Aktivitetet

E enjte, 6 maj 2021

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në vazhdimin e Trajnimit për përkthim dhe interpretim të organizuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës të RMV

I nderuar zëvendëssekretar i përgjithshëm në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Tahir Hani,
I nderuar drejtor i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, z. Ylber Sela,
I nderuar Ambasador i OSBE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Z. Klemens Koja,
Të nderuar ligjërues nga universitetet vendore dhe Republika e Shqipërisë dhe Kosovës,
Të nderuar pjesëmarrës në trajnim,
Zonja dhe zotëri,

Kam nderin dhe kënaqësinë që sot mund t'ju përshëndes në hapësirat e reja të Agjencisë të Zbatimit të Gjuhës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, edhe atë, në vazhdimin e evenimentit të radhës së kësaj Agjencie, e cila, do e them me gojën plotë se, prej çastit kur u zyrtarizua me ligj themelimi dhe fillimi me punë i saj, e ka arsyetuar ekzistimin e vet dhe vazhdon edhe më tej, me një vrull për admirim, të zbatojë aktivitetet e duhura për të respektuar dispozitat ligjore dhe të drejtat dhe obligimet kushtetuese të gjithë palëve. Më lejoni për një çast të përuroj drejtorin Ylber Sela dhe tërë stafin e Agjencisë për përkushtimin dhe profesionalizmin me të cilin i janë qasur punës dhe detyrave nga puna. Këtë e bëra edhe herën e kaluar, me rastin e Ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare kur Agjencia kishte organizuar Konferencë ndërkombëtare shkencore dhe kjo është vetëm edhe një provë plus se aktivitetet dhe dinamika kanë vazhduar edhe në këto kushte për fat të keq jo të lakmueshme shëndetësore por natyrisht, duke i shfrytëzuar mënyrat në dispozicion sepse, përgjegjësia dhe besimi janë po të njëjtit ndërsa kërkesat dhe pritjet tani janë shumë më serioze dhe më të arsyeshme pas kalimit të periudhës së themelimit, etablimit dhe vendosjes në hapësirat që i ofrojnë të gjitha kushtet e duhura për zhvillimin e papenguar të procesit të punës në një institucion.

Dëshiroj po ashtu të përshëndes edhe Ambasadorin e OSBE-së, mikun tonë Klemens Koja, i cili me përkushtim dhe përzemërsi i mbështet hapat e Agjencisë por edhe të gjitha institucioneve tjera në Republikën e Maqedonisë së Veriut.   

