Aktivitetet

E mërkurë, 1 dhjetor 2021

Pjesëmarrja e Delegacionit në AP-në e NATO-s në Forumin Transatlantik në Uashington

Asambleja Parlamentare e NATO-s, në bashkëpunim me Universitetin Nacional të Mbrojtjes të SHBA-së, nga 29 nëntor deri më 1 dhjetor 2021, organizoi për herë të njëzetenjëtë Forumin Transatlantik tradicional në Uashington D.C.

Në këtë manifestim ku morën pjesë mbi 100 parlamentarë nga vendet anëtare të NATO-s dhe Finlanda me status të asociuar, mori pjesë edhe Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në përbërje të: Arta Bilalli Zendeli, shefe dhe anëtarët Ilija Nikollovski dhe Antonijo Milloshoski.

Takimi me dyer të mbyllura ishte një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer mendime mbi prioritetet kryesore të politikës së jashtme të SHBA-së me funksionarë të lartë amerikanë në administratën e Presidentit Bajden dhe ekspertë të lartë amerikanë.

Kryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Xherald Konoli, i dha qëndrimet e tij hyrëse, duke theksuar se realiteti aktual dhe sfidat me të cilat përballet Aleanca duhet të jenë bazë për finalizimin e shtyllave të Konceptit të ri Strategjik të NATO-s. Ai e vendosi këtë veçanërisht në kontekstin e kërcënimeve në rritje ndaj demokracisë dhe vlerave të përbashkëta të vendeve anëtare, të cilat kërkojnë institucionalizimin e strukturës për mbrojtjen e tyre, duke bërë thirrje për mbështetjen e idesë së tij për themelimin e qendrës së rezistencës demokratike brenda NATO-s.

Temat kryesore të diskutimit ishin reflektimet mbi temat e diskutuara në Konceptin e ardhshëm Strategjik, në veçanti marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, zhvillimet rajonale në Ukrainë dhe Bjellorusi, Lindjen e Afërt dhe mësimet e nxjerra nga Afganistani.

Milloshoski u përfshi me qëndrimet e tij për fqinjësinë e afërt të Rusisë, me theks të veçantë për Bjellorusinë dhe Ukrainën dhe mbështetjen e NATO-s për proceset demokratike në këto vende.

Lidhur me Ballkanin Perëndimor, për të cilin u diskutua në panel të veçantë, Zendeli debatoi për zhbllokimin sa më të shpejtë të rrugës së integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë. Qëndrimet e administratës aktuale amerikane kanë treguar përkushtimin e tyre të forcuar, mbështetjen e qartë për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe për ruajtjen e integritetit të tyre territorial.

Click