Aktivitetet

E enjte, 9 dhjetor 2021

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit

I nderuar President i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Stevo Pendarovski,
I nderuar zëvendëskryetar i Qeverisë i ngarkuar për luftë kundër korrupsionit dhe kriminalit, z. Ljupço Nikollovski,
Të nderuar përfaqësues të organizatave ndërkombëtare,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit lokal,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare kundër korrupsionit,
Zonja dhe zotëri,

Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të përshëndes këtë eveniment të sotëm me të cilin shënohet 9 Dhjetori - Dita ndërkombëtare e luftës kundër korrupsionit. Ajo që jemi tubuar sot të gjithë bashkë këtu është tregues i qartë se të gjithë kemi dhe jemi në të njëjtin qëndrim dhe ai është se, lufta kundër korrupsionit është qëllimi i cili na bashkon dhe rreth të cilit doemos duhet ti bëjmë të gjitha përpjekjet tona që ti njohim, ti parandalojmë dhe zgjidhim dukuritë e korrupsionit në çdo pore të shoqërisë sonë, në çdo segment më të vogël të aparatit shtetëror, duke bërë reformat e domosdoshme sistemore, gjithëpërfshirëse dhe pa kompromise. Dhe kjo ditë është vetëm edhe një rikujtues për të drejtat, mirëpo para së gjithash, mbi përgjegjësitë e të gjithëve, respektivisht, shteteve, nëpunësve shtetërorë, nëpunësve që e zbatojnë ligjin, përfaqësuesve të mediumeve, sektorit privat, shoqërisë civile, bashkësisë akademike, publikut dhe të rinjve në luftën kundër korrupsionit. Dhe nuk duhet vetëm aparati shtetëror të bashkohet  dhe të ballafaqohet me këtë, do të them lirshëm, problem global, por çdo person, çdo individ, i ri apo i moshuar, secili ka rol të parandalojë dhe të kundërshtojë korrupsionin, me promovimin e qëndrueshmërisë dhe integritetit në të gjitha nivelet e shoqërisë, sepse kjo është përgjegjësi e përbashkët për një të nesërme më të mirë për gjeneratat e ardhshme.