Të nderuar,

Besoj se periudha e kaluar ishte e mjaftueshme për Agjencinë që të grumbullojë informatat e duhura për atë se sa janë institucionet vendore të përgatitura për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe praktikimin në vepër të të drejtës për funksionimin e tërësishëm në gjuhën amtare. Sa i përket Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, besoj se e keni të njohur se është institucioni i parë në të cilin filloi të bëhet përkthimi i materialeve që vinin në institucion, që përpiloheshin në Kuvend dhe që u shpërndaheshin deputeteve dhe shërbimit në dy gjuhë. Kuvendi po ashtu, ishte institucioni i parë ku bëhej edhe interpretimi konsekutiv dhe simultan i folësve në seancat e trupave punues dhe në seancat plenare. Edhe pse fillimi ishte shumë i vështirë, sepse numri tejet i vogël i përkthyesve pa përgatitje paraprake në fushën që duhej ta mbulojnë, pajisja modeste me fjalorë dhe mospasja e trajnimeve në pjesën e përkthimit dhe interpretimit nuk ishin në favor të tyre, përsëri, mund të them se me kalimin e kohës, me fitimin e përvojës dhe pasurimin e softuerit të përkthimit, u profiluan në përkthyes që u përgjigjen me sukses sfidave të përditshme në Kuvend. Natyrisht, viteve të kaluara u rrit edhe numri i realizuesve, me ndihmën e mbështetësve të demokratizimit të Kuvendit u pajisën me fjalorë dhe me softuer të zhvillimit të fundit teknologjik dhe sot, falë angazhimit të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhëve vazhdon edhe trajnimi që, doemos e kam ta them, do të ishte aq i mirëseardhur në fillim kur u punësuan në Kuvend. Por ky trajnim, me sa e kuptova, përveç se do të jetë për përkthyes dhe për sfidat në të cilat hasin në punën e përditshme dhe mënyrat e tejkalimit të tyre, edhe atë te tejkalimit dhe zgjidhjes në mënyrë të unifikuar, me terminologji administrative të njësuar, do të jetë edhe për një kategori më lartë, respektivisht për lektorë, dhe kjo më gëzon shumë. Kjo për arsye se, krahas të drejtës për përdorimin e gjuhës, duhet të mbahet llogari për atë që do të thotë ruajtje, promovim dhe zhvillim i gjuhës standarde, të pastër, korrekte, që do të jetë shembull dhe udhërrëfyes për të gjithë ato që në këtë apo në atë mënyrë depërtojnë te publiku i gjerë, kanë ndikim në rritjen dhe zhvillimin e gjeneratave të reja dhe më e rëndësishmja, për të lehtësuar punën e institucioneve, përkthyesve nëpër institucionet dhe rritjen e vlerës së gjuhës. Gjuha është materie e gjallë, vazhdimisht nën ndikim të rrjedhave, ndikimeve të ndryshme dhe andaj duhet të përshtatet, të modernizohet por, jo edhe të teprohet sepse, asgjë nuk mund të krahasohet dhe të tingëllojë më bukur se gjuha e pastër, standarde por përsëri, burimore.

Zonja dhe zotëri,

Tani më një periudhë më të gjatë kohore, e gjithë bota gjendet në një situatë të jashtëzakonshme të rrezikut shëndetësor, ku sistemet shëndetësore, ekonomike dhe natyrisht, më të prekurit, qytetarët ballafaqohen me sfida ekonomike, shëndetësore, dhe jo vetëm. Në fakt, pëson e gjithë mënyra e jetës dhe funksionimit të një shoqërie. Mësim onlajn, ligjërata onlajn, koncerte, shfaqe teatrale onlajn. Kjo, edhe më tepër e rrit nevojën për përkujdesjen për mënyrën e komunikimit, e shfaqjes dhe prezantimit publik sepse gjuha duhet gjithmonë të përdoret bukur dhe saktë dhe, korona nuk e minimizon aspak vlerën e saj. Përkundrazi, sa me përgjegjësi kujdesemi për të, aq më shumë vlerë do të fitojmë në sytë e bashkëqytetarëve tanë, në sytë e gjeneratave të reja. Kjo do të jetë në favor të mënjanimit të paragjykimeve, dhe në kontekst të përparësive që i ofron një shoqëri shumetnike dhe shumë gjuhësore. Të mësohemi të dëgjojmë njëri tjetrin, të mësojmë të kemi respekt ndaj njëri tjetrit dhe ndaj gjithë asaj tërësie që e bën një individ të veçantë, përkatësia e tij etnike, gjuha që e flet, besimi të cilit i përket, shtresa sociale prej të cilës vjen, gjendja ekonomike, gjinia, profesioni dhe një sërë karakteristikash tjera. Kjo është mënyra më e mirë për të ndërtuar shoqëri të zhvilluara dhe të avancuara, shoqëri bashkëkohore, evropiane, me vlera dhe standarde të pranuara ndërkombëtare të cilat i respektojnë parimet themelore të Deklaratës universale për të drejtat e njeriut dhe Konventën evropiane për të drejtat e njeriut.

Të nderuar ligjërues,
Pjesëmarrës në Trajnim,

Ju uroj punë të mbarë dhe të frytshme dhe Ju sugjeroj që mos ndaleni këtu por vazhdimisht të përsoseni dhe të shpërndani njohuritë e reja në punë dhe në jetën private, sepse gjuha është diçka që na identifikon dhe e mbajmë në vete gjithmonë.

Faleminderit për vëmendjen!

Click