Aktivitetet

E mërkurë, 23 qershor 2021

Kryetari Xhaferi e vizitoi Sekretariatin Ndërkombëtar të PABSEK-ut në Stamboll

Sot, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në kuadër të vizitës së Sekretariatit Ndërkombëtar të Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi me seli në Stamboll, realizoi takim me Sekretarin e Përgjithshëm të PABSEK-ut, z. Asaf Haxhiev. Vizita e Sekretariatit realizohet pas zyrtarizimit të anëtarësimit tonë në këtë Asamble Parlamentare më 22 qershor 2021. 

Në takim, Kryetari Xhaferi u shpreh i kënaqur që Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtarja e 13-të e kësaj Asambleje Parlamentare dhe shpreson që bashkëpunimi në të gjitha nivelet midis vendeve anëtare do të thellohej edhe më tej përmes kontakteve të rregullta dhe sesioneve plenare.

Deputetët nga të gjitha asambletë e vendeve anëtare të PABSEK-ut do të kenë mundësinë të avancojnë komunikimin, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave përmes aktiviteteve të rregullta në komisionet e PABSEK-ut. Ai nënvizoi se është mbështetës i diplomacisë parlamentare e cila, brenda situatës komplekse ndërkombëtare, përmes pjesëmarrjes aktive të parlamenteve në marrëdhëniet e ndërsjella të shteteve, jep kontribut pozitiv në uljen e tensioneve, ndërtimin e besimit dhe gjetjen e zgjidhjeve.

Sekretari i Përgjithshëm Haxhiev theksoi se Sekretariati Ndërkombëtar ka rëndësi të veçantë për PABSEK-un, sepse nëpunësit e deleguar nga shërbimi i vendeve anëtare janë bartës të kujtesës institucionale të Asamblesë dhe janë me rëndësi thelbësore për realizimin e suksesshëm të aktiviteteve të komisioneve dhe Plenumit.

 

Click