Aktivitetet

E mërkurë, 16 dhjetor 2020

Fjalimi përmes videos i Kryetarit Xhaferi në Shënimin e 100-vjetorit të orës së parë akademike në Fakultetin Filozofik në Shkup

I nderuar President i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Pendarovski,
I nderuar Kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.  Zaev,
E nderuar ministre e Arsimit, znj. Carovska,
I nderuar kryetar i ASHAM-it, Prof. Dr. Ljupço Kocarev,
I nderuar Rektor i UKEM, Prof. Dr. Nikolla Jankullovski,
I nderuar dekan i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ratko Duev,
Të nderuar profesorë të rregullt dhe të inordinar, 
Të nderuar studentë, qytetarë të ardhshëm akademikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, 
Zonja dhe zotëri,

Më lejoni që sot, përmes këtij fjalimi me anë të videos, të shpreh urime në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për 100-vjetorin e themelimit të Fakultetit Filozofik në Shkup, që në 1920-ën e largët, me dekret mbretëror e filloi veprimtarinë e vet arsimore- shkencore dhe me këtë e meritoi pietetin - institucioni më i vjetër i arsimit sipëror në shtet. Sot, krahas këtij fakti, ka edhe një fakt i pamohueshëm, dhe ky është se, Fakulteti Filozofik, prej atëherë e këndejmi, vetëm rritej dhe zhvillohej, mbindërtohej dhe zgjerohej, që sot të jetë një fakultet bashkëkohor, multidisiplinor i përbërë prej 12 instituteve të shkencave humaniste dhe shoqërore. Dhe, çka është më e rëndësishme se gjithçka, Fakulteti Filozofik, në asnjë çast nuk devijoi nga ajo që është në thelb, në etimologjinë e fjalës filozofi - respektivisht- dashuria ndaj mençurisë ose studimi i diturisë, të menduarit për të menduarin dhe sado që ti duket kjo dikujt abstrakte dhe si parashtrim i pyetjeve të paqarta dhe për të cilat nuk ka përgjigje, përsëri, ekzistimi dhe mbijetimi juaj është provë se filozofia merret në mënyrë të qartë dhe precize pikërisht me botën reale, me natyrën e saj komplekse sociale dhe materiale dhe me vendin e njeriut në të. Që të kuptohet bota me tërë ndërlikueshmërinë dhe shumëdimensionalitetin e saj, nevojiten studime në fusha të ndryshme ndërsa fakulteti juaj e ofron pikërisht këtë. Është për të përshëndetur edhe veprimtaria juaj shkencore-kërkimore përmes qendrave ekzistuese dhe publikimi i revistave shkencore me karakter ndërkombëtar dhe kuptohet, bashkëpunimi i frytshëm ndërkombëtar me universitetet botërore. Kjo është vetëm edhe një vërtetim se në asnjë çast nuk u ndalët dhe ecni krah për krah me ekuivalentët e juaj nëpër botë. Edhe pse, e di kjo nuk është lehtë të arrihet, sidomos nëse e kemi parasysh se mos pasja e pavarësisë financiare, mos pasja e autonomisë kadrovike, ndikon shumë në arritjen e qëllimeve të nënvizuara dhe në instancë të fundit, qëllimeve të dëshiruara. Gjithsesi se jam i vetëdijshëm se sa e vogël është përqindja që ndahet në buxhetin shtetëror për zhvillimin e shkencës dhe mendimit shkencor, që në anën tjetër, shkakton pakënaqësi dhe demotivim te kuadrot tonë shkencorë, si konsekuencë, edhe te studentët tanë dhe qytetarët e ardhshëm akademikë. Kjo shkakton largimin e inteligjencës, numër të vogël të punimeve të publikuara shkencore për shkak të numrit përkatës të vogël të kërkimeve të realizuara të cilat nuk do të ishin as aq, në qoftë se nuk e kanë mbështetjen e fakultetit ose iniciativën e vetë profesorëve. 