Për të arritur këtë, doemos të vendosim politika, sistem dhe masa që secili të mund të ndihet i sigurt të flasë publikisht dhen zëshëm kur do i thotë jo korrupsionit i cili çuditërisht arrin të gjejë truall pjellor në çdo sferë të shoqërisë, duke shkaktuar gjatë kësaj dëm që nuk kompensohet ndaj zhvillimit të qëndrueshëm të pritur dhe ndaj përparimit të vendit, duke i keqpërdorur resurset e vlefshme që janë të domosdoshme për sigurimin e kushteve standarde të jetës për të gjithë qytetarët tanë dhe për sigurimin e qasjes më të gjerë në shërbimet elementare siç janë mbrojtja shëndetësore dhe arsimimi, pa i anashkaluar gjatë kësaj edhe përpjekjet për sigurimin e një ambienti të pastër jetësor, arritjen e barazisë gjinore dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Veprimi i pahijshëm dhe jokorrekt me resurset publike është veçanërisht i dëmshëm në këtë kohë kur ato janë më se të duhura për tu përgjigjur dhe për tu rikuperuar nga kriza e pandemisë me KOVID - 19.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si institucioni më i lartë ligjvënës në të cilin nxirren ligjet që janë baza për veprimin e papenguar dhe efikas të aparatit shtetëror në nivelin qendror dhe lokal, në periudhën e kaluar, siç e keni besoj të njohur të gjithë ju që jeni të pranishëm këtu, duhej të përshtatet dhe të funksionojë në kushte të krizës globale të pandemisë, me të gjitha elementet e saj restriktive, me kufizimet me Rregullore, e gjithsesi, zgjedhjet e parakohshme parlamentare, mandej këtë vit, më saktë në tetor, zgjedhjet lokale, shkaktuan diskurs politik jokonzistent i cili nuk mundësonte që dhoma ligjvënëse të rezultojë pozitivisht dhe me kapacitet të plotë. Prapëseprapë, në fillim të vitit, më saktë më 18 prill 2021, në seancë plenare, pas një debati të hollësishëm në Komisionin amë të Sistemit Politik të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Strategjia e parashtruar nacionale për parandalimin e korrupsionit  dhe konfliktit të interesave 2021-2025 e Komisionit Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit, u miratua me konkludim me të cilin i sugjerohet Komisionit Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit që gjatë zbatimit të masave të përcaktuara me Strategjinë nacionale, ti ketë parasysh vërejtjet që i përmban Mendimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe vërejtjet që i kanë dhënë deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Duke e pasur parasysh mënyrën e përpilimit të strategjisë, spektrin e gjerë të profesionistëve të inkuadruar të fushës, mirëpo edhe palët e interesuara të kyçura në përpilimin e saj dhe transparenca gjatë gjithë procesit, jam i bindur se Plani aksional që është produkt i strategjisë do të jetë një udhërrëfyes i shkëlqyer për të gjitha institucionet. Krahas kësaj, Kontrolli kundër korrupsionit i legjislacionit, si një mekanizëm kryesor parandalues kundër korrupsionit dhe kompetencë e re e Komisionit Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit, e përcaktuar me Ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave, do të kontribuojë në parandalimin në kohë të të gjitha pikave eventuale të dobëta dhe rrezikut nga korrupsioni dhe konflikti i interesave në normat juridike. Natyrisht, do të këmbëngulim që ligjet që sipas Planit për luftë kundër korrupsionit duhet të miratohen në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, me qëllim të realizimit të masave dhe politikave të parashikuara në të, ti miratojmë në afatin më të shkurtër të mundshëm. Konkretisht, bëhet fjalë për ligje në pjesën e reformës digjitale, gjegjësisht, harmonizimin e legjislacionit në fushën e digjitalizimit, ligje në fushën e nëpunësve administrativë dhe të punësuarve në sektorin publik, në fushën e këshillave drejtues dhe mbikëqyrës, mandej Propozim ligji për ndryshimin e Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit i cili është propozim i organizatave joqeveritare të cilat sugjerojnë në përkufizimin e pamjaftueshëm të nocioneve, me çka vështirësohet procedimi gjatë zbatimit të ligjit. Kur jam te nxjerrja e ligjeve, e di, siç e dini edhe ju, se nxjerrja e numrit të madh të ligjeve me procedurë të shkurtuar, pa arsyetim përkatës të arsyes është problem për të cilin është i domosdoshëm përcaktim me rregullore i përkufizimit të ndërlikueshmërisë dhe vëllimit të ndonjë propozim ligji, mirëpo, tejkalimi është i ndërlidhur me ndryshime të domosdoshme në Rregulloren e punës të Kuvendit, që është proces në kuadër të Dialogut Zhan Mone ndaj të cilit në periudhën e kaluar, edhe krahas vullnetit të shprehur të pushtetit dhe opozitës, si duket akoma nuk mundemi ti përkushtohemi me kapacitetin e plotë.

Zonja dhe zotëri,

Kuvendi, si edhe deri tani, do të vazhdojë me punën transparente dhe konstruktive, me kultivimin e kulturës së dialogut ndërpartiak, sepse vetëm kështu, bashkë, do të mund të luftojmë kundër korrupsionit dhe të kemi institucione efektive, të përgjegjshme dhe transparente, të drejta dhe me integritet. Shprehim mbështetje pa rezervë ndaj Qeverisë, më konkretisht ndaj zëvendëskryetarit të Qeverisë të ngarkuar për luftë kundër korrupsionit dhe kriminalit, të zhvillimit të qëndrueshëm dhe resurseve njerëzore dhe ekipit të tij, ndaj Komisionit Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit dhe ndaj të gjitha institucioneve vendore kundër korrupsionit, konkretisht, me vënien e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në dispozicion, me gjithë kapacitetin dhe kompetencat e veta, në radhët e para të frontit të përbashkët për luftë kundër korrupsionit dhe kriminalit.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click