Aktivitetet

E premte, 21 maj 2021

Fjalimi i nënkryetarit Misovski në konferencën virtuale të Partneritetit për Qeverisje të Hapur 

Të nderuar kolegë deputetë,
E nderuar sekretare e përgjithshme Ivanova,
I nderuar zotëri Hejzlet,
E nderuar zonja Pernar, 
Të nderuar përfaqësues të shërbimit të Kuvendit, 
Të nderuar përfaqësues të Institutit Nacional Demokratik, 
Të nderuar përfaqësues të Institutit të Demokracisë “Societas Civilis”, 
Të nderuar përfaqësues të organizatave civile,  
Të dashur mbështetës, miq dhe partnerë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut që e ndiqni këtë konferencë në formatin virtual, kam nderin t’ju uroj mirëseardhje në konsultimet për zotimet dhe aktivitetet nga propozim Plani aksional 2021-2023 i Kuvendit ndaj Partneritetit për Qeverisje të Hapur në emrin tim dhe në emër të Kryetarit të Kuvendit, i nderuari Talat Xhaferi i cili për fat të keq, për shkak të një situate të paparashikuar dhe të pa anulueshme nuk ka mundësi që sot edhe personalisht t'ju përshëndesë, siç ishte edhe paraparë paraprakisht. Më vjen mirë që jemi tubuar në përbërje të këtillë, dhe që krahas pandemisë me KOVID-19, vazhdojmë ti mbajmë evenimentet për mbështetjen e aktiviteteve të Kuvendit, kuptohet me përshtatje përkatëse me qëllim që të mbrojmë shëndetin e pjesëmarrësve a përsëri të mundësojmë realizimin e qëllimeve të nënvizuara, të udhëhequr nga parimet dhe vlerat për të cilat jemi pajtuar dhe për të cilat zotohemi të gjithë bashkë. Në fakt, shënimi i javës së Partneritetit për Qeverisje të Hapur është vetëm konfirmim se dhoma ligjvënëse mbetet edhe më tej konsekuente ndaj përmbushjes së vendimeve të marra në vitin 2018, kur u miratua edhe Plani i parë i Parlamentit të hapur, i cili u bë pjesë e Planit aksional nacional 2018-2020. Vazhdimësia është evidente, duke e marrë parasysh atë se sot jemi duke folur për Planin aksional 2021-2023, udhëzues dhe udhërrëfyes sipas cilit do të punojmë dhe në të cilin janë vënë aktivitetet që janë në rrjedhë dhe ato që presin fillimin e implementimit. Kjo nismë multilaterale për përkushtimin ndaj qeverisjes së hapur në të cilën qytetarët marrin pjesë si shprehje e demokratizimit të institucioneve, luftës kundër korrupsionit me promovimin e transparencës në punë, me shfrytëzimin e veglave të reja në drejtim të përforcimit të qeverisjes, i reflekton edhe zotimet e Kuvendit dhe e tëra me një qëllim të vetëm - jetë më cilësore e qytetarëve me inkuadrimin e tyre të drejtpërdrejtë në procesin e krijimit të politikave, vendosjes për politikat në dobi të tyre dhe në dobi të pushtetit funksional ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. 

