Aktivitetet

E hënë, 1 nëntor 2021

Parlamentarët e NATO-s për vizitë pune në SHBA

Në organizimin e përbashkët të nënkomiteteve të AP-së së NATO-s për rezistencën dhe sigurinë civile dhe marrëdhëniet ekonomike transatlantike, nga 25 deri më 29 tetor 2021 u realizua vizita në terren në SHBA (Uashington dhe Nju Jork), në të cilën mori pjesë zëvendësanëtarja e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në AP-në e NATO-s, Marija Petrushevska, e cila është edhe anëtare e këtyre nënkomiteteve. 

Vizita u konceptua si forum për shkëmbimin e drejtpërdrejtë të mendimeve dhe qëndrimeve me përfaqësuesit e disa organizatave ndërkombëtare, instituteve për kërkime strategjike, si dhe institucioneve shtetërore të SHBA-së. Takime u mbajtën në Uashington në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, me përfaqësuesit nga Qendra Kërkimore Pju, Instituti Brukings dhe Korporata e Kërkimeve dhe Analizave RAND. Takime të veçanta (sipas Chatham House Rules) u mbajtën me përfaqësuesit nga Departamenti i Shtetit, me kongresmenë dhe në KB.

Në Nju Jork, në kuadër të KB-së, parlamentarëve iu drejtuan: përfaqësuesit e Ambasadës së Turqisë në KB, përfaqësuesit e lartë të Misionit të NATO-s në KB, të Programit "KB-ja dhe Femrat" dhe të Kabinetit të Sekretarit të Përgjithshëm në fushën e ndryshimeve klimatike. Parlamentarët realizuan takim me nëpunësit e lartë të policisë në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut (NYPD). 

Në kuadër të Programit u realizua edhe vizita në Muzeun dhe Memorialin 9/11, gjatë së cilës parlamentarët e AP-së së NATO-s vendosën lule në Memorialin me rastin e 20-vjetorit dhe në nderim të viktimave të ngjarjeve tragjike më 9 shtator 2001.

Duke përshëndetur delegacionin, kryetari i AP-së së NATO-s, kongresmeni Xherald Konoli vuri në dukje se "Aleanca është në moment vendimtar të shënuar nga ripërtëritja e konkurrencës gjeopolitike". Duke pasur parasysh faktin se NATO po e përfshin këtë realitet të ri strategjik në Konceptin Strategjik të reviduar - dokumenti kryesor i politikave udhëzuese të Aleancës, të cilin shefat e shteteve dhe qeverive të NATO-s do ta miratojnë në Samitin e Spanjës në qershor 2022 - kryetari Konoli u bëri thirrje kolegëve ligjvënës për të "forcuar NATO-n si Aleancë e Demokracive, duke i vendosur vlerat tona të përbashkëta demokratike në qendër të përgjigjes së NATO-s ndaj sfidave të sotme". Asambleja rekomandoi formimin, brenda selisë së NATO-s, të Qendrës për Rezistencën Demokratike si mënyrë për të operacionalizuar angazhimin e NATO-s ndaj vlerave të përbashkëta demokratike, praktikave më të mira dhe përdorimit të kryqëzuar të standardeve demokratike.

Në diskutimin në Bankën Botërore, kushtuar “Ndryshimeve klimatike dhe sfidave të zhvillimit”, deputetja Marija Petrushevska pyeti se cilat janë mësimet e nxjerra nga kriza e KOVID-it, për të vepruar më të përgatitur për sfidat e së ardhmes që i pret globalisht, por edhe me fokus të veçantë mbi ekonomitë më të dobëta. Samjuel Maimbo, drejtor i Programit të Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim IDA pranë BERZH/BB, tha se investimi në infrastrukturë është prioritet, veçanërisht investimi në analiza dhe të dhëna analitike, më pas financimi me instrumentet financiare cilësore dhe përmirësimi i procedurave të monitorimit të krizave. Nëpërmjet kësaj, mund të nxirren mësime dhe të shpërndahen mesazhe në vendet në fjalë, siç e kërkon shpeshtësia e krizave dhe dimensioni i tyre multinacional.

Gjatë vizitës, parlamentarët u fokusuan në kërcënimet komplekse transnacionale me të cilat përballen aktualisht aleatët e NATO-s. Këto përfshijnë sfidat tradicionale ushtarake, si dhe ndryshimet klimatike, terrorizmin, sulmet kibernetike, dezinformacionet, pandemitë dhe rivalët autoritarë që kërkojnë t'i minojnë demokracitë në mënyrë që të ruajnë kontrollin autoritar mbi demokracinë. NATO-ja duhet të përshtatet me këto ndryshime dhe kjo ushtron presion mbi të për të reviduar konceptin e saj strategjik.

Në diskutimet mbi temat, të gjithë parlamentarët treguan interaktivitet të madh, shprehën shkallë të lartë interesi për t'u bërë pyetje ekspertëve dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë dhe u fokusuan në aktivitetet e radhës të Aleancës, përfshirë edhe AP-në e NATO-s, në shënjestrimin e pikave kritike dhe përgjigjen përkatëse.

***** AP-ја e NATO-s është asamble parlamentare multilaterale e themeluar në vitin 1955 si asamble konsultative e NATO-s dhe bashkon 269 parlamentarë nga 30 vendet anëtare të NATO-s, 11 delegacione të asociuara, 4 partnerë rajonalë dhe mesdhetarë dhe 8 delegacione me status mbikëqyrës (përfshirë edhe AP-në e OSBE-së dhe AP-në e KE-së), si dhe delegacioni i veçantë nga Parlamenti Evropian, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 360 parlamentarë. Asambleja vendos lidhje thelbësore midis NATO-s dhe parlamenteve të NATO-s, siguron transparencë më të madhe në politikat e NATO-s dhe kontribuon në forcimin e vlerave transatlantike të Aleancës.
Përveç mbledhjeve të komisioneve, sesioneve plenare, seminareve Ros-Rot, Forumit Parlamentar Transatlantik, takimi i përbashkët me Këshillin e Atlantikut të Veriut, programeve për parlamentarët e rinj, AP-ja e NATO-s përfshin edhe vizita në terren te parlamentarët e komiteteve dhe nënkomiteteve, me qëllim të informimit in situ dhe informimit analitik mbi sfidat aktuale të sigurisë në kontekstin e NATO-s. 

Click