Aktivitetet

E mërkurë, 8 shtator 2021

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Konferencën e pestë botërore të kryetarëve të parlamenteve 

(Paneli:"Masat urgjente të imponuara nga Qeveritë gjithmonë doemos tu nënshtrohen aprovimit parlamentar dhe shqyrtimit të rregullt")

Të nderuar folës hyrës,
Të nderuar kolegë, kryetarë të parlamenteve, 
Zonja dhe zotëri, 
Kam nderin t'ju përshëndes të gjithëve të pranishëm këtu në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, dhe të arsyetoj këndvështrimin tim në drejtim të elaborimeve hyrëse të kolegëve të nderuar për masat urgjente të imponuara nga qeveritë dhe domosdoshmëria e nënshtrimit të tyre në aprovimin parlamentar dhe shqyrtimin e rregullt. Jetojmë në kushte me të vërtetë të jashtëzakonshme dhe sfida të përditshme të cilat dallojnë sipas natyrës, vështirësisë, papritshmërisë dhe aftësisë për përhapje, derdhje dhe ndikim mbi mënyrën e jetës dhe funksionimit të grupeve më të vogla apo më të mëdha të qytetarëve të botës, ose po, kanë fuqi jashtëzakonisht të madhe shkatërruese mbi gjithë botën. Ajo që nuk dimë se çka na pret në çdo çast të ardhshëm, nuk do të thotë se nuk duhet të jemi të përgatitur të reagojmë dhe të japim përgjigjen përkatëse. Edhe pse, rreziqet, sfidat, sado që të priten, nuk mund të dihen deri në hollësi, megjithatë, nevojitet të ketë bazë ligjore paraprakisht e përgatitur e  cila do ua japë gjtihë legjitimitetin e duhur parlamenteve dhe parlamentarëve si përfaqësues legjitim të popullit për marrjen e vendimeve të vështira por të  domosdoshme. 

Natyrisht se pandemia me virusin Kovid-19 nuk e anashkaloi as Republikën e Maqedonisë së Veriut, kështu që edhe ne u ballafaquam me sfidat e njëjta të ndërlikuara si edhe të gjithë. Në plotësim, në vitin 2020, kishim zgjedhje të parakohshme parlamentare të cilat ishin të domosdoshme për funksionimin e rregullt të dhomës ligjvënëse, kështu që, në atë periudhë, në pajtim me Kushtetutën, kompetencat ishin në duart e Presidentit të shtetit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ose po Qeverisë, me miratimin e masave për gjendje krize, me një qëllim të vetëm, mos ketë krizë në funksionimin e aparatit shtetëror, me qëllim të mbajtjes llogari për shëndetin e qytetarëve tanë.

Megjithatë, një gjë duhet të jetë detyrimisht e qartë, dhe kjo është se, ato masa, nuk janë dhe nuk guxojnë të jenë as afatgjate, as të përhershme, sepse kjo do të mund të rezultonte me kufizimin e mbikëqyrjes parlamentare, që është në fakt thelbësore për një sistem të shëndoshë demokratik. Për ne është i kuptueshëm kufizimi i të drejtës për tubim, duke i marrë në konsideratë protokollet për distancën sociale por, në të njëjtën kohë, doemos të jemi të kujdesshëm që mos vijë deri në keqpërdorimin e autorizimeve të jashtëzakonshme të qeverive, apo jo? Roli mbikëqyrës i parlamenteve duhet të kihet çdoherë në mend që të ruhet transparenca, përfshirja, a në të njëjtën kohë edhe respektimi i parimeve demokratike me të gjitha të drejtat, liritë dhe obligimet që janë pjesë esenciale e këtyre parimeve. 

Të nderuar të pranishëm, 

Mundet krizën e pandemisë mund ta shohim si mundësi për zbulimin e dobësive që kanë ekzistuar por nuk kanë ardhur në shprehje, dhe në të ardhme të mbajmë llogari që pikërisht ato hallka të dobëta ti përforcojmë dhe të vazhdojmë përpara me fokus në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Kështu do të jemi më të fuqishëm dhe më të përgatitur për sfidat e radhës. 

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click