Të nderuar,
Për ne është me rëndësi që nëpërmjet këtij evenimenti të japim edhe kontribut konkret, të këmbejmë në mënyrë të ndërsjellë mendime, të zhvillojmë ide mirëpo edhe të japim mbështetje si një nga tre pushtetet e përfshira në këtë proces, me theksimin e besimit tonë në këto parime. Jam posaçërisht krenar që këto parime janë në linjë të njëjtë edhe me parimet e mia, besoj edhe me parimet e juaja. Tani më jam mandati i dytë në funksionin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut si edhe Kryetari Xhaferi dhe deri tani shumë herë kam theksuar se veprimi im, zotimet e mia, do të jenë në drejtim të asaj që qytetarët të dinë se Kuvendi është shtëpia e tyre dhe si të atillë edhe ta ndjejnë.  Ne jemi të zgjedhur nga populli, punojmë në interes të qytetarëve tanë dhe ato doemos të jenë të informuar në çdo kohë për atë që ndodh në Kuvend. Me ç‘rast, të informohen në mënyrë burimore dhe të saktë për procedurat parlamentare, për mënyrën e marrjes së vendimeve që ndikojnë mbi jetët e tyre dhe mënyrën se si munden ato të inkuadrohen dhe të marrin pjesë në mënyrë produktive në atë proces të krijimit të politikave që në radhë të parë do të përkojnë me nevojat e tyre. Këtu kuptohet kam ndërmend rrjetet e organizatave civile dhe entuziastët që do të kenë obligim të flasin për reformat konkrete që përkojnë dhe kontribuojnë kah avancimi i punës dhe transparencës së institucioneve publike. Sepse, mos harrojmë, forca lëvizëse e çdo nisme është dhënia e rëndësisë primare pikërisht qytetarëve.  Në drejtim të transparencës së dhomës ligjvënëse, a duke e marrë parasysh se Kanali i Kuvendit është burimi i drejtpërdrejtë dhe më i madh i informatave për punën e Kuvendit, në suazat e Projektit për Mbështetje Parlamentare, por edhe si pjesë e Planit aksional të Kuvendit për Partneritetin e Qeverisjes së Hapur dhe më e rëndësishme se gjithçka, në pajtim me qëllimet e Planit strategjik të Kuvendit, para disa ditëve e shqyrtuam, e harmonizuam dhe në periudhën e ardhshme do të parashtrohet në procedurë parlamentare Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë për reforma në Kanalin e Kuvendit dhe avancimin e transmetimit parlamentar.  

 

Të nderuar, Në kontekst të temës së sivjetme globale që i është përkushtuar rikuperimit nga pandemia me virusin Kovid-19 dhe ripërtëritjes së vlerave demokratike, dëshiroj të nënvizoj se Kuvendi, me mbështetjen pa rezervë të Projektit për Mbështetje Parlamentare, nëpërmjet aktiviteteve konkrete të Institutit Parlamentar, a në drejtim të parimeve të Partneritetit për Qeverisje të Hapur, iu përkushtua seriozisht qasjes dhe komunikimit me qytetarët përmes organizimit paraprakisht të vizitave fizike, mandej organizimit të turneve virtuale, ku është arritur edhe vizitim rekord prej 5000 qytetarësh këtë vit, mandej portalit për të dhëna të hapura për qasje më të lehtë të qytetarëve në informata, platformës për propozime nga qytetarët, regjistrit të organizatave civile, modernizimit të ueb faqes me qëllim të qasjes më të lehtë te informatat e kërkuara, ndjekjes së statusit të propozim ligjeve të parashtruar, mbikëqyrjes së integruar të aktiviteteve të zyrave për kontakt me qytetarët, dhe kuptohet, do të vazhdojmë në drejtim të realizimit të vizonit të reflektuar në Planin strategjik të Kuvendit, për pushtet ligjvënës transparent, të përgjegjshëm, bashkëkohor dhe funksional, në funksion të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në periudhën e ardhshme, aktivitetet e Kuvendit do të fokusohen në zbatimin konsekuent të qëllimeve të filluara, deri diku të arritura dhe qëllimeve akoma të pafilluara nga Plani aksional. Në çdo hapin tonë të ardhshëm, partneri ynë i përhershëm, krahas partnerëve dhe miqve të dëshmuar të dhomës ligjvënëse, do të jenë qytetarët dhe rrjeti i organizatave civile dhe unë i inkurajoj ti shprehin mendimet e veta, propozimet dhe idetë për mënyrat se si mendojnë që mund të përmirësohet puna e dhomës ligjvënëse. 

 

Më lejoni edhe njëherë të shpreh mbështetjen për Partneritetin për Qeverisje të Hapur, jo vetëm në mënyrë deklarative por edhe me realizim dhe implementim konkret të qëllimeve të aksionit.   
Ju uroj punët ë mbarë dhe Ju falënderoj për vëmendjen!




Click