Aktivitetet

E enjte, 12 nëntor 2020

Mbledhja e Gjashtë e Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri

Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri i Kuvendit, në Mbledhjen e Gjashtë, si trup punues amë, i shqyrtoi:

  1. Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor; 
  2. Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për punë të brendshme, i parashtruar nga deputetët: Jovan Mitreski, Arbër Ademi, Kastriot Rexhepi, Ilija Nikollovski dhe Lupço Ballkoski; dhe
  3. Propozim-vendimin për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrje në operacionin paqësor të Bashkimit Evropian “EUTM RCA” në Republikën e Afrikës Qendrore. 

Në mbledhje në cilësinë e përfaqësuesit të Qeverisë, mori pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi.

Në fjalimin e tij, zëvendësministri, Bushi theksoi se ndryshimet e propozuara janë në drejtim të harmonizimit me Ligjin për kundërvajtje në pjesën e dispozitave të kundërvajtjes, përkatësisht gjobave. Lidhur me personat fizikë, me tekstin e propozuar bëhet harmonizimi në drejtim të shlyerjes së mandatpagesës, e cila nuk është paraparë në Ligjin e ri për kundërvajtje dhe për kundërvajtjet e deritanishme për të cilat ishte paraparë lëshimi i mandatpagesës, është paraparë lëshimi i urdhërpagesës së kundërvajtjes, shqiptimi i gjobës. Gjithashtu, vuri në dukje se ndryshimet e propozuara kanë për qëllim zbatimin e Ndryshimeve Kushtetuese (XXXIII - XXXVI) dhe Ligjin Kushtetues për Zbatimin e Ndryshimeve Kushtetuese. Përveç të theksuarës, me ligjin e propozuar bëhet edhe saktësimi plotësues i dispozitave konkrete, me qëllim të përmirësimit esencial, përkatësisht përmirësimit normativ-juridik të zgjidhjeve të caktuara ligjore, ndërsa në drejtim të zbatimit të qëndrueshëm praktik. Në këtë kuptim, theksoi se me ndryshimet e propozuara për herë të parë rregullohet pjesëmarrja në komunikacion të trotinetëve elektrikë dhe përkufizimi i kushteve për pjesëmarrjen e tyre në komunikacion. Pastaj rritet kufiri i moshës për sa i përket vlefshmërisë së patentë shoferit të shoferëve më të vjetër - pjesëmarrës në komunikacion. Gjithashtu, theksoi se është propozuar që të vendoset sanksioni-shfuqizimi i patentë shoferit nga kategoria për të cilën u shqiptua sanksioni i kundërvajtës - ndalimi i ngasjes, nëse në periudhë prej një viti nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit, pjesëmarrësit në komunikacion kanë kryer kundërvajtje tjetër në komunikacion për të cilën është paraparë sanksioni i kundërvajtjes - ndalimi i ngasjes së mjetit motorik, i shqiptuar për të njëjtën kategori.

Deputeti Ilija Nikollovski, si përfaqësues i propozuesve, e dha arsyetimin e tij për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për punë të brendshme, i cili u mbështet edhe nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi.

Bushi theksoi se ndryshimet e propozuara janë në drejtim të harmonizimit të Ligjit për punë të brendshme me dispozitat e Ligjit për marrëdhënie pune, si ligj sistemik që i rregullon marrëdhëniet e punës të punëtorëve në vend. Theksoi se me nenin 1 të këtij Propozim-ligji propozohet që të shfuqizohet mundësia për parashtrimin e deklaratave me shkrim për vazhdimin e kontratës së punësimit dhe në këtë mënyrë punëtori detyrimisht do të pensionohet pasi t'i mbush 40 vjet përvojë pensioni pa ekzistimin e mundësisë ligjore për vazhdim. Arsyetoi se me ndryshimet e propozuara, gjithashtu si përjashtim është dhënë mundësia që punëtorja - femër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me kërkesën e saj, të pensionohet me mbushjen e 38 vjet përvojë pensioni.

Lidhur me Propozim-vendimin për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrje në operacionin paqësor të Bashkimit Evropian “EUTM RCA” në Republikën e Afrikës Qendrore, Bashkim Hasani, zëvendësministër i Mbrojtjes i informoi pjesëmarrësit se këto misione paqeruajtëse janë pjesë nga aktivitetet aktuale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe se ky është një operacion i udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Hasani arsyetoi se Propozim-vendimi parashikon dërgimin e 2 (dy) eprorëve pjesëtarë të shtabit të Armatës për periudhë prej 6 (gjashtë) muajsh, të llogaritur nga janari 2021 deri në korrik 2021.

Në fund të diskutimit, Komisioni konstatoi se Propozim-ligjet e lartpërmendura janë të pranueshme dhe duhet të jepen në lexim të mëtejshëm, ndërsa Propozim-vendimin e përcolli në procedurë të mëtejshme në Kuvend.

Click