Megjithatë, të gjithë jemi të vetëdijshëm se si shtet, kalojmë nëpër faza me të vërtetë të vështira, vendimtare të qëndrueshmërisë dhe marrjes së pozitës së fortë në hartën botërore. Arritja e njërit përcaktim strategjik, gjithsesi se është një punë e madhe dhe shumë e rëndësishme, mirëpo, akoma nuk është përfunduar gjithçka. Para nesh është një sfidë e re, një sprovë e re të cilën do të duhet ta tejkalojmë dhe menaxhojmë në mënyrë mjeshtërore dhe me shumë durim. Për këtë nevojitet e gjithë strategjia shtetërore, fuqia intelektuale, tërë kapaciteti që e posedon edhe fakulteti juaj dhe të gjithë universitetet në vend, edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë, edhe potenciali i gjithë spektrit politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Nevojitet veprim dhe ecje e njëzëshme e këtij rrugëtimi tonë të përbashkët. 

Të nderuar,

Ajo që është po ashtu konstante gjatë gjithë kohës së ekzistimit të Fakultetit Filozofik, a që është me rëndësi esenciale për rritjen dhe zhvillimin demokratik të një shoqërie, është ajo se kurrë nuk i mbyllët dyert dhe dhatë hapësirë dhe kohë të mjaftueshme për shprehjen e mendimit kritik, kur mendojmë ose ndjejmë se të drejtat tona, liritë, obligimet, nuk janë në pajtim me deklaratat e pranuara ndërkombëtarisht të ratifikuara edhe te ne, me Kushtetutën tonë ose ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Dhe, kuptohet, ku nëse jo në Fakultetin Filozofik? Kush nëse jo bartësit dhe studiuesit e mendimit akademik dhe shkencor, gjegjësisht profesorët dhe studentët? Dhe, me të vërtetë doemos t’ju përgëzoj për atë që fakulteti juaj, vazhdimisht lëviz nëpër vijën lartë, përshtatet shpejtë në kohën e re bashkë me sfidat e reja që i sjell ajo me vete dhe këtu mendoj tani për situatën me pandeminë e KOVID-19, dhe protokollet e imponuara të domosdoshme shëndetësore për shkak të të cilave jemi të detyruar ti ndryshojmë shprehitë e vendosura dhe mënyrën e jetës, punës, shoqërimit dhe funksionimit, edhe pse, gjithsesi, nuk jemi vetëm në këtë, kjo është një situatë e imponuar dhe e pranuar globalisht. Nga ajo që mund të shoh, te ju digjitalizimi ka hyrë në derë të madhe, ueb faqja përmban baza të mëdha të letërsisë botërore që është në dispozicion edhe për kuadrin akademik, dhe për studentët e etur për shkencë, për hulumtime të reja dhe arritje me të cilat do të jemi konkurrentë dhe të barabartë me fakultetet e pranuara botërisht.  Për shkak se, siç ka thënë edhe Sokrati i madh, citoj:

“Ka vetëm një e mirë, dhe kjo është dituria, dhe një e keqe, ajo është injoranca”, fund i citatit, dhe unë besoj se ju do të vazhdoni të jeni paraprijësit e botëkuptimeve të reja, bashkëkohore dhe njohurive për jetën, për shoqërinë, që të kontribuoni me to në zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë dhe shtetit tonë multietnik i cili është unik dhe ndryshe nga tjerët për shumë gjera.

Në fund, të nderuar, më lejoni t'ju uroj edhe shumë vite ekzistim, zhvillim, ndërtim të gjeneratave të reja, të shëndosha, me qëndrim të ndërtuar ndaj vetes, ndaj shtetit, ndaj shoqërisë. Gjenerata të reja të cilat do të jenë motori i përparimit, i zhvillimit dhe prosperitetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, anëtare e barabartë dhe e plotfuqishme në NATO dhe në Bashkimin Evropian. 

Ju faleminderit për vëmendjen!

 

 Video

Click