Aktivitetet

E premte, 05 nëntor 2021

Pjesëmarrja në Sesionin Vjeshtor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së

Deputetët Monika Zajkova dhe Halil Snopçe, anëtarë të Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së (AP e OSBE) morën pjesë në Sesionin e 19-të Vjeshtor të AP-së së OSBE-së, të mbajtur më 3 dhe 4 nëntor 2021, në formatin virtual. Gjatë sesionit u mbajt mbledhja e Komitetit të Përhershëm, Forumit Mesdhetar dhe Konferencës Parlamentare me temë “Sfidat aktuale të sigurisë: Fokusimi në Afganistan”.

Në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm të AP-së së OSBE-së raporte parashtruan kryetarja e AP-së së OSBE-së, Margaret Sederfelt, arkëtari Peter Juel-Jensen dhe sekretari i përgjithshëm Roberto Montella, më pas u diskutua mbi aktivitetet e Asamblesë Parlamentare dhe çështjet aktuale politike. Në diskutimet e tyre, deputetët shprehën shqetësimin për konfliktet aktuale në zonën e OSBE-së, krizën klimatike dhe migracionin dhe kërkuan angazhim më të fortë parlamentar në këtë fushë.

Në Forumin Mesdhetar para deputetëve mbajti fjalim Adam Halaçinski, kryesues i Grupit të Partnerëve Mesdhetarë për Bashkëpunim të OSBE-së, duke informuar mbi aktivitetet dhe iniciativat e ardhshme të OSBE-së me partnerët mesdhetarë, si avancimi i bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimit të organizuar transnacional. Fjalime të tyre kanë pasur edhe deputetët e vendeve partnere mesdhetare. 

Në debatin në Forumin Mesdhetar, parlamentarët shprehën shqetësimin për çështjet e tilla si ndryshimet klimatike, fshehja e tatimit dhe lufta kundër pandemisë, e cila ka zgjeruar hendekun e zhvillimit midis veriut dhe jugut. Theksi u vu edhe te migracioni, i cili është sfidë për të gjithë Evropën dhe jo vetëm për vendet e Mesdheut.

Në Konferencën Parlamentare "Sfidat aktuale të sigurisë: Fokusimi në Afganistan" fjalime hyrëse kishin: Margareta Sederfelt, kryetare e AP-së së OSBE-së, ambasadorja Tuula Irjula, drejtoreshë e Qendrës së OSBE-së për Parandalimin e Konflikteve dhe kryesuesit e tre komiteteve të AP-së së OSBE-së: Riçard Hadson, Pere Zhuan Pons dhe Seren Mobornj. 

Më shumë se 30 parlamentarë morën pjesë në debat, duke trajtuar situatën e përkeqësuar në Afganistan dhe implikimet e saj për rajonin e OSBE-së. Në diskutimet e tyre, parlamentarët shprehën shqetësimin për situatën e të drejtave të njeriut në Afganistan, dhe veçanërisht kërcënimet ndaj deputeteve dhe në përgjithësi ndaj grave, vajzave dhe komunitetit LGBT+. U diskutua edhe për rrezikun e radikalizimit dhe pasojat e tij. U theksua se shpejtësia me të cilën ra qeveria afgane është befasuese dhe si një nga faktorët kryesorë të rënies së shpejtë u identifikua korrupsioni, i cili duhet kuptuar si çështje sigurie. Kjo, sipas pjesëmarrësve në debat, e thekson nevojën për të dyfishuar përpjekjet për të zhvilluar sundimin e së drejtës në të gjithë zonën e OSBE-së.

Asambleja Parlamentare e OSBE-së përbëhet nga 323 parlamentarë nga 57 vende të Evropës, Azisë Qendrore dhe Amerikës së Veriut. Asambleja siguron forum për diplomacinë parlamentare, vëzhgimin e zgjedhjeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për të përmbushur angazhimet e OSBE-së mbi çështjet politike, të sigurisë, ekonomike, të të drejtave të njeriut dhe mjedisit jetësor. 

Click