Aktivitetet

E enjte, 15 prill 2021

Pjesëmarrja e deputetit Pavle Trajanov në mbledhjen e Komisionit për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim të Sigurisë së AP-së së PBEJL-së

Deputeti Pavle Trajanov, anëtar i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP PBEJL), mori pjesë në mbledhjen e Komisionit për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim të Sigurisë të AP-së së PBEJL-së, që u mbajt sot në formatin virtual, të organizuar nga Kuvendi i Madh Nacional Turk.

Në mbledhje u diskutua tema: "Efikasiteti gjyqësor gjatë pandemisë: shërbimet dhe praktikat e reja". Para anëtarëve të Komisionit mbajti fjalim Jakup Mogul, zëvendësministër i Drejtësisë i Republikës së Turqisë, i cili informoi në lidhje me situatën në vend në këtë plan.

Në debat, deputetët e theksuan nevojën për t'i vazhduar aktivitetet e përbashkëta dhe forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit midis vendeve pjesëmarrësve në PBEJL në të gjitha fushat, duke përfshirë drejtësinë, ndarjen e zgjidhjeve dhe praktikave të mira të formuluara gjatë pandemisë dhe promovimin e njohurive dhe përvojës, në veçanti në lidhje me digjitalizimin e sistemit të jurisprudencës.

Deputeti Pavle Trajanov, në fjalimin e tij, nënvizoi se reformat serioze dhe të thella janë duke u zhvilluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilat pritet të ndërtojnë një sistem të besueshëm gjyqësor, të eliminojnë ndikimin politik dhe të rregullojnë punën e gjykatave dhe prokurorive në kushtet e pandemisë. Janë ndërmarrë hapa konkretë për punën online të gjykatave, veçanërisht për lëndët gjyqësore urgjente, por ky proces kërkon projekte informatike, digjitalizim, teknologji moderne, si dhe trajnim të të gjithë pjesëmarrësve në procedurat gjyqësore.

Në të njëjtën kohë, Trajanov u angazhua për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndarjen e përvojave profesionale për zgjidhjen e çështjeve të hapura, veçanërisht ato që lidhen me konfirmimin e identitetit të pjesëmarrësve, mbrojtjen e të dhënave, por gjithashtu sigurimin e transparencës së procedurave gjyqësore, si korrigjues i rëndësishëm për sundimin e së drejtës.

Anëtarët e Komisionit i shqyrtuan dhe miratuan Propozim-Raportin dhe Propozim-Rezolutën mbi këtë temë, që pritet të miratohen në sesionin e ardhshëm vjetor të AP-së së PBEJL-së, që do të mbahet në qershor 2021 në kuadër të Kryesimit Turk me PBEJL-në.

Asambleja Parlamentare e PBEJL-së, në të cilën anëtarësohen parlamentet e vendeve të Evropës Juglindore: Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Rumania, Sllovenia, Serbia, Turqia, Kroacia dhe Mali i Zi, qëllimet dhe detyrat e saj i bazon në parimet e pronësisë rajonale dhe integrimit evropian. Asambleja Parlamentare luan rol të rëndësishëm në promovimin e pjesëmarrjes parlamentare dhe lehtësimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërparlamentar në rajon, si dhe në nxitjen e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Click