Aktivitetet

E martë, 17 nëntor 2020

Fjalimi përshëndetës i Kryetarit Xhaferi në trajnimin për Komisionin e Përhershëm Anketues për Mbrojtje të Lirive dhe  të Drejtave të Qytetarit

I nderuar drejtor rajonal i IRI-t për Evropë, z.  Poll Mekarti,
I nderuar Derek Llajten, drejtor ekzekutiv në Partneritetin e Demokracisë së kongresit amerikan,
I nderuar kongresmen i mëparshëm, z. Piter Roskam,  
I nderuar kryetar i Komisionit të Përhershëm Anketues në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Halill Snopçe dhe deputetë tjerë anëtarë të këtij komisioni,
Të nderuar ekspertë dhe përfaqësues të tjerë,

Mirdita të gjithëve që jeni të kyçur në këtë platformë sot dhe që do të jeni pjesë e këtij trajnimi të parë nga tre trajnimet që do të realizohen tani më në këtë mënyrë të zakonshme dhe të domosdoshme për mbajtjen e komunikimit ndërmjet nesh, të imponuar nga pandemia me KOVID-19.

Në fillim, dëshiroj të përshëndes këtë nismë të Institutit Republikan Ndërkombëtar dhe të Partneritetit të Demokracisë të kongresit amerikan dhe të pohoj se ajo vjen në momentin më të përshtatshëm për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Siç e dini, tani më kemi përbërje të re parlamentare, dhe anëtarë të ri të Komisionit Anketues të Përhershëm të cilët duhet të njoftohen me rëndësinë e rolit të Komisionit në disa fusha me rëndësi të jashtëzakonshme për rritjen dhe zhvillimin demokratik të vendi tonë, me një bazë të vetme të nisjes, dhe kjo është sistemi i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive njerëzore ndërsa deputetët si përfaqësues të drejtpërdrejtë të qytetarëve prej të cilëve edhe e kanë fituar besimin, kanë mandat i cili mundëson mbikëqyrje të drejtpërdrejtë dhe ndjekje të kësaj gjendjeje.

Krahas kësaj, Komisioni është jashtëzakonisht i rëndësishëm në drejtim të proceseve eurointegruese në vend, konkretisht në raport me përmbushjen e njërit nga postulatet mbi të cilin bazohet Unioni, respektivisht mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut. Dhoma ligjvënëse, nëpërmjet mënyrës së  punës dhe funksionimit të vet, ka qasje dhe mund ti afrojë çështjet që i përpunon Komisioni i Përhershëm Anketues te deputetët tjerë mirëpo në mënyrën më të drejtpërdrejtë edhe te qytetarët, duke i shfrytëzuar të gjitha mënyrat e komunikimit në dispozicion që të kontribuojë në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

Doemos të përmend se përbërja paraprake e Komisionit, kishte një agjendë dhe aktivitete mjaft të ngjeshura, si në suazat e dhomës legjislative, ashtu edhe në terren. Mbajti 15 mbledhje dhe debate publike, një panel diskutim, ku fokusi kryesor u vu në diskutimet rreth aktgjykimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shqyrtimin e  Raportit të Komisionit Evropian në aspektin e të drejtave të njeriut dhe filloi të shqyrtojë edhe parashtresa nga qytetarët. Nga këto aktivitete dhe si rezultat i debatit të realizuar publik, rrodhi edhe aktiviteti në terren, gjegjësisht, vizita e institucioneve ndëshkuese-korrigjuese nga Grupi i punës në përbërje të të cilit, krahas anëtarëve të Komisionit të Përhershëm Anketues, ishin të përfshirë edhe përfaqësues të sektorit joqeveritar, përfaqësues të Komitetit të Helsinki dhe një gjykatës i mëparshëm në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kuptohet, bashkëpunimi me Avokatin Popullor ishte i përhershëm dhe esencial. Ky grup kishte për qëllim inspektimin e gjendjes në të cilën janë këto institucione dhe sfidat me të cilat ballafaqohen, që të mund të përcaktohen masat e ardhshme që mund të ndërmerren. Në pajtim me Nenin 127, paragrafi 3 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Grupi i punës përpiloi Raport nga vizitat dhe mandej miratoi edhe Konkluza të cilat ishin ndarë me të gjitha palët e interesuara dhe po ashtu ishin ndarë edhe në ueb faqen e Kuvendit. Në to qëndron, citoj:

