Aktivitetet

E martë, 22 qershor 2021, Antali

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi me temën: „Fqinjët në Evropën Juglindore të bashkuar: përforcimi i mekanizmave të bashkëpunimit për ardhmërinë e sigurisë rajonale“

I nderuar Kryetar i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore dhe Kryetar i Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë, z. Mustafa Shentop, 
Të nderuar kryetarë,
Të nderuar përfaqësues të organizatave rajonale dhe ndërkombëtare, 
Të nderuar përfaqësues të mediumeve, 
Zonja dhe zotëri, 
Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të shpreh kënaqësi që sot jemi tubuar këtu në këtë forum të rëndësishëm qëllimi i të cilit është përforcimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet të gjitha vendeve të Evropës Juglindore me ç‘rast, në mënyrë të ndërsjellë ndihmojmë që ky rajon të shndërrohet në rajon të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit përmes integrimit të tërësishëm në strukturat evropiane dhe euroatlantike. 

Të nderuar kolegë, 
Sinqerisht, nuk besoj se dikush mund të kishte supozuar se para çfarë të keqes së përbashkët do të drejtohet bota në dy vitet e kaluara. E kishim doemos të përshtatemi dhe të ngrihemi përsëri, vetëm se kësaj radhe më të pasur për një përvojë, të mësuar nga situatat e përditshme të pamundura të cilat godisnin fuqishëm mbi segmentet tona shëndetësore, ekonomike dhe të gjitha tjerat të ndërlidhura me këto dy shtylla jashtëzakonisht të rëndësishme. U bashkuam dhe e konfirmuam fuqishëm arsyeshmërinë e nismave të përbashkëta si kjo në të cilën kemi mundësi të ndajmë, këmbejmë, të nxjerrim praktikat më të mira përmes mbajtjes së dialogut politik dhe ndërtimit të strategjive të përbashkëta për zgjidhjen e çështjeve rajonale dhe globale me bashkëpunim ndërkombëtar dhe koordinim në të gjitha nivelet, ndërsa bashkëpunimi parlamentar paraqet mundësi të shkëlqyer për bashkëpunimin e atillë që mbështetet mbi shtyllat e pronësisë rajonale, inkluzionit dhe respektit të ndërsjellë dhe këtu, jam i bindur se nëpërmjet këmbimit të ndërsjellë të mendimeve dhe dialogut konstruktiv për zgjidhjen e krizës me pandeminë, të gjithë bashkë do të vijmë deri te menaxhimi i suksesshëm i pasojave dhe ndikimeve negative.  

 

Të nderuar kolegë,
Jemi të vetëdijshëm se stabiliteti i rajonit, siguria e kufijve, jocenueshmëria e integritetit njerëzor dhe territorial janë nën kanosje të vazhdueshme. Është obligimi ynë të kujdesemi edhe për migracionet e përziera që janë përgjegjësi e përbashkët. Ato nuk janë problem vetëm i një shteti, por ndërgjegjja dhe përgjegjësia e të gjithë neve që kemi mundësi dhe fuqi të parandalojmë, zbusim ose ndihmojmë në përpjekjet për tejkalimin e sfidave ekzistuese. Është obligimi ynë të kujdesemi që qytetarët tanë të jetojnë në paqe dhe mirëqenie. Të mundësojmë lëvizje të lirë, punë, qasje në arsim cilësor, qasje në shërbime shëndetësore a në rastin konkret me krizën e pandemisë, dispozicion të pajisjes së domosdoshme mjekësore, të vaksinave cilësore dhe kuptohet, gjetjen e mënyrave për njohjen e ndërsjellë të certifikatave të vaksinave, me qëllim të lehtësimit të udhëtimeve ndërkombëtare dhe turizmit. Me prioritet është që në asnjë çast mos rrezikohet e drejta në lëvizje të lirë dhe të sigurt, mbrojtja e shëndetit publik dhe kolektiv. Prandaj është me rëndësi të ruhet vazhdimësia në prioritetet e nënvizuara nga asambletë parlamentare të Procesit, respektivisht: angazhim maksimal në drejtim të zhvillimit të papenguar të transportit përmes korridoreve të gjelbra, hapje e sigurt e kufijve dhe udhëtim i lirshëm i qytetarëve, përmirësim i infrastrukturës rajonale, përforcim i tregtisë së brendshme dhe të jashtme dhe ndihmë e sektorit turistik, këmbim i praktikave më të mira, zgjidhje të përbashkëta për mbajtjen e kuadrove të rinj në rajon dhe mundësim i arsimit më të mirë. Ne nuk guxojmë në asnjë  çast të heqim dorë, sepse alternativë tjetër nuk ka, bashkëpunimi i sinqertë, dialogu i hapur, zgjidhja e arsyeshme e kontesteve me zgjidhje të pranueshme të ndërsjella me ç’rast, evitim të hapjes së çështjeve kontestuese plotësuese, duhet dhe doemos të jetë rruga e vetme. Kjo është rruga që jep rezultate, për çka është provë edhe Republika e Maqedonisë së Veriut e cila kaloi nëpër një kontest shumëvjeçar i cili dha rezultat pozitiv vetëm atëherë kur të dyja palët u ulën në tryezën e përbashkët me qëllime transparente dhe të sinqerta. Unë shpresoj se së shpejti do të mbahet edhe konferenca e parë ndërqeveritare e Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian që praktikisht do të shënojë fillimin e negociatave tona për aderim në familjen evropiane. Prandaj është i rëndësishëm zotimi për zgjerimin e BE-së dhe procesit të integrimit euroatlantik të rajonit dhe rëndësia  e zgjerimit të procesit të aderimit, sepse ardhmëria e përbashkët e të gjitha ekonomive të Evropës Juglindore është në Bashkimin Evropian. Më lejoni të konfirmoj edhe mbështetjen tonë të padyshimtë të Strategjisë për Evropën Juglindore 2030 të jetë zotim rajonal për avancimin e zbatimit të Qëllimeve të Kombeve të Bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm dhe Agjendën 2030 dhe mbështetjen tonë për themelimin e Sekretariatit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore pa prolongim të mëtejshëm.

Të dashur miq,
Më lejoni të falënderoj kolegun Shentop dhe sekretariatin për organizimin e shkëlqyer dhe shpresoj se e njëjta do të rrumbullakohet me miratimin e Deklaratës së përbashkët.

Ju faleminderit për vëmendjen! 

DEKLARATA PËRFUNDIMTARE

Click