Aktivitetet

E enjte, 4 mars 2021

Prezantimi i projektit WoMen Lead - Avancimi i barazisë gjinore përmes pjesëmarrjes politike të femrave

Komisioni për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve u takua me përfaqësueset e Institutit Demokratik Nacional (NDI). Qëllimi i takimit ishte që NDI-ja ta prezantojë projektin WoMen Lead - Avancimi i barazisë gjinore përmes pjesëmarrjes politike të femrave, i cili do të zbatohet me mbështetjen e Agjencisë Suedeze të Mbështetjes për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).

Avancimi i barazisë gjinore është sfidë e rëndësishme për progresin demokratik të Maqedonisë së Veriut. Femrat në Maqedoninë e Veriut kanë qasje të kufizuar në fuqinë e miratimit të vendimeve, sepse përballen me barriera individuale, socio-kulturore dhe institucionale në pjesëmarrjen politike. Barrierat ndaj barazisë gjinore në miratimin e vendimeve lidhen me mungesën e përvojës dhe aftësive midis femrave politikane, pengesave institucionale ndaj partive politike, parlamentit dhe qeverisë, normave socio-kulturore që mbijetojnë dhe pasqyrojnë paragjykimin gjinor dhe dhunën ndaj femrave në politikë. Mjedisi më i favorshëm për pjesëmarrjen politike të femrave do të kontribuojë në barazinë e përgjithshme gjinore dhe do të rrisë besueshmërinë e më shumë femrave që të vendosin të marrin pjesë në jetën politike.

Projekti WoMen Lead - Avancimi i barazisë gjinore përmes pjesëmarrjes politike të femrave, do të synojë t'i zvogëlojë barrierat individuale, socio-kulturore dhe institucionale për pjesëmarrjen politike të femrave në Maqedoninë e Veriut. Përmes këtij programi, NDI-ja synon të përmirësojë barazinë gjinore në partitë politike, të sigurojë aftësi dhe mbështetje për femrat kandidate për të mbajtur fushata të suksesshme dhe për të menaxhuar në nivelin lokal, dhe për të zvogëluar dhunën ndaj femrave në politikë.

Përveç prezantimit të projektit, kryetarja dhe anëtaret e Komisionit patën mundësinë për të diskutuar aktivitete të ndryshme të projektit, me theks të veçantë në ato aktivitete që do të përfshinin Komisionin.

Click