Aktivitetet

E martë, 25 maj 2021

Pjesëmarrja e deputetëve Vellkovski, Panova dhe Ademi në Sesionin e 207-të të Këshillit Drejtues të UNP-së

Deputetët Dime Vellkovski, Eli Panova dhe Arbër Ademi marrin pjesë në Sesionin e 207-të të Këshillit Drejtues të Unionit Ndërparlamentar (UNP), i cili mbahet më 24 dhe 25 maj 2021 në formatin virtual, brenda Asamblesë së 142-të të UNP-së. Në sesion marrin pjesë tre parlamentarë, anëtarë të Këshillit Drejtues, nga 135 vende anëtare të Unionit.

Anëtarëve të Këshillit Drejtues iu prezantuan raportet mbi aktivitetet e kryetarit, sekretarit të përgjithshëm dhe trupave të punës të UNP-së, rezultatet financiare të Unionit për vitin 2020, si dhe situatën në disa vende anëtare. Sesioni pritet të miratojë takimet e ardhshme ndërparlamentare dhe të zgjedhë anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv, Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Parlamentarëve dhe Komitetit për Çështjet e Lindjes së Mesme të UNP-së. Përzgjedhja do të kryhet me votim në distancë, përmes sistemit elektronik që garanton fshehtësinë e votimit, sigurinë e platformës së votimit, identifikimin dhe vërtetimin e përdoruesve, si dhe mbikëqyrjen e procesit të votimit.

Kryetari i UNP-së, Duarte Paçeko, deputet nga Portugalia, në fjalën e tij drejtuar anëtarëve të Këshillit Drejtues të Unionit Ndërparlamentar e theksoi nevojën për konsolidimin e qeverisjes së mirë dhe rëndësinë e organizatës. "Në kryerjen e këtij funksioni të rëndësishëm, që më dhatë nëntorin e kaluar, u udhëhoqa nga qëllimet e forcimit të dukshmërisë së Unionit Ndërparlamentar dhe statusit të tij si aktor i rëndësishëm në skenën politike ndërkombëtare, forcimit të parimeve demokratike dhe të drejtave të njeriut në të gjitha pjesët e botës dhe rritjen e pjesëmarrjes së femrave dhe të rinjve në politikë" - theksoi Paçeko.

Unioni Ndërparlamentar është organizatë botërore e parlamenteve, në të cilën anëtarësohen 179 parlamente nacionale dhe 13 asamble parlamentare ndërkombëtare. E themeluar në vitin 1889, UNP-ja është organizata politike më e vjetër multilaterale dhe asociacioni më i madh ndërparlamentar. Unioni punon për të ruajtur paqen dhe për të promovuar ndryshime pozitive demokratike dhe zhvillim të qëndrueshëm përmes dialogut politik dhe aktiviteteve konkrete. Organizata Botërore e Parlamenteve është e vendosur në Gjenevë dhe punon ngushtë me Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e tjera partnere, qëllimet e të cilave i ndan.

Click