Aktivitetet

E premte, 29 janar 2021

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Takimin e punës të organizuar nga Enti Shtetëror i Statistikës

I nderuar President i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Stevo Pendarovski,
I nderuar Kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev,
Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut,
I nderuar kryetar i Bashkësisë së Njësive të Pushtetit Lokal, z. Petre Shilegov dhe kryetarë tjerë të komunave të pranishëm këtu, 
I nderuar drejtor i Entit Shtetëror të Statistikës, z. Apostoll Simovski,
E nderuar sekretare e përgjithshme e Kuvendit, znj. Cvetanka Ivanova,
Zonja dhe zotëri, 

Kam kënaqësinë që sot, në prezencën e Presidentit Pendarovski, Kryeministrit Zaev, ministrave kompetent, kryetarit të Bashkësisë së Njësive të Pushtetit Lokal, z. Shilegov, drejtorit Simovski dhe të pranishëm të tjerë, e fillojmë këtë fazë të operacionit të statistikës oficiale, Regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, gjegjësisht, informimin dhe inkurajimin e qytetarëve për rëndësinë dhe për domethënien e inkuadrimit të tyre dhe të inkuadrimit të gjithë institucioneve në realizimin e suksesshëm të regjistrimit. Kjo, jo vetëm që është e duhur dhe e domosdoshme por është me rëndësi jetike për krijimin e ardhshëm të politikave zhvillimore të vendit, të bazuara mbi të dhënat precize që të mund të bëhen planifikimet makroekonomike që do të jenë në dobi edhe të kërkimeve shkencore dhe tjera, mirëpo, edhe për përparimin e vendit. Kuptohet, Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e plotfuqishme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i respekton obligimet që rrjedhin nga kjo anëtarësi dhe prandaj, realizimi i Regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave do të zbatohet në përputhje me rekomandimet e miratuara ndërkombëtare, të përpiluara nga Komisioni Ekonomik për Evropë i Kombeve të Bashkuara dhe Eurostatit - qëllime statistikore dhe për këtë, jam i bindur se janë bërë të gjitha para përgatitjet nga ana e Entit Shtetëror të Statistikës, si koordinator nacional i sistemit statistikor në vend për zbatimin e këtij operacioni, që për fat të keq, në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk është realizuar në 20 vitet e fundit, edhe pse kishte tentativë në vitin 2011, tentativë e cila u ndërpre. 

Nuk dua të ndërhyj në diskutim në lidhje me interpretimet e ndryshme lidhur me atë se nëse, ky operacion statistikor shumë masiv, shumë i vëllimshëm dhe shumë i shtrenjtë i cili gjithandej në vendet e zhvilluara demokratike është vetëm një operacion statistikor, pa asnjë prapavijë tjetër, te ne shihet nga një prizëm ndryshe, politike! A është kjo kështu, pse është kështu, çka solli deri në atë që në vendin tonë, çdo procedurë, çdo nismë, çdo obligim i rëndomtë ligjor të shihet përmes objektivit politik, mendoj se nuk do të jetë aspak produktive dhe frytdhënëse të flas tani. Për shkak se, për të drejtat dhe obligimet, kemi Kushtetutë, kemi ligje të vlefshme, kemi marrëveshje të ratifikuara ndërkombëtare. Dhe prandaj, në një gjë jam i bindur, dhe do të insistoj në të. Regjistrimi nuk është dhe nuk guxon të jetë operacion politik. Është e radhës më të ngritemi mbi këtë nxitje, është e radhës më të numërohemi mes vendeve në shoqërinë e të cilave synojmë. Në shtojcë të kësaj është edhe serioziteti me të cilin të gjitha institucionet, duke filluar prej Entit Shtetëror të Statistikës, ministrive që për qëllimet e regjistrimit bashkëpunojnë me Entin, Njësitë e Bashkësive të Pushtetit Lokal dhe të gjithë faktorët janë inkuadruar në planifikimin dhe përgatitjen e Regjistrimit i cili konsiderohet si aktivitet me interes të lartë shtetëror për të cilin në Kuvend u nxor edhe Ligj i veçantë dhe në bazë të së cilit realizohet  bile edhe ky aktivitet i sotëm për informimin dhe dhënien e mbështetjes adekuate dhe inkuadrimin e institucioneve të nivelit më të lartë. Secili prej tyre ka dhe jep kontribut shumë të madh në realizimin e suksesshëm të regjistrimit, ndërsa rezultatet e të njëjtit do të jenë një bazë e shkëlqyer për nxjerrjen e ligjeve dhe politikave zhvillimore të bazuara mbi të dhëna precize të cilat përsëri, do të jenë në dobi të drejtpërdrejtë të qytetarëve në njësitë e vetadministrimit lokal, që në bazë të të dhënave precize statistikore do të mund të shfrytëzojnë pjesë të mjaftueshme nga buxheti për financimin e shkollave lokale, çerdheve, enteve shëndetësore, institucioneve kulturore, transportit publik, infrastrukturës rrugore, energjetike dhe tjetër, e cila është me rëndësi thelbësore për qytetarët sepse, pikërisht ato, në përditshmërinë e tyre do të munden personalisht dhe realisht të ndjejnë suksesin apo dështimin e pushtetit lokal në lehtësimin dhe përmirësimin e cilësisë dhe standardit të jetës së familjeve dhe ekonomive familjare të tyre. Regjistrimi do të mundësojë shpërndarje të barabartë të enteve publike shëndetësore, qendrave shkollore, sportive dhe kulturore. 

Dhe, prandaj, të nderuar të pranishëm, në këtë kontekst është me rëndësi të jashtëzakonshme që çdo faktor në operacionin e quajtur Regjistrim, ta kuptojë atë me respektin dhe seriozitetin e duhur dhe ashtu edhe ti qaset, duke filluar prej institucioneve në nivelin qendror dhe lokal, instruktorëve dhe regjistruesve dhe të fundit mirëpo, më të rëndësishmit, qytetarët. Apeloj te to tu japin mbështetje personave të angazhuar për regjistrimin, të japin të dhëna të sakta për anëtarët e pranishëm dhe mungues të familjeve, mos provojnë të japin të dhëna të pasakta sepse dhënia e të rrejshme, krahas asaj që është vepër e dënueshme me ligj, në këtë apo në atë mënyrë, përsëri do na kthehet ne, si bumerang. Të mbledhim  forcat, të lëmë anësh të menduarin tonë egoist dhe të ngritemi mbi situatën, ti pranojmë rezultatet e regjistrimit dhe të zhvendosemi më nga ai qorrsokak ku kemi ngecur me konstruktin tonë mental anakronik që mos vijë radha të bëjmë regjistrimin e banorëve të shpërngulur dhe të mbetur në Republikën e Maqedonisë së Veriut. 

Të nderuar të pranishëm,

Shpresoj se muaji prill do të jetë vërtetim për atë se kemi maturuar si shtet, pas 20 viteve të plota dhe se jemi të gatshëm të bëhemi anëtar i plotfuqishëm i familjes evropiane në të ardhmen e afërme. 

Ju faleminderit për vëmendjen! 

Click