Aktivitetet

E premte, 26 shkurt 2021

Pjesëmarrja e delegacionit parlamentar në Sesionin Dimëror të AP-së së OSBE-së

Delegacioni parlamentar i përbërë nga: Igor Janushev, shef i Delegacionit në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së (AP i OSBE-së), Monika Zajkova dhe Halil Snopçe, anëtarë të Delegacionit dhe Berat Ajdari, zëvendësanëtar i Delegacionit, merr pjesë në Sesionin Dimëror të rregullt të AP-së së OSBE-së që mbahet nga 24 deri më 26 shkurt 2021 në formatin virtual. Në Sesionin Dimëror të 20-të marrin pjesë rreth 270 parlamentarë - anëtarë të AP-së së OSBE-së, si dhe përfaqësuesit e lartë të qeverive të vendeve pjesëmarrëse dhe OSBE-së.

Sesioni filloi me takimin e Komitetit të Përhershëm, të përbërë nga shefat e delegacioneve nacionale dhe anëtarët e Byrosë së Asamblesë Parlamentare, të mbajtur më 24 shkurt 2021. Sesionet e komisioneve të AP-së së OSBE-së për Çështje Politike dhe të Sigurisë, Çështje Ekonomike, Shkencë, Teknologji dhe Mjedis Jetësor dhe Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Çështje Humanitare, si dhe Sesioni i Përbashkët i tri komisioneve, pasuan më 25 dhe 26 shkurt.

Në mbledhjen e përbashkët të komisioneve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së mbajtën fjalime: Volfgang Sobotka, Kryetar i Parlamentit Austriak; Lord Peter Bounes, Kryetar i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së; An Linde, ministre e Punëve të Jashtme e Suedisë dhe kryesuese me OSBE-në dhe Helga Shmid, Sekretare e Përgjithshme e OSBE-së.

Kryetari Sobotka e theksoi angazhimin e fortë për multilateralizmin dhe diplomacinë ndërparlamentare, veçanërisht në kontekstin e pandemisë me KOVID-19. Ai e nënvizoi rëndësinë e sigurisë së parlamenteve në këto kohëra të vështira, duke e theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të përbashkët për të siguruar sukses më të madh.

Kryetari Bounes vlerësoi se OSBE-ja duhet ta mbrojë parimin e bazuar në dialog, si thelbin e sigurisë gjithëpërfshirëse. "Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë të gjitha shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së në përforcimin e institucioneve të tyre demokratike dhe përmbushjen e angazhimeve të bëra nga liderët e tyre në Helsinki dhe në Paris," theksoi Bounes.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Linde, i prezantoi prioritetet e Kryesimit Suedez me OSBE-në dhe e theksoi rolin e parlamentarëve në punën e OSBE-së. "Dimensioni parlamentar i OSBE-së është lidhje e rëndësishme midis qytetarëve të vendeve pjesëmarrëse dhe punës së OSBE-së në Vjenë dhe në terren," tha Lind.
"Asambleja Parlamentare është pjesë thelbësore e familjes së OSBE-së," theksoi Sekretarja e Përgjithshme Shmid, duke vënë në dukje se parlamentarët vazhdimisht po japin ide të reja për punën e Organizatës. "Thirrja e paradokohshme për veprim e Asamblesë Parlamentare' për angazhim dhe mbështetje të nivelit më të lartë të OSBE-së është iniciativë e rëndësishme dhe me kohë. Duhet të jemi ambiciozë dhe të punojmë drejt rezultateve konkrete që do ta përforcojnë sigurinë për secilin." 

Të tria komisionet e AP-së së OSBE-së diskutojnë çështje të tilla si përforcimi i multilateralizmit, konfliktet afatgjata, kriza në dhe rreth Ukrainës, ndërtimi i sigurisë ekonomike dhe ekologjike mes pandemisë me KOVID-19 dhe ndikimi i pandemisë në demokraci dhe zgjedhje, me fjalimin e Kairat Abdrahmanov, komisioner i lartë i OSBE-së për minoritetet nacionale; Mateo Mekaçi, drejtor i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE / ODIHR); Tereza Ribeiro, përfaqësuese e OSBE-së për Lirinë e Medieve; Filip T. Riker, kryesues i Forumit për Bashkëpunim të Sigurisë dhe përfaqësues të tjerë të lartë të Organizatës.

Asambleja Parlamentare e OSBE-së përbëhet nga 323 parlamentarë nga 57 vende në Evropë, Azinë Qendrore dhe Amerikën e Veriut. Asambleja siguron forum për diplomacinë parlamentare, vëzhgimin e zgjedhjeve dhe përforcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në përmbushjen e angazhimeve të OSBE-së mbi çështjet politike, të sigurisë, ekonomike, të të drejtave të njeriut dhe mjedisit jetësor. Sesionet Dimërore të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së mbahen çdo vjet në shkurt, në mënyrë që të mundësojnë dialogun e parlamentarëve - anëtarëve të Asamblesë me funksionarët e lartë të Organizatës, për t'i debatuar zhvillimet aktuale në rajonin e OSBE-së dhe për t'i përforcuar kontaktet ndërparlamentare.

Click