 “Komisioni i Përhershëm Anketues për Mbrojtje  të Lirive dhe  të Drejtave të  Qytetarit edhe më tej do e përcjellë situatën në institucionet ndëshkimore-korrigjuese dhe me anë të kontakteve dhe takimeve të rregullta çdo tre muaj, do të informohet për atë që është ndërmarrë dhe zbatuar nga këto konkluza.   Gjithashtu, do të kontaktojë edhe me institucionet, me Drejtorinë e Ekzekutimit të Sanksioneve, ministritë dhe të gjithë të interesuarit dhe përgjegjësit për përmirësimin e gjendjes së këtyre institucioneve dhe për organizimin e debatit në vazhdim në të cilin do të ndiqet realizimi i konkluzave, në këtë dhe/ose në mandatin e ardhshëm.” fund i citatit.

Të nderuar kolegë,

Ky është ai mandat i ardhshëm, dhe unë i uroj përbërjes së re të Komisionit të arsyetojë besimin që im është besuar nga qytetarët. Në shtojcë të këtij besimi, do të ndaj me ju të nderuar informatën më të re për trupin që është me rëndësi të jashtëzakonshme për parandalimin e shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut, gjegjësisht Komisioni për Parandalimin e Diskriminit. Respektivisht, pas disa tentativave të cilat për arsye të ndryshme dështonin, në procedurë kuvendore është Propozim vendimi për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe unë shpresoj se kushtet do të lejojnë që për të njëjtin të mblidhemi në numër të mjaftueshëm dhe të votojmë që të mundet në afatin më të shkurtër të mundshëm të jetë funksional dhe të japë kontributin e vet në ndërtimin e shoqërisë jodiskriminuese.   

Nga aktivitetet ndërkombëtare, suksesi më i rëndësishëm i Komisionit është gjithsesi formimi i Rrjetit Rajonal të Komisioneve të Drejtave të Njeriut dhe Mundësive të Barabarta në Ballkanin Perëndimor dhe projekti për mbikëqyrje postlegjislative. Këtu kuptohet, ndihmë e jashtëzakonshme është mbështetja që Komisioni, mirëpo edhe dhoma ligjvënëse në tërësi e pranon përmes programeve të Partneritetit Demokratik të dhomës përfaqësuese të SHBA-ve, i cili bashkëpunim është themeluar që në vitin 2006 me qëllim të përforcimit të pavarësisë dhe efektivitetit të Kuvendit, përmirësimit të relacioneve me qytetarët dhe përmirësimi i pjesëmarrjes së qytetarëve dhe organizatave civile në Kuvend, avancimi i punës së shërbimit të Kuvendit dhe mundësimi i këmbimit të përvojave të deputetëve me anë të vizitave studimore, konsultimeve për ndihmë teknike dhe realizimi i trajnimeve të shumta. 

Në fund, më lejoni të shpreh mirënjohje ndaj Partneritetit Demokratik të kongresit amerikan dhe Institutit Ndërkombëtar Republikan, për mbështetjen e tyre të përhershme dhe të vazhdueshme në drejtim të avancimit të proceseve demokratike në vendin tonë dhe t’ju uroj që prej këtij trajnimi dhe prej dy trajnimeve të ardhshme të arrini ti identifikoni fushat e mundshme të mbështetjes së ardhshme dhe hapat e ardhshme dhe nismat që mund ti ndërmarrë Komisioni, a për të cilat ju siguroj se do e keni mbështetjen time pa rezervë.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Click