Aktivitetet

E premte, 28 maj 2021

Pa lëvizje të fuqishme të të rinjve, nuk mund të ketë shoqëri civile energjike

Deputetja Monika Zajkova, anëtare e Delegacionit të AP-së së OSBE-së, dje mori pjesë në konferencën e organizuar nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, si pjesë e Thirrjes për Aksion - Procesi i Helsinkit +50.

Qëllimi i konferencës ishte të siguronte prani më të mirë të përfaqësuesve të të rinjve në organizatat multilaterale. Ngjarja u ndoq nga përfaqësuesit e krahëve të të rinjve të partive politike dhe liderët e AP-së së OSBE-së.

Në fjalimin hyrës, kryetari i AP-së së OSBE-së, Piter Lord Baunes (Britania e Madhe) tha se pavarësisht nga dallimet në moshë, të gjithë pjesëmarrësit ishin të bashkuar në besimin e tyre në parimet e Aktit Final të Helsinkit, të tilla si sundimi i së drejtës, mbrojtja e mjedisit jetësor, siguria dhe të drejtat e njeriut.

Sekretari i Përgjithshëm i AP-së së OSBE-së, Roberto Montella, gjithashtu foli në hapje, duke theksuar qëndrimin e tij se ekzistojnë dy tema kryesore: forcimi i të rinjve dhe realizimi i vizioneve të të rinjve. Na duhet e para për të arritur të dytën, tha Montella, duke ofruar garanci që AP-ja e OSBE-së është e përkushtuar për arritjen e këtij qëllimi.

Konferenca u moderua nga Lamberto Zanier, ekspert i lartë i AP-së së OSBE-së. Në ngjarjen morën pjesë: Bardish Çager, ministre për Përfshirjen e Rinisë e Kanadasë, pastaj Roxher Padreni (Andorra), anëtari i AP-së së OSBE-së, ambasadori Luis Kuesta Civis, kryetari i Grupit të Miqve të OSBE-së për Rini dhe Siguri, përfaqësuesi i përhershëm i Spanjës në OSBE; Anastasia Fusko, këshilltare për rini dhe siguri në Sekretariatin e OSBE-së; Melani Helm, udhëheqëse e Ekipit për Ndryshimet Klimatike dhe Migracionin pranë Shoqatës së Studimeve të OKB-së; Rozalin Marbina, përfaqësuese speciale e OSBE-së për rini dhe siguri, anëtare e AP-së së OSBE-së.

Në pjesën e dytë të konferencës, folës ishin deputetja Monika Zajkova, anëtare e Delegacionit të Kuvendit në AP-në e OSBE-së, si dhe Adelin Blanskvart nga Belgjika.

Diskutimi i konferencës u përqëndrua në mënyrën e vendosjes së prioriteteve të agjendës së OSBE-së mbi rolin e të rinjve në qendër të punës së tyre. Është vërejtur se të rinjtë kanë nevojë për përfaqësim më gjithëpërfshirës, duke përfshirë edhe vendin në tryezë në proceset e vendimmarrjes, në mënyrë që të rikthejnë besimin në mekanizmat e bashkëpunimit multilateral. Si praktikë e mirë, folësit e theksuan bashkëpunimin midis Maqedonisë së Veriut dhe Misionit të OSBE-së në Shkup në përgatitjen e ligjit për politikën e të rinjve. Është theksuar që kjo praktikë duhet të ndahet me vendet e tjera në rajonin e OSBE-së në të ardhmen.   

Pjesëmarrësit vunë në dukje se me të gjitha krizat në botë, të rinjtë ndiejnë nevojë të prekshme për të zhvilluar institucione efektive të bazuara në ide novatore dhe për të promovuar kulturë të empatisë që i përfshin të gjithë palët e prekura, përfshirë edhe të rinjtë. U theksua se pa lëvizje të fuqishme të të rinjve nuk mund të ketë shoqëri civile energjike dhe pa shoqëri të fuqishme civile, demokracia vuan.

Të rinjtë demonstruan angazhim të fortë për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Ata ofruan ide novatore, mendim modern dhe ekspertizë teknologjike për të ndihmuar në promovimin e mësimit në distancë që karakterizoi periudhën e krizës KOVID-19.

Deputetja Monika Zajkova theksoi se në Republikën e Maqedonisë së Veriut u miratua Ligji për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat e të rinjve, i cili ndihmon të rinjtë në aktivitetet e tyre. Në Kuvend si trup informal ekziston klubi i të rinjve që angazhohet për themelimin e Komisionit për të Rinj si trup i përhershëm pune në Parlamentin e Maqedonisë. Angazhimet kryesore të të rinjve në vend janë veprimi për të përmirësuar sistemin arsimor dhe ekonominë, si dhe ndryshimet klimatike, por ka nevojë për përqendrim më të madh në politikat e të rinjve. Ajo theksoi se OSBE-ja në të ardhmen mund të japë kontribut më të madh në lidhjen e të rinjve në rajonin e saj dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet tyre duke formuar grup të rinjsh që punojnë së bashku për çështjet me interes të ndërsjellë. Azhurnimi i kodit etik tek të rinjtë mund të jetë gjithashtu temë që do të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve midis tyre dhe zvogëlimin e fyerjeve personale.   

Në fund, ambasadori Zanier e shprehu qëndrimin e tij se formati hibrid i konferencës, i cili përfshin përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe parlamentarët për të diskutuar së bashku, ofron qasje të hapur dhe efektive të temës dhe bëri thirrje që diskutimi të vazhdojë.

Click