Aktivitetet

E enjte, 27 maj 2021

Pjesëmarrja e delegacionit parlamentar në Asamblenë e 142-të të UNP-së

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Unionin Ndërparlamentar (UNP) i përbërë nga: Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit dhe Shef i Delegacionit, deputetët: Dime Vellkovski, Nikolla Micevski, Eli Panova dhe Arbër Ademi, anëtarë të Delegacionit dhe Cvetanka Ivanova, Sekretare e Përgjithshme e Kuvendit, merr pjesë në Asamblenë e 142-të të UNP-së, që mbahet nga 24 deri më 28 maj 2021 në formatin virtual.

Në Asamblenë e 142-të të UNP-së marrin pjesë rreth 1.000 përfaqësues nga 135 vende anëtare të Unionit, 45 prej të cilëve janë kryetarë të parlamenteve. Fokusi i debatit është: roli i parlamenteve në tejkalimin e pasojave nga pandemia; strategjitë parlamentare për forcimin e paqes dhe sigurisë përballë sfidave dhe konflikteve që vijnë nga katastrofat klimatike; aktualizimi i digjitalizimit dhe ekonomisë qarkore për të arritur qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm, konsumi i përgjegjshëm dhe prodhimi; legjislacioni në të gjithë botën për të luftuar shfrytëzimin seksual të fëmijëve përmes internetit, etj.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, mori pjesë në debatin e përgjithshëm, që u zhvillua më 26 maj 2021 me temë: "Tejkalimi i pandemisë sot dhe ndërtimi i një të nesërme më të mirë: roli i parlamenteve".

Asambleja e UNP-së pritet të miratojë dokument final, si dhe rezolutat e propozuara nga Komiteti për Paqe dhe Siguri Ndërkombëtare dhe Komisioni për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Unioni Ndërparlamentar është organizatë botërore e parlamenteve, në të cilën anëtarësohen 179 parlamente nacionale dhe 13 asamble parlamentare ndërkombëtare. E themeluar në vitin 1889, UNP-ja është organizata politike më e vjetër multilaterale dhe asociacioni më i madh ndërparlamentar. Unioni punon për të ruajtur paqen dhe për të promovuar ndryshime pozitive demokratike dhe zhvillim të qëndrueshëm përmes dialogut politik dhe aktiviteteve konkrete. Organizata Botërore e Parlamenteve është e vendosur në Gjenevë dhe punon ngushtë me Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e tjera partnere, qëllimet e të cilave i ndan.

 

Click