Aktivitetet

E enjte, 30 shtator 2021

Pjesëmarrja e deputeteve Stojçevska dhe Zendeli në sesionin e vjeshtës të AP-së së KE-së në Strasburg

Bisera Kostadinovska Stojçevska dhe Arta Bilalli Zendeli, anëtare të Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (AP KE), marrin pjesë në sesionin e vjeshtës së AP-së së KE-së të mbajtur nga 27 deri më 30 shtator këtë vit në Strasburg, Francë.

Në këtë sesion, Kuvendi mbajti debate urgjente mbi situatën në Afganistan, rritjen e presionit të migrimit në kufijtë e Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë me Bjellorusinë dhe mbi draft-protokollin e ri në Këshillin e Konventës Evropiane për Krimin Kompjuterik për rritjen e bashkëpunimit dhe zbulimit të provave elektronike. 

U mbajt, gjithashtu, edhe debati mbi çështjet aktuale me temë "Ballkani Perëndimor midis sfidave demokratike dhe aspiratave evropiane: cili është roli i Këshillit të Evropës?".

Panel-diskutimi i nivelit të lartë, së bashku me debatin ndërveprues me temë "Mjedisi jetësor dhe të drejtat e njeriut: E drejta për mjedis jetësor të sigurt, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm", e përfaqësojnë pjesën qendrore të Sesionit, që mbahet në formatin hibrid.

Raportet e debatuara i mbulojnë përpjekjet e Këshillit të Evropës për të forcuar "të drejtën për mjedis jetësor të shëndetshëm" dhe mënyrat për të trajtuar ndryshimet klimatike, dhe arrijnë në përfundimin se nevojiten demokraci më të mëdha pjesëmarrëse, ndryshime në përgjegjësinë penale dhe civile dhe sundimin e ligjit. Raporte të tjera shqyrtuan luftën kundër pabarazive në të drejtën për mjedis jetësor të sigurt, të shëndetshëm dhe të pastër, klimën dhe migrimin, dhe se si politikat kërkimore mund të promovojnë mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Komisionerja Evropiane për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit, Stella Kiriakides dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov mbajtën fjalime në Asamble. Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Peter Sijarto, e paraqiti deklaratën nga Komiteti i Ministrave, të cilin ai aktualisht e kryeson, ndërsa sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq, e mbajti sesionin e saj të rregullt të pyetjeve dhe përgjigjeve me anëtarët.

Çmimi i nëntë për të drejtat e njeriut "Vaclav Havel" për punën e shoqërisë civile në mbrojtjen e të drejtave të njeriut shkoi për aktivisten bjelloruse për të drejtat e njeriut, Maria Kaleshnikava. Ky çmim u dha në ceremoni të veçantë në ditën e hapjes së sesionit plenar të vjeshtës.
Asambleja diskutoi edhe mbi pasojat humanitare të konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, rivendosjen e besimit social duke forcuar të drejtat sociale dhe forcimin e luftës kundër krimeve të ashtuquajtura "nderi", mbi përfaqësimin gjinor në radhët e veta, si dhe mbi udhëzimet për fushëveprimin e imunitetit parlamentar që gëzojnë anëtarët e saj.

Bisera Kostadinovska Stojçevska iu bashkua diskutimit mbi përfaqësimin gjinor në radhët e AP-së së KE-së, duke theksuar se pjesëmarrja dhe udhëheqja e barabartë e femrave në jetën politike dhe publike janë thelbësore për arritjen e qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030. Megjithëse, numri i femrave kandidate për persona të zgjedhur është rritur në dekadën e fundit, tha ajo, numri i tyre është ende deri në 20% të mandateve në parlamentet, përkatësisht qeveritë. Të dhënat, vazhdoi Kostadinovska Stojçevska, tregojnë se femrat janë ende të përfaqësuara në mënyrë të pamjaftueshme në të gjitha nivelet e vendimmarrjes në të gjithë botën.

Shoqëritë tona përbëhen nga numër i barabartë i meshkujve dhe femrave. Kombinimi i këtij realiteti me përfaqësimin politik, vendosja e barazisë parlamentare është qëllim legjitim dhe aty ku ka vullnet politik dhe inkurajim në nivelin më të lartë institucional, barazia mund të bëhet normë, përfundoi ajo, duke u bërë thirrje anëtarëve të Asamblesë ta miratojnë raportin e propozuar në këtë temë.

