Aktivitetet

E premte, 24 shtator 2021

Pjesëmarrja e nënkryetarit Misovski në Forumin e 5-të Maqedono-Gjerman

Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Goran Misovski mori pjesë në Forumin e 5-të Maqedono-Gjerman, i cili u mbajt sot në Shkup, i organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer, me temë: "30 vjet pavarësi të Maqedonisë së Veriut - roli i Kuvendit në demokraci".

Forumi u hap nga kryetari i Fondacionit Konrad Adenauer dhe ish-kryetari i Bundestagut, z. Norbert Lambert i cili foli përmes video-konferencës. Duke uruar 30-vjetorin e pavarësisë, Lamberti theksoi se kjo ngjarje është e lidhur ngushtë me bashkimin e Gjermanisë dhe ndryshimet e mëdha që ndodhën në Evropë gjatë asaj periudhe. Ai theksoi se procesi i ndarjes së shtetit nga ish-Jugosllavia u zhvillua në mënyrë paqësore dhe ne ishim vendi i parë në rajon që nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Fondacioni Konrad Adenauer përcaktoi angazhimin e vazhdueshëm si shprehje e interesit gjerman në rajon dhe në atë drejtim e vlerësoi vizitën e fundit të kancelares Merkel në rajon. 

Në fjalimin e tij në hapjen e forumit, nënkryetari Misovski iu referua ngjarjeve më të rëndësishme në 30 vitet e fundit që nga konstituimi i Kuvendit të parë shumëpartiak: miratimi i akteve dhe dokumenteve të domosdoshme shtetformuese për formimin e shtetit të pavarur dhe sovran, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit, si hapi i parë në arritjen e aspiratave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, zgjidhja paqësore e konfliktit të vitit 2001 përmes Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, marrja e statusit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2005, liberalizimi i vizave në vitin 2009, miratimi i Deklaratave të anëtarësimit në NATO, arritja e Marrëveshjes së Prespës dhe anëtarësimi në NATO në vitin 2020.

Misovski theksoi se gjatë gjithë kësaj periudhe, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është i përkushtuar për harmonizimin me standardet evropiane në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të së drejtës në mënyrë që të përmbushë synimin e qytetarëve për integrim të mëtejshëm në Bashkimin Evropian. Ai shprehu keqardhjen që përkundër përpjekjeve të forta, reformave të zbatuara dhe rekomandimeve të Komisionit Evropian, ndryshimi i shumëpritur serioz për të mirë për perspektivën evropiane të vendit tonë nuk ka ndodhur ende. Sidoqoftë, u shpreh i bindur se në periudhën e ardhshme do të gjendet zgjidhja për kontestin me Bullgarinë dhe kjo çështje bilaterale do të zgjidhet në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe vlerave themelore evropiane, të cilat janë pjesë e Marrëveshjes për Fqinjësinë e Mirë, Miqësinë dhe Bashkëpunimin.    

Kjo u pasua nga panel-diskutimi ku morën pjesë deputetët Aleksandar Nikolloski, në funksionin e kryetarit të Këshillit Nacional për Eurointegrime, Arta Bilalli Zendeli, zëvendëskryetare e Komisionit për Çështje Evropiane, Darko Kaevski, anëtar i Këshillit Nacional për Eurointegrime dhe Monika Zajkova, anëtare e Komisionit për Çështje Evropiane.

Click