional të Republikës së Turqisë. Bashkëpunimi, krahas me atë në nivelin bilateral, zhvillohet edhe në nivelin multilateral, në kuadër të asambleve parlamentare ndërkombëtare ku janë anëtare të dyja dhomat ligjvënëse dhe ku Delegacionet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut rregullisht i mbështesin kandidimet e deputetëve turk për anëtarë të trupave ekzekutivë të këtyre asambleve.   Partneriteti jonë, krahas në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, tani është zgjeruar edhe me anëtarësimin tonë në NATO dhe në PABSEK, ku bashkë kontribuojmë në ndërtimin e paqes dhe mirëqenies në botë.

Shënimi i sotëm i përbashkët me kolegun e nderuar nga Turqia është edhe një konfirmim i dëshirës së ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe vizitave të ndërsjella në nivelin më të lartë shtetëror, të bindur se ato do të rezultojnë me lehtësime pozitive dhe të dobishme të zhvillimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe cilitdo bashkëpunim tjetër ndërmjet dy shteteve tona, me ç’rast, me kënaqësi do të konstatoj se për marrëdhëniet miqësore dhe familjare ndërmjet qytetarëve të rëndomtë të të dy vendeve nuk duhet të shtohet asgjë, gjegjësisht, marrëdhëniet janë aq të fuqishme, historike, tradicionale dhe të ngrohta, që mund të shërbejnë si shembull për të gjitha shtetet në rajon.

Të nderuar,

Republika e Maqedonisë së Veriut është fuqishëm e përkushtuar ndaj integrimit euroatlantik të vendit në Bashkimin Evropian, pa dallim në pengesat e shumta që shfaqen në atë rrugë. Po ashtu, edhe në promocionin dhe ndarjen e vlerave dhe përgjegjësive të njëjta të NATOs, dhe ne e çmojmë bashkëpunimin e suksesshëm me Republikën e Turqisë në NATO, tani më si dy anëtare të barabarta. Si aleatë në Aleancë, jemi të ndërlidhur me vlerat e njëjta në raport me paqen dhe stabilitetin në rajon, përmes marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal. A mundësitë për mbështetjen e ndërsjellë dhe bashkëpunim janë të pafund, kur bëhet fjalë për miqësi tradicionalisht të sinqerta dhe të mira, të bazuara mbi vlerat e vërteta dhe ura ndërlidhëse e të cilave janë qytetarët e të dyja vendeve. Relacionet e atilla mund të shkojnë vetëm në vijën përpjetë, gjithmonë më të fuqishme dhe kuptohet, në dobi të qytetarëve. Me nocionin mik, mendoj mik edhe në të mirë edhe në të keqe. Dora e shtruar e popullit turk i prek gjithmonë zemrat tona. Këtë e bën edhe në këtë kohë të vështirë të pandemisë kur njerëzimi është drejtuar para rrezikut global shëndetësor dhe ekonomik. Jemi mirënjohës për prezencën tuaj, për bashkëpunimin, mbështetjen dhe ndihmën në çdo segment të qëndrueshmërisë sonë si shtet, shpreh respekt edhe ndaj TIKA-s dhe Fondacionit MAARIF. 

Paçi jetë, shëndet, dhe rroftë përjetshëm miqësia me Republikën e Turqisë! 

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click