Aktivitetet

E mërkurë, 27 tetor 2021

T'u mundësohet parlamentarëve të luajnë rol udhëheqës në avancimin e të drejtave të njeriut

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga: Abdulla Saliu, shef i Delegacionit në AP të Frankofonisë dhe Beti Stamenkoska-Trajkoska, anëtare e Delegacionit, më 25 dhe 26 tetor 2021, në Gjenevë, mori pjesë në Punëtorinë për forcimin e rolit të deputetëve në vendet anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë në procesin e Pasqyrës Periodike Universale.

Qëllimi i mbajtjes së punëtorisë ishte t'u mundësonte parlamentarëve të luanin rol udhëheqës në avancimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe punën e Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe Pasqyrës Periodike Universale që është përgjegjës për vlerësimin e situatës së të drejtave të njeriut në vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, para se gjithash, për shkak të privilegjeve të tyre kushtetuese.

Takimi u hap nga Xhorxh Nasku Nuefang, përfaqësues i përhershëm i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë në Gjenevë; Makaila Ahmed, përfaqësuese e Çadit në KB në Gjenevë, kryesuese e Grupit të Ambasadorëve Frankofonë; Zhak Krabal, sekretar i përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë; Martin Çungong, sekretar i përgjithshëm i IPU-së; si dhe Mahaman Cis Guru, përfaqësues i Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Duke qenë se pjesa më e madhe e diskutimeve u fokusuan në trajtimin e pandemisë KOVID-19, e cila kërkon që shumë vende të ndërmarrin masa urgjente për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë, sfida kryesore me të cilën përballen vendet është t'i përgjigjen në mënyrë efikase kësaj krize shëndetësore, njëkohësisht duke siguruar që masat që do t'i ndërmarrin nuk i cenojnë të drejtat e njeriut dhe liritë publike të qytetarëve.

Deputetja Beti Stamenkoska-Trajkoska e theksoi rëndësinë e Këshillit të KB-së për të Drejtat e Njeriut dhe Pasqyrës Periodike Universale të tij. Republika e Maqedonisë së Veriut beson fuqishëm në rolin kryesor të sistemit multilateral të të drejtave të njeriut për t'i ndjekur performancat e shteteve në zbatimin e obligimeve të tyre sipas marrëveshjeve ndërkombëtare dhe për t'u ndihmuar që t'i përmbushin standardet të cilat i kanë nënshkruar. Ajo informoi për punën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe të trupave punues të tij, të cilët veprojnë në drejtim të realizimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve, si dhe në ndjekjen e akteve ndërkombëtare të ratifikuara që e rregullojnë mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve.

Më tej, ajo në diskutimin e saj theksoi se pandemia ka pasur ndikim serioz dhe pasoja evidente në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si në aspektin shëndetësor, ashtu edhe në aspektin ekonomik. Për këtë qëllim, ndërsa në drejtim të zbutjes së efekteve negative nga kjo, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi pesë pako masash për ndihmë, me të cilat, ndër të tjera, u parashikua ndihma financiare kategorive më të cenueshme të qytetarëve dhe degëve të ekonomisë.

Lidhur me përballimin e trendit në rritje të dhunës në familje ndaj grave dhe vajzave, dhe bazuar në parimin e barazisë gjinore dhe ndalimit të diskriminimit për çdo bazë, si dhe sanksionimit të çdo forme të dhunës, deputetët informuan se në janar 2021 ishte miratuar Ligji për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës ndaj femrave dhe dhunës në familje, plotësisht në harmonizim me Konventën e Stambollit.

Click