Aktivitetet

E diel, 4 prill 2021

Pjesëmarrja e Delegacionit të Kuvendit në Misionin e AP-së së OSBE-së për t'i vëzhguar zgjedhjet parlamentare në Bullgari

Deputetët Igor Janushev, shef i Delegacionit në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së (AP e OSBE-së), Monika Zajkova dhe Halil Snopçe, anëtarë të Delegacionit, marrin pjesë në Misionin e AP-së së OSBE-së për t'i vëzhguar zgjedhjet parlamentare në Republikën e Bullgarisë, që mbahen më 4 prill 2021.

Misioni përbëhet nga rreth 45 parlamentarë nga 12 vende të OSBE-së, të cilët janë vendosur për t'i vëzhguar zgjedhjet parlamentare në Sofje dhe rajone të tjera. Vëzhguesit e AP-së së OSBE-së bashkëpunojnë ngushtë me kolegët nga Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut e OSBE-së (OSBE / ODIHR) dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Në prag të zgjedhjeve, vëzhguesit morën pjesë në brifingjet online me përfaqësuesit e lartë të partive politike dhe koalicioneve që garojnë në zgjedhjet parlamentare në Bullgari, me shefin dhe ekspertët e Misionit Afatgjatë të OSBE / ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve, me kryetarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Këshillit për Mediat Elektronike dhe Entit Nacional të Revizionit, si dhe përfaqësuesit e mediave dhe analistët.

Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve, i cili u vendos me ftesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, do të vlerësojë nëse zgjedhjet po zhvillohen në përputhje me angazhimet demokratike të përfshira në Dokumentin e OSBE-së të Kopenhagenit nga viti 1990. Më 5 prill, një ditë pas zgjedhjeve, vëzhguesit do ta paraqesin deklaratën prelimenare mbi vlerësimin e zgjedhjeve në konferencën për shtyp në Sofje, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen e internetit të AP-së së OSBE-së (www.oscepa.org).

Asambleja Parlamentare e OSBE-së përbëhet nga 323 parlamentarë nga 57 vende në Evropë, Azinë Qendrore dhe Amerikën e Veriut. Asambleja siguron forum për diplomacinë parlamentare, vëzhgimin e zgjedhjeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në përmbushjen e angazhimeve të OSBE-së mbi çështjet politike, të sigurisë, ekonomike, të të drejtave të njeriut dhe mjedisit jetësor.

Click