Aktivitetet

E martë, 22 qershor 2021

SESIONI I QERSHORIT I APKE-së: TAKIMI I PUNËS ME BASHKËREFERUESIN E KOMISIONIT TË MONITORIMIT

Anëtarët e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, zëvendësshefe, Arta Bilalli Zendeli dhe Aleksandar Nikolloski, anëtarë, gjatë sesionit të qershorit të mbajtur këtë javë në Strasburg realizuan takim me bashkëreferuesin e ri të emëruar për dialogun pas monitorimit me vendin tonë, z. Cenger Zalan Zoltan nga Hungaria nga Partia Popullore Evropiane. Së bashku me znj. Lise Kristofersen nga Norvegjia, nga Partia Socialiste janë kompetentë për zhvillimin e të ashtuquajturit dialogu pas monitorimit të Asamblesë Parlamentare me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Pra, bashkëreferuesit emërohen nga Komisioni i Monitorimit i cili është përgjegjës për kontrollimin e përmbushjes së detyrimeve të ndërmarra nga vendet-anëtare në përputhje me kushtet e Statutit të Këshillit të Evropës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të gjitha konventat e tjera të Këshillit të Evropës në të cilat shtetet aderuan, si dhe respektimi i angazhimeve të bëra nga autoritetet e vendeve-anëtare kur anëtarësohen në Këshillin e Evropës.

Bashkëreferuesi Cenger Zalan në takimin me anëtarët e Delegacionit të Maqedonisë ishte i interesuar për situatën aktuale në vend, punën e Kuvendit, trajtimin e pandemisë dhe masat e ndërmarra për të zbutur pasojat e KOVID-it, pastaj situatën ekonomike dhe marrëdhëniet me fqinjët.

Ai shprehu synimin për të vizituar vendin së bashku me znj. Kristofersen deri në fund të vitit në të ashtuquajturin misioni për konstatimin e fakteve gjatë të cilit është planifikuar të realizojnë takim me kreun e shtetit, përfaqësuesit e partive politike, përfaqësuesit e medieve të shoqërisë civile, vetëqeverisjes lokale në mënyrë që të marrin një pamje sa më reale të situatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të prezantojnë raport së pari para Komisionit të Monitorimit dhe pastaj para Asamblesë Parlamentare.

Gjatë ditës, deputeti Aleksandar Nikolloski, në pjesën e raportit të progresit që shqyrtohen aktivitetet midis dy sesioneve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pati fjalim para deputetëve për zgjedhjet në Bullgari, në të cilën iu referua raportit të Komisionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i vëzhgoi zgjedhjet më 4 prill 2021 si pjesë e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve.

Click