Aktivitetet

E enjte, 29 korrik 2021

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Seancën solemne të Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive me rastin e shënimit të 20 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit

I nderuar zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Artan Grubi,
Të nderuar ministra dhe zëvendësministra në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut,
Të nderuar koordinatorë, kolegë deputetë,
E nderuar kryetare e Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, znj. Arbana Pasholli,
I nderuar Avokat i Popullit, z. Naser Ziberi,
Të nderuar anëtarë të mëparshëm dhe aktualë të Komitetit,
E nderuar sekretare e përgjithshme e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, znj. Cvetanka Ivanova,
Të nderuar Shkëlqesi,
Të nderuar mediume,
Zonja dhe zotëri,

Më vjen mirë që sot edhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut me këtë seancë solemne të Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, si trup konkret që lindi pas Marrëveshjes kornizë të Ohrit, i themeluar nga Kuvendi, me kompetenca të përcaktuara në përputhje me Amendamentin XII të Kushtetutës dhe Ligjit për Komitetin për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, që natyrisht i jep të drejtë të inkuadrohet, është pjesë e shënimit shumëditor të 20 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit ose Marrëveshjes së paqes, siç e quajmë me të drejtë. Për atë se si erdhi, dhe pse erdhi deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit nuk do të flas tani, sepse çfarëdo që të them, do të jetë diçka e përsëritur me qindra herë deri tani. Përfaqësuesit e atëhershëm politikë, me mbështetje të parezervë dhe inkurajim nga partnerët tanë strategjik ndërkombëtarë dhe miq të dëshmuar shumë herë deri tani, në mënyrë të guximshme, me mençuri dhe vizion largpamës ndihmuan në arritjen e paqes me një dialog politik të hapur dhe të drejtpërdrejtë në Ohrin e bukur, qytetin në të cilin u vendos struktura e re e kohezionit tonë ndëretnik, me vendosjen e rregullave të reja të kohezionit shoqëror i cili do të jetë themeli më i fortë dhe më solid mbi të cilin do e ndërtojmë të gjithë bashkë ardhmërinë tonë euroatlantike. Edhe atëherë kishte, edhe tani ekzistojnë persona të cilët nuk janë plotësisht të bindur në domosdoshmërinë, në fuqinë, efektivitetin dhe rezultatet e kësaj marrëveshjeje mirëpo, në qoftë se jemi tërësisht të sinqertë para vetes dhe para të gjithëve, nuk do të mund ti mbyllim sytë para transformimit të dukshëm të shoqërisë sonë.

Të nderuar,

Siç përmenda edhe në fillim të fjalimit tim, themelimi i Komitetit në vitin 2002 ishte një moment i ri për të gjithë ne, megjithatë, nëse e vëzhgojmë nga perspektiva e sotme, ishte mënyra më e përshtatshme për mundësimin e hapësirës, kohës dhe vendit për shprehjen e nevojave, arsyetimin e gjendjeve, shqyrtimin e çështjeve që në mënyrë të drejtpërdrejtë i preknin bashkësitë etnike në vendin tonë, ndërsa marrëdhënia e ndërsjellë e të cilëve ose po, mospasja e marrëdhënieve fare, paraqiste gurë pengimi dhe pengesë për rritjen dhe zhvillimin e vendit, pengesë për përparimin, integrimin dhe kontributin në proceset dhe veprimet rajonale, evropiane dhe botërore, dhe, nuk mund të kontribuosh globalisht, nëse nuk ke paqe dhe raporte të relaksuara brenda, në shtëpi, me respekt të ndërsjellë të secilit një anëtar të familjes, qoftë ai edhe anëtari më i vogël. Nëse e mendojmë dhe e shohim në mënyrë objektive diskursin e atëhershëm shoqëror, është mjerueshëm që doemos duhej të vendoset mekanizëm me të cilin do të rregullohen marrëdhëniet ndërmjet bashkësive që nuk janë shumicë në vend, mundësimi i të drejtës së shprehurit dhe mësimit në alfabetin dhe gjuhën amtare, e drejta e të shprehurit të identitetit dhe veçorive të bashkësisë etnike në fushën e kulturës, informimit, veprimtarisë botuese dhe fushave tjera dhe, implementimi i parimit të përfaqësimit të drejtë dhe përkatës të qytetarëve që u takojnë të gjitha bashkësive në organet e pushtetit shtetëror dhe në institucionet tjera publike në të gjitha nivelet. Them mjerueshëm, sepse gjithë këto janë të drejta aq të natyrshme dhe elementare të cilat as që duhej të jenë në rend dite, në rast se ishim të gjithë mjaftueshëm të vetëdijshëm dhe të shkarkuar nga paragjykimet, vetëpëlqimi, dhe mendimi joreal se dikush ka më shumë a dikush ka më pak të drejtë të ndjejë këtë vend të vogël por të shkëlqyeshëm si të vetin dhe ti gëzojë të gjithë të drejtat dhe bukuritë që i ofron jeta në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mirëpo, jam krenar sepse qëndruam fortë dhe siç thashë më lartë, u transformuam si shoqëri, maturuam si politikanë, si qytetarë, na u hapën horizontet dhe arritëm të shohim pikturën e madhe, para të cilës qëndrojmë bashkë të gjithë, me një qëllim të përbashkët të qartë para nesh - dhe ky është, Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë rrëfim i suksesshëm për një demokraci parlamentare të avancuar, bashkëkohore, anëtare e plotfuqishme e NATO-s dhe familjes së madhe evropiane, shtëpi e të gjithë pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme etnike, shtëpi e të gjithë qytetarëve!

Të nderuar të pranishëm,

Nuk kisha dashur që të zgjas më shumë, vetëm do i uroj Komitetit punë të mbarë, sa më pak çështje të nxehta për shqyrtim dhe le të jetë në të ardhmen forumi në të cilin do të gëzohemi dhe bashkë do të bëjmë tifo për sukseset e vendit tonë në planin e sportit, do të krenohemi për majat e arritura në planin e kulturës, artit dhe do të ngremë dolli për anëtarësimin tonë të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.

Ju faleminderit për vëmendjen! 

Click