Aktivitetet

E premte, 10 dhjetor 2021

Konferenca TAIEX me temë: Aderimi në BE, metodologjia e re dhe klasteri "Fundamentet": çfarë po ndryshon për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut? 

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i organizuar nga Komisioni për Çështje Evropiane dhe i mbështetur nga Komisioni Evropian, DP për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit, më 9 dhe 10 dhjetor mbajti konferencën TAIEX me temë: Aderimi në BE, metodologjia e re dhe klasteri "Fundamentet": çfarë po ndryshon për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut? 

Në konferencën, të cilën e hapi kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Bojan Vasilevski, morën pjesë anëtarët, zëvendësit e Komisionit dhe të Këshillit Nacional për Eurointegrime, si dhe shërbimi profesional në Kuvend që punon në çështjet e BE-së.

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, e theksoi rëndësinë e mbajtjes së kësaj konference të kushtuar Metodologjisë së Re, e cila sjell mbikqyrje më të fortë politike nga vendet anëtare dhe reverzibilitet të procesit të negocimit. Ai theksoi se fillimi i negociatave të shumëpritura me BE-në do të jetë shtysë shtesë për zbatimin e mëtejshëm të reformave të domosdoshme në Kuvend.

Zëvendëssekretari i Kuvendit, Bojan Vasilevski, theksoi se mundësia e shfrytëzimit të shërbimeve të TAIEX-it, veçanërisht në pjesën e ofrimit të ndihmës teknike në transponimin dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së, është me rëndësi të jashtëzakonshme për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Fjalime hyrëse mbi rolin e Komisionit për Çështje Evropiane në Parlament mbajtën kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane në Parlamentin e Austrisë, Rajnhold Lopatka, dhe nënkryetarja e Komisionit për Çështje Evropiane në Parlamentin Nacional të Francës, Liliana Tangi.

Në prezantimet e tyre theks i veçantë u vu në rolin qendror të Komisionit për Çështje Evropiane në procesin e harmonizimit të legjislacionit nacional me atë evropian, si dhe në periudhën e negociatave për aderim në BE. Në kuadër të integrimeve evropiane, të dy folësit theksuan nevojën e forcimit të rolit të Parlamentit si forum për dialog politik konstruktiv, në të cilin duhet të përfshihen edhe qytetarët dhe shoqëria civile përmes përfaqësuesve të tyre në Parlament.

Duke folur për përvojat parlamentare austriake, Lopatka shpjegoi se Austria, si shtet federal, ka formuar tre trupa punues në proceset e aderimit për të ndjekur proceset eurointegruese, përkatësisht Komisionin e BE-së, Nënkomitetin e BE-së në Këshillin Nacional dhe Komisionin e BE-së në Këshillin Federal.

Liliana Tangi, duke iu referuar përvojave franceze lidhur me transponimin e legjislacionit evropian në atë nacional, theksoi se Komisioni për Çështje Evropiane mbikëqyr punën e Qeverisë, duke përfshirë edhe aktivitetet e saj në agjendën evropiane. Në këtë kontekst, theksoi se Komisioni është duke i shqyrtuar të gjitha draft-rregullativat dhe direktivat e BE-së, si dhe është duke ushtruar kontroll parlamentar mbi përfaqësuesit qeveritarë në Bruksel. 

Këshilltari shtetëror për politika dhe koordinim evropian në Sekretariatin për Çështje Evropiane, Dragan Tilev, foli për kornizën juridike dhe institucionale për mbajtjen e procesit të integrimit evropian, por edhe për përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Ai vuri në dukje se vendi tani është i fokusuar në miratimin e Kornizës Negociuese nga vendet anëtare të BE-së, e cila është në përputhje me metodologjinë e re. Theksoi se metodologjia e re nuk është materializuar në dokument operativ dhe për herë të parë bëhet me kornizën tonë negociuese. Të gjithë elementët e metodologjisë së re janë të detajuara në kornizën negociuese dhe ajo i përcakton kushtet në të cilat do të pranohemi në Bashkimin Evropian. 

Diskutimi për metodologjinë e re përfshiu edhe fjalimin e Mikella Matuella, ushtruese e detyrës drejtoreshë e BB-së në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit, e cila në fjalimin e saj iu referua qasjes së re ndaj negociatave të aderimit dhe perspektivës së vendit në BE, si dhe progresit të arritur në zbatimin e agjendës lidhur me BE-në.

Kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Aleksandar Nikolloski, iu referua rolit të opozitës në proceset eurointegruese, duke theksuar rolin konstruktiv të opozitës për çështjet e BE-së, veçanërisht nevojën e harmonizimit të legjislacionit tonë me legjislacionin evropian, duke theksuar se mbështetja nuk është e nevojshme për të abuzuar me përdorimin e procedurave të shkurtuara dhe për të shënuar flamurin evropian në ligjet që nuk janë evropiane.

Pas fjalimeve hyrëse, u mbajt diskutim, në të cilin morën pjesë deputetet: Sonja Mirakovska, Snezhana Kalevska-Vançeva, Marija Petrushevska dhe Zhaklina Peshevska.

U theksua se Maqedonia e Veriut ka pritur shumë për fillimin e negociatave dhe se Konferenca Ndërqeveritare duhet të mbahet sa më shpejt, gjegjësisht të marrë dritën jeshile në Këshillin e BE-së të dhjetorit. Bashkëbiseduesit u pajtuan se vonesa në fillimin e negociatave të aderimit rrit zhgënjimin e popullsisë, prandaj është e nevojshme të kemi konsensus politik për këtë çështje.

Në fjalimet përmbyllëse, mysafirët e lartë nga Austria dhe Franca e shprehën mbështetjen e Republikës së Francës dhe Austrisë për lëvizjen tonë drejt BE-së, si dhe u bë fjalë për mundësitë për të kapërcyer pengesat që qëndrojnë në rrugën e fillimit formal të negociatave të aderimit me Bashkimin Evropian, duke iu referuar, mbi të gjitha, problemit të imponuar nga Republika e Bullgarisë.

Click