Diskutim brenda temës mbi forcimin e luftës kundër të ashtuquajturës krime të "nderit" kishte edhe Arta Bilalli Zendeli, duke theksuar se do të ishte më mirë të flitej për parandalimin sesa për reagimin. Sipas saj, për parandalimin e përgjithshëm të krimit, rol të madh ka sundimi i ligjit dhe sistemit që identifikon dhe përgjigjet në mënyrën e duhur që në fillim, në mënyrë që të ketë më pak vdekje te femrat, si rezultat i të ashtuquajturës krimet e "nderit".

Shtetet dhe institucionet duhet të parandalojnë, por nëse nuk mund të parandalojnë, duhet të reagojnë sepse nderi i askujt nuk është më i rëndësishëm se jeta e një personi. Barazi do të thotë të jesh i barabartë dhe i lirë. Ky lloj krimi nuk i trajton njerëzit, as të barabartë, as të lirë. Dhe kjo nuk është në përputhje me deklaratat globale dhe rajonale të të drejtave të njeriut dhe aq më pak me natyrën e qenieve njerëzore, përfundoi Bilalli Zendeli.

Në ditën e fundit të Sesionit, fjalim kishte edhe Nikolla Dimitrov, zëvendëskryeministër i ngarkuar për Çështje Evropiane, i cili para të pranishmëve foli në përgjithësi për Ballkanin Perëndimor dhe qëndrimin e BE-së ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke thënë se nëse vazhdon kështu, BE-ja rrezikon të humbasë ndikimin në rajon. Ai theksoi se pengesat e paraqitura nga Bullgaria lidhen me identitetin, gjuhën dhe historinë dhe nuk kanë të bëjnë me standardet e BE-së. Më tutje, Dimitrovi deklaroi se është koha që BE-ja të tregojë se do t'i përmbushë premtimet e saj nga Samiti i Selanikut, sepse nëse rajoni humb perspektivën e BE-së, hapet hapësira për forcimin e drejtimeve të caktuara radikale dhe ekstreme. Pas fjalimit, Dimitrovi iu përgjigj pyetjeve të deputetëve.

Menjëherë pas kësaj, Asambleja debatoi mbi Projekt-rezolutën në mbështetje të perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor, të propozuar nga Pjero Fasino, anëtar i Delegacionit Italian. Dokumenti vëren se kanë kaluar 26 vjet nga Marrëveshja e Dejtonit dhe 18 vjet nga Këshilli Evropian i Selanikut, i cili e inicioi agjendën për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, periudhë që ka shkaktuar frustrime dhe zhgënjim në rajon, dhe bën thirrje mbi BE-në për të përshpejtuar procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor me rifillimin e negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi, rifillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me dhënien e statusit të kandidatit Bosnjë e Hercegovinës dhe me liberalizimin e regjimit të vizave me Kosovën.

Gjatë Sesionit, delegacioni ynë realizoi takim edhe me Lise Kristoferson dhe Zolt Çenger-Zalan, raportues për Maqedoninë e Veriut në Komisionin e Monitorimit. Në takim, raportuesit shprehën interes për situatën e përgjithshme politike në vendin tonë dhe për rrjedhën e regjistrimit.

Arta Bilalli Zendeli foli për përgatitjet për zgjedhjet lokale, për fillimin e fushatës dhe për rrjedhën e regjistrimit, duke vënë në dukje se zhvillohet sipas planit.

Bisera Kostadinovska Stojçevska iu referua arritjeve të realizuara në fushën e papunësisë, investimeve të huaja, projekteve në arsim, etj.

Delegacioni ynë realizoi takim edhe me kryetarin e Delegacionit, Ahmet Jildiz, me të cilin diskutuan mbi situatën e përgjithshme në Maqedoninë e Veriut dhe marrëdhëniet në rajon, si dhe mbi bashkëpunimin brenda organizatave ndërkombëtare. Gjithashtu, me ftesë të tij, Delegacioni, së bashku me Dimitrovin, patën drekë pune me Rik Daemsin, kryetar i AP-së së KE-së.

Në margjinat e sesionit, më 30 shtator, Këshilli i Evropës e mirëpriti "Amal e Vogël", kukullë vajzë nëntëvjeçare, 3.5 metra e gjatë, e cila udhëton 8000 kilometra për të rritur ndërgjegjësimin për gjendjen e fëmijëve refugjatë.  

Click