Aktivitetet

E enjte, 29 prill 2021

Prezantimi i standardeve parlamentare të sjelljes dhe etikës në parlamentet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjeorgjisë dhe Shqipërisë

Komisioni për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Shkup, ODIHR-në dhe NDI-në përmes Programit të Mbështetjes Parlamentare, dje organizoi punëtori online për t'i shkëmbyer përvojat dhe praktikat më të mira në fushën e standardeve parlamentare të sjelljes dhe etikës me përfaqësuesit e parlamenteve të Gjeorgjisë dhe Shqipërisë.

Në punëtorinë morën pjesë anëtarët dhe zëvendësanëtarët e Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, si dhe përfaqësuesit e shërbimit profesional të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët diskutuan me përfaqësuesit e Parlamenteve të Gjeorgjisë dhe Shqipërisë mbi kornizën juridike që i rregullon standardet parlamentare të sjelljes dhe etikës, aspektet më të rëndësishme të përfshira në kodet e sjelljes etike, mekanizmat për zbatimin e dispozitave të kodeve të sjelljes etike dhe sfidat dhe pengesat gjatë zbatimit. Në punëtori, gjithashtu, u diskutua edhe për edukimin, trajnimet dhe aktivitetet e ndërgjegjësimit si predispozita të rëndësishme për arritjen e standardeve të larta të sjelljes parlamentare.

Kryetari i Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, z. Panço Minov, në fjalën e tij përfundimtare theksoi se shkëmbimet e tilla të përvojave dhe praktikave janë pozitive dhe të dobishme në pritje të aktiviteteve të mëtejshme që Komisioni në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Shkup, ODIHR-në dhe NDI-në, do t'i zbatojnë në periudhën e ardhshme në mënyrë që t'i avancojnë standardet parlamentare të sjelljes dhe etikës.

Click