Aktivitetet

E martë, 13 korrik 2021

Mbledhja e Pestë e Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive

Në funksion të zbatimit me sukses të Programit të Punës së Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive për vitin 2021, dje Komiteti e mbajti Mbledhjen e Pestë, në të cilin Jeton Shaqiri, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës e trajtoi temën e realizimit të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të qytetarëve që u përkasin të gjitha bashkësive në organet e pushtetit shtetëror dhe në institucionet e tjera në të gjitha nivelet.

Kryetarja e Komitetit, Arbana Pasholli, në fillim të mbledhjes ndau një video-prezantim të punës së bërë deri më tani në mbledhjet e Komitetit, si dhe Programin e Punës të Komitetit për vitin 2021, më pas duke e promovuar punën e përbashkët dhe transparente në Komitet.

Punësimi bazuar në parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të qytetarëve që u përkasin të gjitha bashkësive në RMV u prezantua sipas Kushtetutës së vitit 2001, me rekomandimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe filloi të zbatohej edhe në administratën publike në të gjitha trupat publike qendrore dhe lokale, në të gjitha nivelet.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës me praninë e tij i dha mbështetje punës së Komitetit, dhe në drejtim të zbatimit të parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të pjesëtarëve të bashkësive etnike, në nivelin e secilit prej institucioneve në sektorin publik ai në mënyrë reale e pasqyroi situatën e të punësuarve në sektorin publik në lidhje me zbatimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe iu referua sistematizimit të të punësuarve me Marrëveshjen Kornizë për vendet përkatëse të punës, gjë që do të avancojë ndjeshëm çështjen e përfaqësimit të drejtë në institucionet ku kishte disa mangësi. Ai theksoi se mungesa e regjistrimit kontribuon në rritjen e keqpërdorimit të përkatësisë etnike për të hyrë në administratën publike, por që nuk ka sanksione ligjore për dikë që do të përpiqet të luajë sistemin, përkatësisht softuerin e "Balanserit".

Pas prezantimit dhe fjalimit të ministrit, me diskutime morën pjesë anëtarët e Komitetit nga radhët e deputetëve turq, romë, serbë dhe boshnjakë: Enes Ibrahim, Latife Shikovska, Ivan Stoillkoviq dhe Zeqir Ramçilloviq.

Ata vlerësuan se struktura etnike në vend duhet të pasqyrohet më mirë në organet shtetërore dhe lokale, si në pozicionet joudhëheqëse dhe udhëheqëse, duke respektuar kriterin e profesionalizmit dhe kompetencës. Janë dëgjuar arsye të shumta për zbatimin e pamjaftueshëm të këtij parimi. Anëtarët e Komitetit bënë vërejtje në fushën e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe ofruan zgjidhje për avancimin e zbatimit të këtij parimi.

Duke pasur parasysh interesin e ngjallur nga tema dhe prezantimi, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës përsëri do të ftohet në mbledhjet tematike të Komitetit në përputhje me Programin e Komitetit, por edhe përputhjen e kompetencave të Komitetit dhe Ministrisë.

Ndjekja e zbatimit të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të pjesëtarëve të të gjitha bashkësive është thelbësore në zhvillimin e shoqërisë me qytetarë të barabartë, pavarësisht se cilës bashkësi i përkasin.

Zbatimi i parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, përveç afirmimit të interesave të të gjitha bashkësive etnike, gjithashtu kontribuon në ndërtimin e besimit dhe tolerancës multietnike midis pjesëtarëve të të gjitha bashkësive në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Click