Aktivitetet

E shtunë, 21 nëntor 2020, Hotel "Uraniku" - Dibër

Fjalimi përshëndetës i Kryetarit Xhaferi në Akademinë solemne me rastin e 111-vjetorit të Kongresit të Dibrës

I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta,
I nderuar kryeministër i parë, z. Artan Grubi,
I nderuar ministër i Ambientit Jetësor, z. Naser Nuredini,
I nderuar kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti
I nderuar kryetar i Komunës së Dibrës, z. Hekuran Duka,
Përfaqësues të Shoqatës "Bashkësia dibrane" nga Tirana,
Të nderuar historianë,
Të nderuar ambasadorë,
Zonja dhe zotëri,

Më lejoni të ndaj me ju kënaqësinë që sot jam këtu në mesin tuaj, në shënimin e 111-vjetorit të Kongresit të Dibrës, kongresit të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve për pavarësi ku forca e ndjenjës kombëtare, me gjithë vullnetin, vizionin, forcën dhe guximin e delegatëve shqiptarë nga të gjitha vilajetet, ia doli të vë në tryezë për diskutim interesat, nevojat dhe të drejtat e shqiptarëve dhe pas një pune gjashtëditore, krahas miratimit të masave që kishin të bëjnë me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e kulturor të vilajeteve të Turqisë Evropiane, u përfshinë edhe masa të veçanta që kishin të bëjnë me shqiptarët a që u propozuan nga përfaqësuesit e kësaj rryme kombëtare shqiptare. Dhe, nëse merremi me interpretimet historike të cilat janë nga më të ndryshmet, prej atyre se kërkesat ishin të pamjaftueshme, se pak u fitua, dhe se në fakt ky kongres ishte kongres i organizuar nga forcat xhonturke, përsëri, është fakt i njohur se i njëjti u shndërrua në tribunë të zjarrtë të parashtrimit me forcë  të problemeve kardinale që i shqetësonin shqiptarët. Këtu bënin pjesë ato ekonomike por edhe ato kulturore, si ndërtimi i hekurudhave, tharja e moçaleve, mësimi i njohurive moderne, hapja e shkollave fillore dhe të mesme me mësim në gjuhën shqipe, ndarja e shkollës nga kisha dhe xhamia, zhvillimi i ceremonive fetare në gjuhën amtare, njohja e zakoneve dhe e gjuhës shqipe nga pushteti shtetëror. Dhe, nëse këtyre kërkesave u shtohet edhe pesha vendimmarrëse që ua dha Kongresi i Dibrës, atëherë ky kongres me të drejtë mund të konsiderohet si tubimi masiv i parë i shqiptarëve që arriti të parashtrojë kërkesa me karakter të theksuar politik dhe fitimin e rezultateve konkrete në planin kombëtar brenda perandorisë otomane. Përveç kësaj, vendimet e kongresit, vitin e ardhshëm u botuan me alfabetin e unifikuar të gjuhës shqipe që u miratua në Kongresin e Manastirit, dhe më lejoni që të shfrytëzoj rastin dhe të shpreh urimet e mia të përzemërta me rastin e festës së 22 Nëntorit, dhe të uroj të kremtojmë edhe shumë përvjetorë të ardhshëm.

Të nderuar,

Më lejoni që të përuroj organizatorët, Komunën e Dibrës së Madhe, kryetarin Hekuran Duka, dhe Shoqatën "Bashkësia Dibrane" nga Tirana, për këtë eveniment të jashtëzakonshëm në kushte kaq të jashtëzakonshme shëndetësore. Dibra kishte sfidë tejet të vështirë shëndetësore, por e tejkaloi, shpresoj se së shpejti çdo gjë do të kthehet në normale, këtu, në vend, në rajon dhe në gjithë botën.   

Uroj të jeni me shëndet të mirë dhe Ju falënderoj për vëmendjen.

Click