Aktivitetet

E premte, 17 dhjetor 2021, Amfiteatri i Rektoratit, Tetovë  

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Akademinë solemne me rastin e Shënimit të 27 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës

I nderuar rektor i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qaili,
Të nderuar mysafirë,

Zonja dhe zotëri

Më lejoni që në fillim të fjalës sime të përshëndes në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të gjithë Ju të pranishmit në këtë Akademi solemne me të cilën shënohet përvjetori i 27-të i themelimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, dhe të uroj kremtimin e edhe shumë jubileve tjera të ardhshme, gjithnjë më të suksesshme dhe më të frytshme. Edhe sivjet, jemi të drejtuar para rrezikut shëndetësor nga pandemia me KOVID-19 që do të thotë se akoma vazhdohet me kushtet e jashtëzakonshme të funksionimit të Universitetit dhe të zhvillimit të jetës studentore për çka ndjej keqardhje të sinqertë por, besoj dhe ju mbështes fuqimisht, edhe stafin e nderuar  akademik, edhe qytetarët e ardhshëm akademikë - studentët e dashur që të  përkushtoheni me gjithë vullnetin, seriozitetin dhe përgjegjësinë më të lartë, të vetëdijshëm se i gjithë mundi, angazhimi, ditët dhe netët e kaluara në përpilimin e orës mësimore, në përvetësimin e njohurive të reja, zbulimin e arritjeve të reja shkencore, janë investim në një ardhmëri më të mirë, më të sigurt dhe gjithsesi sfidë e cila do ju përgatisë të ballafaqoheni me jetën, ti tejkaloni vështirësitë dhe t'ua ndërroni kahun, duke i kthyer në dobi dhe përparësi për mirëqenien e përgjithshme.

Të nderuar,

Tetova, qyteti universitar me potencialin aq të madh studentor ku energjia, vullneti, vizioni dhe dëshira e zjarrtë për të investuar në përkryerjen intelektuale personale ndjehet në çdo kënd, nuk guxon të zhvendoset kurrë nga fokusi i ligjëruesve, i politikëbërësve dhe vetadministrimit lokal. Të gjithë ne që në cilindo aspekt kemi ndikim në përgatitjen arsimore dhe profesionale të këtyre fidanëve të ri, duhet të bëjmë maksimumin në fushëveprimin tonë, për të mundësuar që kjo energji rinore, të kanalizohet, të orientohet dhe të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë të mundshme, për të mirën e studentëve, të mjedisit lokal, por edhe qendror. Të kontribuojmë që të duan të mbesin këtu, në vendlindje, këtu të shohin shpresën  dhe perspektivën për përmbushjen e aspiratave profesionale por mbi të gjitha, familjare dhe jam i bindur se suksesi i tyre do të jetë shpërblimi më i madh për të gjithë ne.

Të nderuar të pranishëm,

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të jetë vendi që do i mbajë vazhdimisht dyert hapur për çdo kontribut konstruktiv dhe do i bëjë gjitha përpjekjet për të nxjerrë zgjidhje ligjore më të mira në fushën e arsimit për studentët tanë, dhe universitetet vendorë, që të kapin hapin e njëjtë me universitetet botërore, duke mbajtur llogari që pavarësia financiare dhe kadrovike e universiteteve të jetë udhërrëfyesi kryesor për ruajtjen e autonomisë universitare. Kështu, nuk kam dyshim se Universiteti Shtetëror i Tetovës, stafi i tij akademik, do të vazhdojnë të prodhojnë vlera dhe rezultate që do e pozicionojnë këtë tempull të diturisë në piedestalin e lartë të botës akademike.

Të nderuar, urime, dhe takohemi në kremtimet e përvjetorëve dhe sukseseve të ardhshëm të Universitetit të Tetovës.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click