Aktivitetet

E enjte, 11 shkurt 2021

Takimi konstitutiv i GPNP-së për mbështetjen e të drejtave të romëve, përfshirjen dhe integrimin e tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Sot, në Kuvend, u themelua dhe u promovua Grupi Parlamentar Ndërpartiak (GPNP) për mbështetjen e të drejtave të romëve, përfshirjen dhe integrimin e tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në të cilin do të anëtarësohen deputetët e përbërjes ekzistuese të Kuvendit nga partitë e ndryshme politike.

Deputetja Latife Shikovska u zgjodh koordinatore e Grupit Parlamentar Ndërpartiak, ndërsa deputetët Lupço Ballkovski dhe Igor Zdravkovski u zgjodhën zëvendëskordinatorë.

Në takimin konstitutiv, Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, mbajti fjalim përshëndetës, në të cilën shprehu mbështetje pa rezerva për iniciativën për themelimin e këtij Grupi, ku foli për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të romëve në vend.

Në takim morën pjesë edhe nënkryetarët e Kuvendit, kryetari dhe anëtarët e Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, Klubit të Deputeteve, disa anëtarë të grupeve joformale, përkatësisht Grupet Parlamentare Ndërpartiake të Kuvendit, deputetët e interesuar, përfaqësuesit e disa ambasadave, si dhe përfaqësuesit e OJQ-ve të shumta rome.

Koordinatorja Latife Shikovska dha arsyetim të misionit, qëllimeve dhe fushave prioritare të punës së këtij Grupi. Pjesëmarrësit shprehën respekt të madh për koordinatoren dhe themelimin e Grupit, dhe duke i pasur parasysh specifikat e komunitetit etnik romë si popull i njohur me Kushtetutë, propozuan një sërë pyetjesh, temash dhe idesh aktuale, për të diskutuar mbi shkallën e të drejtave të komuniteti romë, mundësitë për përmirësimin e gjendjes, ndërsa propozimet do të shqyrtohen në takimet e ardhshme.

Romët janë komunitet etnik me nevoja dhe probleme specifike, kështu që në atë kuptim është e nevojshme që shteti të kujdeset për romët si një detyrim moral dhe si një detyrë e rregulluar me ligj në mënyrë që të ndryshojë pozitivisht cilësinë e përgjithshme të jetës së romëve dhe pjesëmarrjen e tyre më të madhe në jetën shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në këtë kontekst, folësit i përmendën të ndjerët Faik Abdi dhe Amdi Bajram, si përfaqësues të komunitetit romë dhe luftëtarë të përkushtuar dhe të dëshmuar për të drejtat e tyre.

















Click